Një sërë takimesh dhe marrëveshjes, zbardhet axhenda e Ministrit të Jashtëm në OKB

Një sërë takimesh dhe marrëveshjes, zbardhet axhenda e Ministrit të Jashtëm në OKB

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mbërritur në Nju York, për të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Hasani pritet të firmosë disa marrëveshje për liberalizimin reciprok të vizave, në funksion të forcimit të pasaportës shqiptare në botë.
Gjithashtu, Hasani do të ketë takime dypalëshe me Ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit, Bullgarisë, Egjiptit, Gjeorgjisë, Kazakistanit, Maltës, Marokut, Mongolisë, Turkmenistanit, Qipros etj. Gjatë javës së nivelit të lartë, Shqipëria, përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme do të organizojë dhe drejtojë disa takime, në cilësinë e anëtares së OKB-së por edhe të kryesueses së nismave rajonale si: Karta e Adriatikut, Nisma e Evropës Qendrore dhe Procesi i Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore.
Java e nivelit të lartë nisi dje me takimin “Beijing+30: drejt një bote me barazi gjinore”, mbajtur në Nju York, ku Ministri Hasani nënvizoi politikat e qeverisë shqiptare që nxisin angazhimin kuptimplotë të grave në jetën publike.
“Le të ndërtojmë një të ardhme ku gratë dhe vajzat fuqizohen për të përmbushur potencialin e tyre dhe për të kontribuar në mënyrë domethënëse në përmirësimin e shoqërisë. Së bashku, ne mund të krijojmë një botë më të drejtë, më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë”.
Prioritetet e Shqipërisë, gjatë sesionit të 79 të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së do të jenë në përputhje me kontributin e dhënë gjatë periudhës së anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit (2022-2023) dhe përfshijnë promovimin e multilateralizmit, mbështetjen për Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.
i.b./dita
Burimi