Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Kuvendit, mandati i Xhaçkës nuk dërgohet në “Venecia”

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Kuvendit, mandati i Xhaçkës nuk dërgohet në “Venecia”

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Kuvendit për të dërguar në komisionin e Venecias mandatin e Olta Xhaçkës.
Për këtë çështje pritet të ketë një komunikim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj në orën 13:00. Në këtë komunikim pritet që të jepen dhe arsyet pse kërkesa e Kuvendit për mandatin e deputetes së PS u rrëzua.
Kujtojmë se ditën e hënë Kuvendi i kërkoi Gjykatës Kushtetuese riçeljen e shqyrtimit gjyqësor lidhur me mandatin e Xhaçkës, me qëllim kërkimin e një opinioni këshillimor, nga Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit. Ndihma u kërkua me argumentin se juristët në Shqipëri po përballen me pasiguri juridike në lidhje me këtë rast.
“Ndodhur në kushtet kur krijohet një pasiguri juridike, se përse grupi prej jo më pak se 1/5 e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kundërshtim me rendin kushtetues në fuqi, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias, thuhet në kërkesën e cila mban datën 8 korrik.
Shqyrtimi gjyqësor për mandatin e Olta Xhaçkës është mbyllur më 25 qershor dhe deputetja ka fituar çështjen në Kushtetuese, ku opozita pretendoi se Xhaçka shkeli Kushtetutën kur ishte ministre dhe qeveria e saj i dha bashkëshortit biznesmen, Artan Gaçi, statusin e investitorit strategjik për një resort në Himarë.
 
j.l./ dita
Burimi