Fjalor i paradokseve (VIII)

Fjalor i paradokseve (VIII)

Gazeta Dita ka nisur botimin e “paradokseve” që sociologu dhe intelektuali i njohur publik, Fatos Tarifa, ka definuar në një prej librave të tij të fundit, titulluar Fjalor i paradokseve (botim i Onufrit). Redaksia e Ditës ka lejen e autorit për t’i riprodhuar paradokset që shpjegohen në këtë libër në faqet e saj, integralisht dhe në rend alfabetik, siç janë botuar nga vetë autori, për t’ua bërë ato të njohura një publiku sa më të gjerë. Sot po vijojmë me pjesën e fundit, paradokset e renditura në shkronjat R deri në Z.
Nga Fatos Tarifa

R – Z
R
RACIONALIST. Bertrand Russell. Për Russell-in, mendimi kritik nënkupton edhe vetë reflektimin kritik ndaj çdo gjëje që merret si mendim kritik.
RELATIVIZËM. Një metodë, e cila ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përparimin e dijes njerëzore. Philipp Frank: “Atje ku është bërë beteja e vërtetë për progresin e dijes, kjo betejë është zhvilluar dhe drejtuar pikërisht nga doktrina e së ‘vërtetës relative’”.
REVOLUCION. Në politikë, përmbysje e dhunshme; në mendim dhe në shkencë, një paradigmë e re.
RILINDJE (Europiane). Me Rilindjen bota pushoi së qeni një botë e shpirtrave; ajo u bë një botë e sendeve realë dhe e veprimeve praktike të njeriut që bëjnë kuptim për të—me fjalë të tjera, një botë e eksperiencave të tij reale.
RINIA. Një periudhë e jetës, por edhe një gjendje e mendjes sonë. Njerëzit e shkuar në moshë që kanë gjallëri dhe jetë brenda tyre, janë më të rinj sesa më të rinjtë që janë plakur në shpirtin e tyre. Të jesh 60 vjeç dhe i ri është një gjë shumë më e bukur dhe më e gëzueshme sesa të jesh 33 vjeç, por i vjetër. Edhe pas të gjashtëdhjetave ne mund t’i vlerësojmë dhe jetojmë vitet që vijnë si një projeksion i viteve të rinisë, nëse u qëndrojmë besnikë ëndrrave të rinisë sonë.
RUSIA. Një shtet “dualist”, i cili duket se nuk i shpëton dot një kombinimi fatal të realiteteve të vjetër dhe atyre të rinj. Politika e saj ka reflektuar dhe vazhdon të reflektojë sensin e identitetit të Rusisë dhe të vendit të saj në botë si një shtet sui generis në hapësirën euro-aziatike. E shtrirë në një hapërisë gjigande mes Europës dhe Azisë, Rusia ka përjetuar shpesh herë në historinë e saj një identitet të dyzuar, të krijuar, nga njëra anë, prej trashëgimisë së periudhës mongole në shekullin e 13-të dhe, nga ana tjetër, prej reformave të frymëzuara nga Perëndimi që kanë ndërmarrë kohë pas kohe carët dhe udhëheqësit e Kremlinit, qysh nga Pjetri i Madh, Katerina e Madhe dhe Aleksandri II, deri te Gorbaçovi.
SEKS. Seksi nuk është thjesht seks; ai është lojë, ëndërr, muzikë, marrëdhënie, virtyt, energji, emocion, ndjenjë, armë, humbje, shpresë, kënaqësi, gëzim—të gjitha këto së bashku dhe, shumë herë, një liman i këndshëm, në të cilin njeriu e ka vazhdimisht të nevojshme të tërhiqet përkohësisht për t’iu shmangur veprimtarive të rëndomta dhe shqetësimeve të jetës së përditshme. Seksi është një gjë po aq njerëzore dhe e domosdoshme për njeriun, sa edhe çdo gjë tjetër në jetën e tij—frymëmarrja, të menduarit, të ushqyerit, të ushtruarit fizikisht, të bërit art. Çudia është që, edhe pse ne nuk mund të bëjmë dot pa seks, ende ngurrojnë ta bëjmë seksin subjekt të bisedave të përditshme, si çdo subjekt tjetër—mendimet që kemi, ushqimet që hamë, veprimet që kryejmë, punët që bëjmë, gjërat që duam. Jo më kot thuhet se një ndër meritat e Frojdit ishte se ai e gjeti seksin një jetim të braktisur në kasolle dhe e bëri atë një mysafir të nderuar në dhomën e miqve.
SEKSUALITET. Seksualiteti ka qenë një subjekt i përhershëm i filozofisë, i psikologjisë, i mjekësisë, i sociologjisë, i letërsisë, i arteve dhe i interesimeve më të gjera të njerëzimit në të gjitha epokat e historisë së tij, për shkak se ai ka qenë dhe mbetet një ndër forcat më motivuese e më misterioze në jetën e çdo individi dhe të çdo shoqërie. Mistika që rrethon seksualitetin njerëzor dhe interdikti që e ka penguar dhe kufizuar për shekuj me radhë shprehjen e lirë të tij do të kishin vazhduar t’i mbanin në pranga individin dhe shoqërinë po të mos kishin qenë Freud, Reich, Kinsey, Simone de Beauvoir e të tjerë.
SEKULARIZËM. Sekularizmi duhet të jetë një tipar thelbësor i shkollës. Ai i mbron nxënësit nga prolesitizmi dhe nga çdo presion ose përpjekje që do të mund t’i pengonte ata të zhvillonin aftësitë e të arsyetuarit racional e kritik dhe të bënin lirisht zgjedhjet e tyre në jetë. Ky është projekti i madh—dhe ende i papërfunduar—i modernitetit, një projekt për racionalizimin, sekularizimin dhe modernizimin e shoqërisë, si e vetmja rrugë e progresit të njerëzimit. Ai mbështetet në zhvillimin e shkencës, të arteve e të teknologjisë dhe në një rol gjithnjë e më vogël të fesë, si një çështje gjithnjë e më shumë private e individit. Ky projekt është pikërisht ajo çfarë Jean-François Lyotard e quante “narrativë e madhe e emancipimit”.
SERBIA. Në të kaluarën ka qenë qendra gjeografike dhe politike e Ballkanit, por edhe arsyeja metafizike e tragjedisë së popujve të këtij rajoni.
SISTEM. Rregull, hierarki.
SIXTIES (The). Vitet 1960. Një nga ato periudha që Hegeli i quante “momente unike” të historisë. The Sixties mund të thuhet se nisën me vrasjen e presidentit John F. Kennedy, më 1963, dhe mbaruan me dorëheqjen e presidentit Richard Nixon, më 1974. Qendra vullkanike e asaj dekade u bë viti 1968, pasi ai vit njohu shumë tërmete politikë—disfata për ushtrinë amerikane në Vietnam dhe dy vrasje tragjike (Martin Luther King, Jr. dhe Robert Kennedy.) Këto dy vrasje politike shkaktuan protesta të mëdha në të gjithë Amerikën, sulme ndaj autoriteteve dhe protesta ndaj luftës në Vietnam, si dhe një lëvizje të gjerë studentore, që herë-herë mori trajta të dhunshme. Lëvizja e hipive, që kish nisur në fillim të viteve 1960, u zgjerua dhe u përhap si një kundërkulturë në mbarë Amerikën. Ethosi i asaj lëvizjeje u bënë të jetuarit në komunitet dhe në harmoni me natyrën, dashuria e lirë, eksperimentimi artistik, veçanërisht në muzikë, dhe përdorimi gjerësisht i substancave narkotike. Vitet 1960 shënuan një kthesë 180 gradë në jetët e dhjetëra milionë amerikanëve dhe në mbarë botën.
SOCIOLOG (Sociologji). Perspektiva sociologjike nënkupton një proces të të parit përmes, apo përtej fasadës së strukturës sociale të shoqërisë (Peter Berger). Prej këtej rrjedh se, sociologu nuk sheh dukuri që askush tjetër nuk i vë re; ai sheh të njëjtat dukuri, por në një mënyrë tjetër. Në dallim nga njerëzit e zakonshëm, sociologu u qaset ngjarjeve dhe dukurive të realitetit shoqëror nga një perspektive që ndryshon prej eksperiencave individuale të njerëzve, ose prej asaj që e konsiderojmë “dije konvencionale” (conventional wisdom), apo “gjykim i zakonshëm” (common sense). Sociologu e sheh dhe e studion shoqërinë si një kompleks marrëdhëniesh njerëzore, ose si një sistem ndërveprimesh mes anëtarëve të saj. C. Wright Mills besonte se ajo çfarë sociologu duhet të bëjë për individin është që “t’i shndërrojë shqetësimet e tij personale në çështje sociale dhe në probleme që janë të hapura ndaj arsyes”; dhe ajo çfarë ai duhet të bëjë për shoqërinë është që të luftojë të gjitha ato forca, që po e shkatërrojnë publikun e vërtetë dhe po krijojnë një shoqëri masive”.
SKEPTICIZËM. Skepticizmi gjithmonë i ka hapur rrugë progresit intelektual. Çdo hap përpara në rrugën e qytetërimit është bërë përmes rishqyrtimit të dijeve dhe besimeve të vjetra dhe zëvendësimit të miteve me shpjegimin e shkaqeve natyrorë të dukurive.
SOKRATI. I pari dhe më i madhi mësues që ka njohur historia. Edhe sot aktual.
SPORT. Gjithnjë kam besuar se sportet janë krijuar, përveçse si një mënyrë argëtimi për ata që i ushtrojnë dhe i shohin, edhe si një valvul për shkarkimin e energjive fizike njerëzore, të cilat, në mungesë të sporteve, do të prodhonin më shumë dhunë në shoqëri.
SYTË. Pasqyrë e karakterit.
SHAKESPEARE (William). A do të ketë ndonjëherë një shkrimtar më të madh se ai?
SHËNDETI. I domosdoshëm për një jetë të mirë, i pamjaftueshëm për një jetë të lumtur.
SHËNIM. “Një poet kurrë nuk mban shënime. Askush s’mban shënime në një marrëdhënie dashurie” (Robert Frost).
SHKENCA. Ekziston dhe zhvillohet gjithmonë si një proces vetëkorrigjues. Që të pranohen gjerësisht, idetë e reja duhet t’u qëndrojnë standardeve më rigorozë të mbledhjes e të ekzaminimit të fakteve.
SHKENCAT SOCIALE. Lindja e tyre kishte si parakusht modernitetin, që është telosi i tyre. Synimi i tyre është që të ofrojnë perceptime dhe ide kritike, jo thjesht fakte; të prodhojnë dije, jo siguri. Një gabim esencial nga i cili duhet të ruhen studiuesit e shkencave sociale është të mos u shpjegojnë njerëzve gjëra që këta tashmë i dinë.
SHOK. Një shok i vërtetë është shumë i rrallë, ndaj edhe i çmuar.
TEKNOLOGJI. Si shumë tipare të tjera të shoqërisë moderne, teknologjia është një thikë me dy presa. Ajo mund të na çlirojë, por edhe mund të na skllavërojë. Për Marksin, gjithçka varet nga fakti se kush e kontrollon atë. George Simmel, gjithashtu, e shihte teknologjinë si një mjet, me të cilin mund të zhvillojmë individualitetin tonë, por edhe si një faktor që na ndan nga njerëzit e tjerë. Përdorimi i kompjuterit dhe i Internetit, për shembull, në mënyrë paradoksale na bën më individualistë e më të mbyllur por, në të njëjtën kohë, mundëson krijimin e marrëdhënieve me njerëz të tjerë dhe i bën jetët tona më publike dhe, shumë herë, edhe më të pasura. Ai ka një potencial dezintegrues, por edhe një potencial të madh integrues për individin në shoqëri.
TRISHTIM. Ndjesi që lexohet te sytë, njëlloj si gëzimi.
TURP. Turpi nuk është thjesht një emocion individual; ai është, gjithashtu, një mjet kontrolli dhe ndëshkimi shoqëror, që imponon përshtatje me normat sunduese të shoqërisë. Si i tillë, turpi është një emocion tipik për kulturat kolektiviste, pasi ai përjetohet si një marrëdhënie e individit me komunitetin, në dallim nga faji, një emocion tipik për shoqëritë moderne, i cili përjetohet individualisht.
THASHETHEM. Informacion që i jepet, ose opinion që i shprehet dikujt për njerëz të tjerë ose për ngjarje në mungesë të fakteve ose të provave për vërtetësinë e tyre. Antropologët thonë se dy të tretat e bisedave të njerëzve janë thashetheme për njerëz të tjerë.
UDHËTIM. Ashtu si dituria dhe mosha, udhëtimet e maturojnë njeriun.
UNIVERSITET. Çdo universitet pretendon se synon ekselencën, por pak prej tyre e arrijnë këtë.
URTËSI. Të flasësh vetëm atëherë kur ke diçka për të thënë, jo sepse do që të thuash diçka. Një pjesë e madhe e atyre që i quajmë “opinionistë” ose “analistë”, shfaqen e flasin në studiot e emisioneve televizive në këtë vend sepse duan të thonë diçka, pavarësisht sa dinë e ç’thonë.
URREJTJE. Ndjenjë që e kanë vetëm njerëzit, jo kafshët.
UTOPI. Në greqishten e vjetër kjo fjalë ka dy kuptime: ou topos (askund) dhe eu topos (vend i mirë). Një vend i mirë që nuk ekziston. E përdorur për herë të parë nga Thomas More, fjala utopi është bërë një fjalë e përbashkët në të gjitha gjuhët e kultivuara të botës, që nënkupton një fantazi, ose të një ëndërr të parealizueshme.
VALLËZIM. Kushdo duhet të mësojë të vallëzojë. Dhe të mos harrojë të vallëzojë.
VDEKJA. Është më e mirë kur vjen papritur (dhe kur nuk mendon për të).
VEPRIM. Këshillohet që të vijë pas të menduarit, jo para tij.
VES. Vesi më i keq që kam njohur te njerëzit është të moslexuarit.
VIP (Very Important Person). Një person krejt i parëndësishëm për shumicën e njerëzve.
VIRGJËRI. Një mit mizor.
VIRTYT. Për të qenë i virtytshëm, i pëlqyer nga të tjerët, i suksesshëm dhe i lumtur në jetë, askush nga ne nuk ka nevojë për fenë dhe për mësimet e saj. Në mënyrë kategorike unë mohoj çdo varësi të sjelljes së virtytshme nga feja dhe besimi në një Zot Abrahamik, ose në ndonjë fuqi tjetër mbinatyrore. Morali nuk është një “territor” që i përket vetëm fesë. Njerëzit që nuk besojnë në ndonjë fe janë po aq të moralshëm e të virtytshëm sa dhe ata që besojnë.
XHELOZI. Pasion i dëmshëm dhe frikshëm për këdo që e ka.
XHENTËLLMEN. Rrallë kam njohur xhentëllmenë të vërtetë dhe nuk di nëse ka ende burra që mund t’i konsideronim të tillë.
ZOT. Çështja e ekzistencës së Zotit, e kuptuar si demiurg, ose si një arkitekt i padukshëm i botës dhe si fuqia që drejton çdo gjë që ndodh në të, nuk mund të shtrohet ontologjikisht dhe as të provohet empirikisht. Pavarësisht përfytyrimit që kanë pasur ose kanë për Zotin popuj të ndryshëm, ai ekziston si një besim dhe si një bindje individuale e njerëzve të veçantë.
Burimi