Një paketë e dytë mbështetëse për bujqësinë, fondet do jepen me kushte

Një paketë e dytë mbështetëse për bujqësinë, fondet do jepen me kushte

Burime nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural konfirmojnë se po përgatitet një paketë e dytë mbështetëse për bujqësinë. Por paketa e dytë do të ofrojë para me kushte.
“Ne do të bëjmë një ndërhyrje rishikuese të buxhetit në qershor të vitit 2024 dhe bujqësia do të jetë sektori kryesor i rishikimit”, deklaroi ministri Mete më 7 nëntor të vitit të kaluar.
Qershori kaloi, buxheti nuk u rishikua e rrjedhimisht bujqit dhe blegtorët shqiptarë nuk morën më tepër para.
Por për sezonin e dytë të mbjellave ata pritet të kenë ca para të tjera në dispozicion. Burime nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural konfirmojnë se po përgatitet një paketë e dytë mbështetëse për sektorin. Por ndryshe nga Skema Kombëtare e Bujqësisë dhe Blegtorisë që jep mbështetje falas, paketa e dytë do të ofrojë para me kushte. Fondet do të jepen kryesisht për investime në përpunim dhe gratë në formën e garancive sovrane.
“Faktikisht ne e diskutuam edhe ara 4 muajsh që Skema Kombëtare  Bujqësisë dhe Blegtorisë ishte e pamjaftueshme. Ndaj do të ishte optimale që të vijohej me të njëjtën skemë mbështetëse si ajo e para. Kjo me qëllim vijimin e aktivitetit bujqësor”, u shpreh Esmeralda Ballesha, eksperte e sektorit bujqësor.
Me programin IPARD të Bashkimit Europian të pezulluar, fermerëve dhe sipërmarrësve shqiptarë në sektorin bujqësor do iu vihet në ndihmë me një fond në rreth 20 milionë euro.
“Sigurisht ka nevoja të jshtëzakonshme dhe në investim. Si në përpunim, paketim apo transport. Ideja është në mungesë të fondeve IPARD apo fondeve alternative, fermerët shqiptarë janë në një ngushticë të madhe në drejtim të financimit”, theksoi Ballesha.
Ekspertë të sektorit e shohin me skepticizëm përthithjen e parave në garancinë sovrane për shkak të shkallës së lartë të informalitetit dhe problemeve të tjera në sektor.
“Do të mund të marrin vetëm një numër i kufizuar fermerësh dhe ajo nuk do të mund të zgjidhë hallet e vërteta të sektorit”.
Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit skema Kombëtarë në Bujqësi dhe Blegtori regjistroi një numër total prej 71.537 aplikimesh. Fondi në dispozicion rezultoi i mjaftueshëm vetëm për 72 për qind të fermerëve në total.
i.b./dita
Burimi