Day: July 25, 2025

  • Katalogu i  Ozzy Osbourne rikthehet në klasifikimet muzikore britanike

    Katalogu i  Ozzy Osbourne rikthehet në klasifikimet muzikore britanike

    Katalogu muzikor i Ozzy Osbourne dhe grupit të tij “Black Sabbath“ është ngjitur ndjeshëm në klasifikimet muzikore të Britanisë pas vdekjes  tre ditë më parë  të yllit të rrymës muzikore  “Heavy Metal”.

    Kënga e famshme e Black Sabbath, “Paranoid”, e cila arriti vendin e katërt në vitin 1970, është rikthyer në Top 40 (në vendin e 32-të) për herë të parë pas gati 45 vitesh, njoftoi “Official Charts Company”.

    “The Ultimate Collection” i “Black Sabbath” është rikthyer në klasifikimin e albumeve, duke u ngjitur me 129 pozicione në vendin e 22-të.

    Është njëra nga gjashtë daljet muzikore të Black Sabbath dhe Osbourne që gjenden këtë javë në top 200, përfshirë albumin “Paranoid” (1970) në vendin e  52-të, përmbledhjen e hiteve të Osbourne nga viti 2014 “Memoirs Of A Madman” në vendin 60-të, “Prince Of Darkness” në vendin 71 dhe albumin “Mob Rules” të Sabbath në vendin 107-të.

    Oyyz Ozbourne, vdiq të martën, në moshën 76 vjeç.  Ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit dhe nga disa probleme të tjera shëndetësore vitet e fundit,  përfshirë disa  ndërlikime nga një kolaps në vitin 2019. /atsh/ KultPlus.com

  • Miranda Priestly dhe Andrea Sachs, djalli vishte Prada dhe po vesh sërish

    Miranda Priestly dhe Andrea Sachs, djalli vishte Prada dhe po vesh sërish

    Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Miranda Priestly dhe Andrea “Andy” Sachs janë rikthyer për të pushtuar rrugët e New Yorkut. Ato luhen, sigurisht, nga aktoret legjendare Meryl Streep dhe Anne Hathaway. Meryl Streep u fotografua gjatë xhirimeve të filmit shumë të pritur “The Devil Wears Prada 2” më 23 korrik.

    Mes aktorëve që janë parë duke xhiruar është edhe Stanley Tucci, që rikthehet në rolin e tij si Nigel Kipling. Po ashtu në kast janë Simone Ashley, Pauline Chalamet dhe Helen J. Shen. Tracie Thoms dhe Tibor Feldman gjithashtu rikthehen, ndërsa disa fytyra të reja i janë bashkuar filmit, përfshirë Kenneth Branagh, që do të luajë bashkëshortin e Mirandës, si dhe Lucy Liu, Justin Theroux, B.J. Novak, Pauline Chalamet, Rachel Bloom dhe Patrick Brammall.

    Filmi origjinal i vitit 2006, një klasik kulti për satirën e tij të mprehtë mbi botën e pamëshirshme të modës, përfundoi me largimin e Andy nga revista Runway për një punë në një gazetë në New York. Tani, fansat do të kenë mundësinë të shohin se ku janë Miranda dhe Andy në një peizazh mediatik tërësisht të ndryshuar. Në vazhdim, Miranda përballet me një konkurrencë të ashpër për të ardhura nga reklamat, dhe për çudi, përballë saj është ish-asistentja e saj me gjuhë të mprehtë, Emily Charlton (Emily Blunt), e cila tani është një ekzekutive e fuqishme në industrinë e modës.

    Së fundmi, Hathaway shkaktoi një “stuhi” në internet pasi ndau një foto të vetes si Andy në vitin 2025, e veshur me një kostum me vija dhe një buzëqeshje të ndritshme. Imazhi, i shënuar me “Andy Sachs 2025 #dwp2”, u bë menjëherë viral.

    David Frankel, regjisori i filmit të parë, është rikthyer në regji, duke punuar me skenarin e Aline Brosh McKenna, e cila shkroi edhe origjinalin. Producentet Wendy Finerman dhe Karen Rosenfelt janë pjesë e ekipit, ndërsa 20th Century Studios planifikon ta publikojë filmin më 1 maj 2026./Glamour/KultPlus.com

  • Festivali Galway, zemra kulturore e Irlandës

    Festivali Galway, zemra kulturore e Irlandës

    Në Irlandë, qyteti bregdetar i Galway çdo verë shndërrohet në një skenë të hapur të artit dhe krijimtarisë ndërkombëtare. Galway International Arts Festival (GIAF), është një ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në Evropë dhe një pikë takimi për artistë, krijues dhe spektatorë nga mbarë bota.

    Me një program të pasur prej mbi 200 aktivitetesh të shpërndara në harkun e dy javëve, festivali që nga data 14 korrik deri më 27 korrik, ofron një përvojë të gjithanshme që përfshin teatër, muzikë, arte pamore, instalacione bashkëkohore, performanca rrugore dhe ngjarje letrare. Nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit, galeritë intime dhe sallat historike të teatrit, publiku përjeton një përzierje të veçantë të traditës dhe risisë, të kulturës lokale dhe asaj globale, përcjellë KultPlus.

    Ky festival jo vetëm që sjell në skenë emra të njohur ndërkombëtarë, por shërben edhe si një platformë për të promovuar talentet e reja, duke krijuar ura mes brezave dhe stileve të ndryshme artistike. GIAF është një reflektim i shpirtit krijues të Galway, një qytet i vogël për nga përmasat, por i madh në ndikim kulturor.

    Atmosfera gjatë festivalit është e gjallë, me mijëra vizitorë që mbushin kafenetë, sheshet dhe baret e qytetit, duke ndarë pasionin për artin dhe kulturën. Në një botë gjithnjë e më të ndarë, Galway International Arts Festival mbetet një shembull i fuqisë bashkuese të artit dhe një kujtesë se kultura është zemra e çdo komuniteti./KultPlus.com

  • Përfshihet nga zjarri nënstacioni i Ibës, OSSH stakon energjinë në disa zona

    Përfshihet nga zjarri nënstacioni i Ibës, OSSH stakon energjinë në disa zona

    Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga një mot me temperatura të larta, duke arritur sot nivelin e 40 gradë celsius.
    Regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve për shkak kushteve atmosferike ka dhënë efekt në rënien e zjarrit tek transformatori i fuqisë 110/10kv të nënstacionit Ibë, Tiranë. Reagimi i menjëhershëm i brigadave të zjarrëfikëses dhe stafit të drejtorisë së Tensionit të Lartë të OSSH solli shuarjen e shpejtë të zjarrit, duke minimizuar dëmet, ndërsa nuk ka asnjë të dëmtuar nga ana e personelit.
    Stakimi i nënstacionit Ibë, ndikoji në ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të zonave Bërzhitë, Mullet, Baldushk, Ibë dhe Krrabë. Në një pjesë të këtyre zonave energjia u rikthye brenda një kohë të shpejtë si rrjedhojë e lidhjeve në unazë me fidera të tjerë që dalin nga nënstacioni Farkë.
    OSSH ka shtuar grupet në objekt për të vepruar me ritme më të shpejta, për zgjidhjen e plotë të avarisë.
    Ndërkohë, OSSH ka rritur masat e gatishnërisë në rang vendi për shkak të rritjes së temperaturave. Në disa zona prania e zjarreve ka detyruar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes të stakojë energjinë elektrike si masë e nevojshme sigurie.
    “OSHEE Group kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve për ndërprerjet e energjisë elektrike, të ndikuara nga faktorë natyrorë dhe shprehet se vijon të jetë e angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e shpejtë të problematikave me rrjetin e shpërndarjes”, thekson në një komunikim për mediat OSHEE.

  • Dy adoleshentë dënohen me burgim të përjetshëm në Britani për vrasjen e një 14-vjeçari në autobus

    Dy adoleshentë dënohen me burgim të përjetshëm në Britani për vrasjen e një 14-vjeçari në autobus

    Dy adoleshentë të lidhur me bandat, të moshës 15 dhe 16 vjeç, u dënuan sot me burgim të përjetshëm për vrasjen e një djali 14-vjeçar në një autobus në janar.

    Sulmi brutal, i cili ndodhi në mes të ditës dhe u pasua nga rrëfimi i nënës së viktimës për përfshirjen e djalit të saj në bandat e rrugës, ka ringjallur një debat publik rreth plagës së krimit të dhunshëm me thikë në Britani dhe “shkëlqimit” që bandat kanë për disa të rinj.
    Kelian Bokassa, 14 vjeç, u vra më 7 janar në lagjen Woolwich në jug të Londrës.
    Dy të pandehurit pranuan fajësinë për vrasje. Sot, një gjykatës i dënoi ata me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 15 vjetësh e 10 muajsh për të vuajtur dënimin.
    “Në këtë rast, është e qartë se qëllimi juaj ishte të vrisnit”, tha gjykatësi Mark Lacraft, duke shprehur keqardhjen e tij për “një tjetër humbje të pakuptimtë jete”. Ai kujtoi se dy adoleshentët kishin përvetësuar “kulturën e bandave” dhe ishin dënuar tashmë në të kaluarën për posedim thikash në një vend publik.
    Njëri prej të dyve, megjithatë, ishte identifikuar nga autoritetet si “viktimë e skllavërisë moderne” dhe “shfrytëzimit”. I dyti “u rrit dhe u shfrytëzua nga bandat që nga mosha 12 vjeç”, përshkroi ai.
    Më parë, nëna e Kellyanne-s, Marie Bokassa, pyeste veten “çfarë mund t’u kishte ndodhur këtyre djemve që i bëri të kryenin një akt kaq të tmerrshëm dhe të dhunshëm”.
    “Të paktën djali im po prehet në paqe dhe këta dy djem do ta kenë shumë të vështirë”, shtoi ajo.
    Bokassa i kishte thënë shtypit britanik se edhe djali i saj ishte i përfshirë në banda, pavarësisht përpjekjeve të saj për ta distancuar atë nga këto grupe.
    Vitin e kaluar, dhjetë adoleshentë u vranë në sulme me thikë në Londër. Në vitin 2023, numri i viktimave ishte edhe më i lartë, duke arritur në 18.

    Top Channel

  • Mesfushori shqiptar kthehet në çështje te klubi belg, reagon trajner: Jashari te Milani? Shumë shpejt gjithçka do të…

    Mesfushori shqiptar kthehet në çështje te klubi belg, reagon trajner: Jashari te Milani? Shumë shpejt gjithçka do të…

    Çështja Ardon Jashari vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në ambientin e Club Brugge, por trajneri Nicky Hayen ka dhënë sinjale për qartësim të afërt.

    Në konferencën për shtyp para ndeshjes së Pro League kundër Genk, tekniku i belgëve konfirmoi rikthimin e mesfushorit me origjinë shqiptare në grupin stërvitor, duke theksuar se: “Jashari? Gjithçka do të sqarohet së shpejti.”
    Jashari kishte munguar në foton zyrtare të ekipit disa ditë më parë, duke nxitur spekulime për largimin e afërt drejt Milanit, por trajneri Hayen qetësoi situatën: “Ai është stërvitur me ne për dy ditë dhe po shkon mirë: ai sjell cilësi dhe është e këndshme të jesh me të. Ajo që ndodh mbi kokat tona është përtej kontrollit tonë, nuk jam i shqetësuar për këtë situatë.”
    Në vijim, Hayen shtoi me qartësi: “Ardon ka një kontratë deri në vitin 2029 dhe kërkesat e klubit janë të qarta: klubet që e duan atë duhet t’i plotësojnë ato. Pastaj janë dëshirat e lojtarit… dhe aty qëndron problemi. Ne duam t’u ofrojmë lojtarëve mundësinë e transferimit nëse është e duhura, gjë që fiton respektin e klubeve të tjera. Megjithatë, gjithçka do të bëhet e qartë së shpejti.”
    Ndërkohë, për të zhbllokuar ngërçin që po zgjat me javë, Milani është i gatshëm të ndryshojë strukturën e ofertës së tij, duke e mbajtur totalin prej 37 milionë euro, por me një shumë fikse prej 35 milionë eurosh dhe 2 milionë euro bonuse, duke iu afruar ndjeshëm kërkesës prej 40 milionë euro të Brugge.
    Në lidhje me mundësinë që një tjetër ofertë e Milanit të refuzohet, Hayen përfundoi: “E gjithë kjo duhet të diskutohet në një dialog të hapur. Varet nga gjendja e çështjes dhe nevojat e të gjithëve.”
    Për momentin, topi mbetet në fushën e drejtuesve të Brugge dhe Milanit, ndërsa Jashari vijon përgatitjet me grupin, në pritje të një verdikti përfundimtar.

    Top Channel

  • Temperaturat e larta, përfshihet nga zjarri nënstacioni i Ibës! OSSH stakon energjinë në disa zona si masë sigurie

    Temperaturat e larta, përfshihet nga zjarri nënstacioni i Ibës! OSSH stakon energjinë në disa zona si masë sigurie

    Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga një mot me temperatura të larta, duke arritur sot nivelin e 40 gradë celsius.

    Regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve për shkak kushteve atmosferike ka dhënë efekt në rënien e zjarrit tek transformatori i fuqisë 110/10kv të nënstacionit Ibë, Tiranë. Reagimi i menjëhershëm i brigadave të zjarrëfikëses dhe stafit të drejtorisë së Tensionit të Lartë të OSSH solli shuarjen e shpejtë të zjarrit, duke minimizuar dëmet, ndërsa nuk ka asnjë të dëmtuar nga ana e personelit.
    Stakimi i nënstacionit Ibë, ndikoji në ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të zonave Bërzhitë, Mullet, Baldushk, Ibë dhe Krrabë. Në një pjesë të këtyre zonave energjia u rikthye brenda një kohë të shpejtë si rrjedhojë e lidhjeve në unazë me fidera të tjerë që dalin nga nënstacioni Farkë.
    OSSH ka shtuar grupet në objekt për të vepruar me ritme më të shpejta, për zgjidhjen e plotë të avarisë.
    Ndërkohë, OSSH ka rritur masat e gatishnërisë në rang vendi për shkak të rritjes së temperaturave. Në disa zona prania e zjarreve ka detyruar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes të stakojë energjinë elektrike si masë e nevojshme sigurie.
    “OSHEE Group kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve për ndërprerjet e energjisë elektrike, të ndikuara nga faktorë natyrorë dhe shprehet se vijon të jetë e angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e shpejtë të problematikave me rrjetin e shpërndarjes”, thekson në një komunikim për mediat OSHEE.

    Top Channel

  • Bisedimet midis qeverisë siriane dhe kurdëve do të nisin së shpejti në Paris

    Bisedimet midis qeverisë siriane dhe kurdëve do të nisin së shpejti në Paris

    Franca, Siria dhe SHBA-të kanë rënë dakord që të zhvillohet ‘sa më shpejt të jetë e mundur’ një raund i ri bisedimesh midis qeverisë siriane dhe autoriteteve autonome kurde, me synim integrimin e kurdëve në shtetin sirian.

    Sipas një deklarate të përbashkët të publikuar pas një takimi të mbajtur në Paris mes ministrit të Jashtëm francez Jean-Noël Barrot, homologut të tij sirian Asaad al-Shibani dhe të dërguarit të posaçëm amerikan Tom Barrack, u ra dakord që kryeqyteti francez të presë ‘sa më shpejt që të jetë e mundur’ një raund të ri bisedimesh mes qeverisë siriane dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF), me qëllim zbatimin e marrëveshjes së 10 marsit.

    Më 10 mars, Mazloum Abdi, kreu i SDF (krahu i armatosur i kurdëve të mbështetur nga SHBA) dhe presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sarra, ranë dakord që institucionet kurde të integrohen në shtetin sirian.

    Pas kësaj marrëveshjeje kanë pasuar disa raunde negociatash, por zbatimi i saj po vonohet, me kurdët që kritikojnë deklaratën kushtetuese që i dha kompetenca të plota Sarra-s, si dhe përbërjen e qeverisë së re, të cilën e konsiderojnë si jo përfaqësuese për diversitetin etnik dhe fetar të Sirisë.

    Kurdët kërkojnë të ruajnë një model qeverisjeje të “decentralizuar”, diçka që Damasku e kundërshton.

    Takimi i parashikuar për të enjten në Paris mes përfaqësuesve kurdë dhe një delegacioni të qeverisë siriane u shty.

    Të mërkurën, zëdhënësi i SDF-së, Farhad Sami, deklaroi se ‘dorëzimi i armëve është vijë e kuqe’ për kurdët.

    “Askush nuk do të bindet. Kushdo që llogarit në dorëzimin (e forcave kurde) do të dështojë, ngjarjet tragjike e kanë provuar këtë”, tha ai, duke iu referuar përleshjeve të fundit mes beduinëve dhe druzenjve në Suvejda, ku u vranë 1.400 njerëz.

    Pas këtyre trazirave, një figurë e lartë e kurdëve sirianë i bëri thirrje Damaskut ‘të rishikojë plotësisht dhe urgjentisht’ qasjen e tij ndaj pakicave. Syri.net-CNN.gr

  • Greqi/ Temperaturat arrijnë në gati 46 gradë Celsius

    Greqi/ Temperaturat arrijnë në gati 46 gradë Celsius

    Vala e të nxehtët në Greqi, që nisi të hënën, tani pritet të zgjasë më shumë se një javë, teksa shërbimi i motit tha se vendi u përball me temperatura afër 46 gradë Celsius më 25 korrik.

    Vëzhguesi Kombëtar në Athinë tha se temperatura më e lartë u regjistrua në rajonin Mesinia, ku u shënua 45.8 gradë Celsius.

    Në Athinë, në disa pjesë u regjistruan temperatura deri në 42 gradë.

    Zyrtarët sërish kanë modifikuar orët kur vizitorët mund të vizitojnë Akropolin, vendin kryesor arkeologjik në Greqi, me qëllim të sigurisë së vizitorëve dhe stafit.

    Akropoli mbetet i mbyllur për vizitorë nga mesdita deri në orën 17:00, pra në orët më të nxehta të ditës.

    Agjencia greke për motin, ka modifikuar njoftimin e saj, duke thënë se temperaturat do të nisin të bien pas 28 korrikut. Paraprakisht, kjo agjenci kishte parashikuar se gjatë fundjavës temperaturat do të uleshin.

    Po ashtu, kjo agjenci tha se do të ketë erëra nga veriu të premten, duke rritur rrezikun për zjarre. Një zjarr që shpërtheu gjatë kësaj jave shkatërroi mbi 1.130 hektarë tokë pyjore pranë fshatit Feneos.

    Ndërkaq, të premten për shkak të një zjarri në afërsi të qytetit Kilkis, në veri të Greqisë, autoritetet evakuuan një universitet, shtëpi dhe biznese. Të shtunën, temperaturat në Greqi pritet të arrijnë në 44 gradë Celsius.

    Në Shqipërinë fqinje janë dhjetë zjarre aktive, përfshirë një në Delvinë, afër kufirit me Greqinë. Një tjetër zjarr në Kakavijë, afër pikëkalimit kufitar me Greqinë, u vu nën kontroll të enjten.

    Ndërkaq, Kosova po ashtu po përballet me temperatura të larta dhe të premten në Klinë u regjistrua temperatura më e lartë prej 42.5 gradë Celsius.