Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës thyen rekord: Mbi 1 milion pasagjerë brenda muajit

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës thyen rekord: Mbi 1 milion pasagjerë brenda muajit

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka arritur një shifër rekord prej 1,067,405 pasagjerësh në qershor të këtij viti. Kjo shifër e jashtëzakonshme e tejkalon numrin e pasagjerëve të qershorit të vitit të kaluar prej 667,521, duke shënuar një rritje prej 61.6%% nga viti në vit.
Periudha nga janari deri në qershor 2024 ka gjithashtu një rritje të jashtëzakonshme, duke mirëpritur 4,790,368 pasagjerë, krahasuar me 2,894,358 pasagjerë gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2023. Kjo rritje prej 65% nga viti i kaluar, pasqyron kapacitetin e zgjeruar të TIA-s, shërbimet e përmirësuara dhe investimet strategjike për të përmirësuar përvojën e pasagjerëve.
Gjithashtu, është zgjeruar ndjeshëm zgjedhja e destinacioneve si në qytete të mirënjohura të Europës, ashtu edhe në destinacione të largëta. Disa prej destinacioneve të reja, më të spikatura janë Nisa në Francë, Rodhos dhe Heraklion në Greqi, Barcelona dhe Valencia në Spanjë, Bukureshti në Rumani, Bodrum, Antalia dhe Stamboll në Turqi, Abu Dabi në Emiratet e Bashkuara Arabe si edhe një larmishmëri shumë e madhe destinacionesh drejt Italisë dhe vendeve të tjera Europiane.
Suksesi në rritje i TIA-s i dedikohet strategjisë së Kastrati Group për të zgjeruar dhe modernizuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nëpërmjet investimeve infrastrukturore, partneriteteve strategjike me linjat ajrore dhe përmirësimeve të vazhdueshme në shërbimin ndaj klientit.
“Tejkalimi i 1 milion pasagjerëve dhe më shumë se 5850 lëvizje avionësh në një muaj të vetëm, nuk është vetëm një dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit të të gjithë punonjësve dhe profesionistëve të TIA-s, por vërteton se investimet thelbësore të bëra në infrastrukturat ajrore, zgjerimi i terminalit dhe pajisjet e sigurisë, janë duke dhënë rezultatet e pritshme. Në TIA, të gjithë janë të përkushtuar për të ofruar standardet më të larta në funksionimin e aeroportit, duke respektuar rregulloret e sigurisë nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar,” u shpreh Piervittorio Farabbi, Drejtori Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka bërë hapa të rëndësishëm duke patur rritjen më të shpejtë nga periudha sfiduese e pandemisë COVID-19, duke ofruar një shërbim ekselet dhe duke zgjeruar rrjetin e destinacionave. Kjo tashmë e ka pozicionuar aeroportin si një qendër kryesore të aviacionit në rajon.
i.b/dita
Burimi