Day: July 25, 2025

  • ‘Çmendet’ moti/ Temperaturat në  këtë vend arrijnë në gati 46 gradë Celsius

    ‘Çmendet’ moti/ Temperaturat në këtë vend arrijnë në gati 46 gradë Celsius

    Vala e të nxehtët në Greqi, që nisi të hënën, tani pritet të zgjasë më shumë se një javë, teksa shërbimi i motit tha se vendi u përball me temperatura afër 46 gradë Celsius më 25 korrik.
    Vëzhguesi Kombëtar në Athinë tha se temperatura më e lartë u regjistrua në rajonin Mesinia, ku u shënua 45.8 gradë Celsius.
    Në Athinë, në disa pjesë u regjistruan temperatura deri në 42 gradë.
    Zyrtarët sërish kanë modifikuar orët kur vizitorët mund të vizitojnë Akropolin – vendin kryesor arkeologjik në Greqi, me qëllim të sigurisë së vizitorëve dhe stafit.
    Akropoli mbetet i mbyllur për vizitorë nga mesdita deri në orën 17:00, pra në orët më të nxehta të ditës.
    Agjencia greke për motin, ka modifikuar njoftimin e saj, duke thënë se temperaturat do të nisin të bien pas 28 korrikut. Paraprakisht, kjo agjenci kishte parashikuar se gjatë fundjavës temperaturat do të uleshin.
    Po ashtu, kjo agjenci tha se do të ketë erëra nga veriu të premten, duke rritur rrezikun për zjarre.
    Një zjarr që shpërtheu gjatë kësaj jave shkatërroi mbi 1.130 hektarë tokë pyjore pranë fshatit Feneos.
    Ndërkaq, të premten për shkak të një zjarri në afërsi të qytetit Kilkis, në veri të Greqisë, autoritetet evakuuan një universitet, shtëpi dhe biznese.
    Të shtunën, temperaturat në Greqi pritet të arrijnë në 44 gradë Celsius.
    Në Shqipërinë fqinje janë dhjetë zjarre aktive, përfshirë një në Delvinë, afër kufirit me Greqinë.
    Një tjetër zjarr në Kakavijë, afër pikëkalimit kufitar me Greqinë, u vu nën kontroll të enjten.
    Ndërkaq, Kosova po ashtu po përballet me temperatura të larta dhe të premten në Klinë u regjistrua temperatura më e lartë prej 42.5 gradë Celsius./REL

  • Milani i ri ngjall interes te tifozët, interesim i lartë abonimesh

    Milani i ri ngjall interes te tifozët, interesim i lartë abonimesh

    Milani duket se ka ngjallur shpresë te tifozët për sezonin e ri. Deri më tani klubi kuqezi ka siguruar 30 mijë abonime sezonale të tifozëve. Një interesim i lartë për klubin e njohur italian, që deri më tashmë e ka “San Siron” gjysmë të mbushur. Të abonuarit e vjetshëm kanë konfirmuar praninë e tyre në stadium në këtë fazë të parë të abonimeve.
    Ndërkaq mbeten ende më tepër se 20 ditë nga nisja e sezonit për kuqezonjtë, çka jep shpresë se numri i abonimeve për edicionin 2025/2026 do të jetë më i lartë se ai i një edicioni më parë. Sezonin e shkuar Milani regjistroi 40 mijë abonime sezonale. Pavarësisht dështimit në sezonin e fundit, tifozët nuk e kanë braktisur skuadrën./Sport Ekspres/

  • “Mori në kurriz një fëmijë dhe një plak mes flakëve”, dëshmitarët tregojnë për shefin i komisariatit që u lëndua

    “Mori në kurriz një fëmijë dhe një plak mes flakëve”, dëshmitarët tregojnë për shefin i komisariatit që u lëndua

    Historia e Agim Trocit që u dogj gjatë aksionit për shuarjen e zjarrit në fshatin Kalasë, nuk njihet nga të gjithë, përvecse nga dëshmitarët që kanë parë sot aktin e tij të pashembullt e frymëzues për të shpëtuar dhjetëra persona në rrezik nga zjarri.
    Sipas personave që kanë qenë në vendngjarje, mësohet se shefi i komisariatit të Delvinës Agim Troci dhe shefi i krimeve Joni Lame  ishin pjesë e ekipit të punonjësve që prej 2 ditësh po luftojnë të shuajnë zjarret në Kalasë, por që sot dolën jashtë kontrollit.
    E teksa zjarrëfikëset punonin me intensitet në terren, një banesë po digjej dhe brenda saj njerëz të pambrojtur, fëmijë e të moshuar që kërkonin ndihmë.
    Komisar Troci, babai i 2 fëmijëve të mitur nuk u mendua 2 herë por u fut në banesë bashkë me kolegun e tij dhe nxorrën prej andej një fëmi dhe gjyshen e tij.
    Pasi nxorri jashtë shtëpisë, 2 personat të cilët i mbajti në kurriz, Troci u fut mes flakëve të shihte nëse kishte të tjerë persona që mund të kishin mbetur në banesë.
    Por, u rrethua vetë nga flakët duke marrë disa plagë. Komisar Agim Troci nuk u spras por vijoi të kërkojë e të nxjerrë prej banesës të gjithë personat e mbetur brenda, ndonëse me plagë në trup. Ndërsa shefi i krimeve u asfiksua nga tymi.
    Megjithatë, Agimi nuk preferoi të flasë për ngjarjen. Ai u transportua me helikopter drejt Tiranës dhe po trajtohet për plagë të shumta që ka marrë në bark, krahë dhe këmbë, në pavionin e djegieve në QSUT.
    Ka qenë vetë drejtori i policisë së Shtetit Ilir Proda i cili ka përmendur sakrificën e tij, gjatë vizitës në pavionin e djegieve në QSUT, ku Agim Troci po merr ndihmë të specializuar.
    “Shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit.
    Ai veproi me guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të mbrojtur jetën e të tjerëve.
    Dua të falënderoj të gjithë, përfshirë Nënkomisar Eridionin, i cili ka pësuar asfiksi dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që, nën drejtimin e Komisar Trocit, me përkushtim dhe guxim, mbështetur dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë shpëtuar dhjetëra jetë qytetarësh, duke bërë të mundur evakuimin nga banesat e tyre deri jashtë zonës së rrezikut.
    Ky akt është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe humanizmit të efektivëve në krye të detyrës”, tha Proda.
    Agim Troci e kolegët e tij, kanë bërë krenar sot jo vetëm familjet e tyre, por të gjithë ne si shoqëri.
    Vizita e Presidentit Begaj

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi mbrëmjen e sotme në urgjencën e QSUT-së shefin e Komisariatit të Delvinës, komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie në bark, krah dhe këmbë gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri në zonën e Senicës, Delvinë.
    Presidenti vlerësoi aktin e guximshëm dhe përkushtimin e komisar Trocit dhe dha një mesazh ndërgjegjësues për qytetarët:
    “Vlerësoj maksimalisht angazhimin e forcave zjarrfikëse, emergjencave civile, forcave të armatosura dhe pushtetit vendor në përballimin e kësaj situate të vështirë me temperatura shumë të larta.
    Ftoj qytetarët të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi – parandalimi fillon nga secili prej nesh. Bashkëpunimi dhe kontributi me këto struktura është thelbësor për sigurinë e jetës dhe të pronës.
    Çdo akt zjarrvënieje është i dënueshëm dhe sjell pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë.”
    gijotina.com/

  • Nxehtësia ekstreme një kërcënim i padukshëm që përshpejton plakjen biologjike

    Nxehtësia ekstreme një kërcënim i padukshëm që përshpejton plakjen biologjike

    Ndërsa valët e të nxehtit vazhdojnë të djegin pjesë të Hemisferës Veriore, shkencëtarët po zbulojnë një tjetër rrezik të fshehur të temperaturave ekstreme: ato jo vetëm që na bëjnë të ndihemi keq, por mund të përshpejtojnë plakjen tonë biologjike. Kërkimet e reja dhe në rritje tregojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj nxehtësisë mund të dëmtojë qelizat dhe indet tona, duke sjellë pasoja afatgjata shëndetësore.
    Mosha kronologjike është thjesht kohëzgjatja e jetës, por mosha biologjike (epigjenetike) mat funksionimin real të qelizave dhe indeve. Një moshë biologjike e përshpejtuar shërben si një “kanarinë në minierën e qymyrit” për rrezikun e ardhshëm të sëmundjeve të tilla si kanceri, demenca dhe diabeti, si dhe vdekjen e hershme, shpjegon Jennifer Ailshire, profesoreshë e gjerontologjisë dhe sociologjisë. Ndërsa ndryshimi i klimës sjell valë të nxehti më të rënda dhe më të gjata, është urgjente të kuptojmë se si nxehtësia po dëmton shëndetin e njeriut në nivel qelizor.
    Si nxihet plakja nga nxehtësia?
    ADN-ja jonë, plani bazë i funksionimit të trupit, është i pandryshueshëm. Megjithatë, mënyra se si shprehet ADN-ja mund të ndikohet nga faktorë të jashtëm që shkaktojnë modifikime kimike – duke i “ndezur” ose “fikur” gjenet. Ndër këta faktorë përfshihen sjelljet si pirja e duhanit, mungesa e ushtrimeve, dhe faktorët mjedisorë si nxehtësia.
    Nxehtësia e streson trupin, duke e detyruar atë të punojë më shumë për t’u ftohur, gjë që mund të dëmtojë qelizat. Ndërsa njëfarë stresi nga nxehtësia mund të jetë i dobishëm për rritjen e rezistencës, ekspozimi i zgjatur e sforcon trupin dhe sjell pasoja afatgjata.
    Hulumtimet mbi kafshët kanë treguar lidhje të forta midis nxehtësisë dhe plakjes së përshpejtuar. Studimi i parë në shkallë popullsie mbi njerëzit, i realizuar nga Ailshire dhe Eunyoung Choi dhe i publikuar në shkurt, analizoi mostra gjaku nga mbi 3,600 persona në SHBA, të moshës 56 vjeç e lart. Ata zbuluan se njerëzit që përjetuan të paktën 140 ditë me nxehtësi ekstreme në vit (kur indeksi i nxehtësisë ishte mbi 90 gradë Fahrenheit) plakeshin deri në 14 muaj më shpejt se ata në vende me më pak se 10 ditë nxehtësie ekstreme.
    Forca e kësaj lidhjeje ishte domethënëse: nxehtësia ekstreme kishte të njëjtin ndikim në plakje si pirja e duhanit ose përdorimi i tepërt i alkoolit. Këto gjetje mbështeten nga studime të tjera, përfshirë një studim të vitit 2023 në Gjermani, i cili zbuloi se ndikimet ishin veçanërisht të theksuara tek gratë dhe personat me diabet ose obezitet. Madje, efektet mund të fillojnë para lindjes, siç tregoi një studim i vitit 2024 mbi fëmijët në Kenia të ekspozuar ndaj thatësirës si fetuse.
    Si të mbrohemi?
    Edhe pse këto gjetje janë shqetësuese, Ailshire thekson se nuk nënkupton që të gjithë ata që jetojnë në vende të nxehta do të plaken më shpejt. Çdo person ka faktorë rreziku individualë dhe ka mënyra për t’u përshtatur.
    Mënyra thelbësore për të mbrojtur veten përfshijnë aksesin në ajër të kondicionuar ose mjedise të freskëta, shmangien e ushtrimeve fizike gjatë pjesëve më të nxehta të ditës, si dhe një ushqyerje të mirë dhe aktivitet fizik të rregullt (në oraret më të freskëta). Shkencëtarët gjithashtu kanë zbuluar se disa ilaçe, si metformina dhe Ozempic, mund të ngadalësojnë plakjen.
    Ailshire sugjeron se nëse njerëzit mund të ndryshojnë ose gjejnë mënyra për t’u përshtatur me nivelet e tyre të ekspozimit ndaj nxehtësisë, mund të jetë e mundur të ngadalësohet ose të përmbyset procesi i përshpejtuar i plakjes. “Ky nuk është dëmtim i përhershëm; është një tregues i potencialit për dëmtim të përhershëm. Nuk do të thotë domosdoshmërisht se ky dëm është bërë,” shpjegoi ajo.
    Fusha e studimit është ende shumë e re, por ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten, shkencëtarët do të kenë më shumë të dhëna për të kuptuar ndikimin e nxehtësisë në trupin tonë dhe kush është më i prekshëm. “Nëse nuk mund të bëjmë asgjë për rritjen e temperaturave, atëherë të paktën duhet të rrisim ndërgjegjësimin dhe të gjejmë strategji,” përfundoi Ailshire, “Duhet të ketë një mënyrë që ta kalojmë këtë.”

  • Bombë në banesën e Elvis Demçes, kush po e kërcënon “Mbretin” e mafias shqiptare?

    Bombë në banesën e Elvis Demçes, kush po e kërcënon “Mbretin” e mafias shqiptare?

    Një mjet shpërthyes i improvizuar, i gjetur më 15 korrik vetëm pak metra larg banesës së familjes së Elvis Demçes, ka ndezur sërish alarmet në kryeqytetin italian. Bomba, e cila për fat nuk shpërtheu, u zbulua nga bashkëshortja e Demçes dhe është parë menjëherë si një mesazh i qartë: Armëpushimi mes bandave rivale në Romë ka përfunduar.
    Demçe, i njohur si një nga figurat më të errëta të mafies shqiptare në Itali, ndodhet aktualisht i burgosur në Ascoli, por vijon të jetë një emër kyç në zhvillimet e botës së krimit në kryeqytet. Vetëm një ditë para incidentit, Njësia Hetimore e Karabinierëve kishte goditur rrjetin e tij, duke zbuluar se ai, nga burgu, jepte urdhra për rrëmbime personash me qëllim shantazhimin e ish-bashkëpunëtorëve.
    Në fokus të konfliktit që po përshkallëzohet është Fabrizio Fabietti, një ish-aleat i Demçes, sot rival. Sipas hetimeve, grupet që ai po përdor për të realizuar këto rrëmbime përfshijnë edhe elementë të rrezikshëm nga Amerika Latine dhe Shqipëria, të njëjtët që më 11 maj 2024 tentuan të eliminojnë Giancarlo Tei, një figurë e njohur e trafikut të drogës në Tor Bella Monaca.
    Përplasjet janë përshkallëzuar muaj pas muaji. Dy muaj pas atentatit ndaj Teit, një tjetër bombë tronditi lagjen Borghesiana, duke shkatërruar apartamentin e një tuniziani me lidhje me grupin shqiptar.
    Gjithçka duket si një vazhdim i luftës së brendshme brenda asaj që dikur ishte struktura e fuqishme e Ponte Milvios, e drejtuar nga famëkeqi Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”, i vrarë në gusht 2019. Pas vrasjes së tij, ekuilibrat kriminalë në Romë u thyen dhe aleancat filluan të shpërbëhen me dhunë.
    Prokuroria Antimafia po heton në heshtje, duke mbajtur nën vëzhgim zhvillimet e fundit. Emri i Demçes përmendet shpesh në lidhje me ngjarje të dhunshme, nga rrëmbimet, tek atentatet dhe ekzekutimet ende të pazbardhura. Ai vetë mohon çdo përfshirje dhe ka distancuar veten nga përplasjet me rivalët, përfshirë edhe Giuseppe Molisso-n, i lidhur me klanin e Michele Senese-s.
    Por lista e armiqve të tij është e gjatë. Në të përfshihet edhe Ermal Arapaj, një tjetër shqiptar, dikur aleat, sot kundërshtar, si dhe emra të tjerë të botës së nëndheshme që rivalizojnë për kontrollin e rrjeteve të drogës në kryeqytet.
    Në qendër të dyshimeve është sërish Giancarlo Tei – një figurë që përfaqëson nyjen mes grupeve kalabreze dhe shqiptarëve në Romë. Të njëjtët njerëz që tentuan atentatin ndaj tij, tani rezultojnë të përfshirë në rrëmbimet e urdhëruara nga Demçe.
    Në rrugë, mjafton një emër i përfolur ose një aleancë e prishur për të nisur një hakmarrje. Këtë herë, sinjali ishte një bombë përpara derës së një shtëpie ku jetojnë edhe fëmijët e bosit shqiptar.
    Roma, edhe një herë, ndodhet mbi një fuçi baruti. Dhe heshtja është vetëm pamja e jashtme e një lufte që vijon në hije.

  • 7 urdhër-arrestet e lëshuara nga SPAK, Policia e Shtetit kontrolle në disa qytete

    7 urdhër-arrestet e lëshuara nga SPAK, Policia e Shtetit kontrolle në disa qytete

    Policia e Shtetit është duke ushtruar kontrolle në disa qytete të ndryshme, si në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, pas disa urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK. Sipas burimeve të A2 mësohet se bëhet fjalë për të paktën 7 masa sigurie.
    Sipas burimeve, masë sigurie është caktuar edhe për dy persona të njohur të botës së krimit që mbahen të izoluar për vepra të rënda penale.
    Hetimet nisën pas të dhënave të përftuara nga zbërthimi i mesazheve në aplikacionin SkyECC.
    Mësohet se personat e dyshuar trafikonin kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Bashkimit Europian.
     

  • Zjarr në nënstacionin e Ibës, OSSH stakon energjinë në disa zona: Po punojmë deri në normalizimin e plotë të situatës

    Zjarr në nënstacionin e Ibës, OSSH stakon energjinë në disa zona: Po punojmë deri në normalizimin e plotë të situatës

    Një zjarr ka rënë të premten në transformatorin e fuqisë 110/10kV të nënstacionit Ibë në Tiranë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) njoftoi se zjarri ishte pasojë e regjimit të sforcuar të funksionimit të pajisjeve për shkak të temperaturave të larta që kanë arritur nivelin e 40°C.
    Reagimi i menjëhershëm i brigadave të zjarrfikëses dhe stafit të Drejtorisë së Tensionit të Lartë të OSSH mundësoi shuarjen e shpejtë të flakëve, duke minimizuar dëmet. Fatmirësisht, nuk ka asnjë të lënduar nga personeli.
    Stakimi i nënstacionit Ibë ndikoi në ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për zonat e Bërzhitës, Mulletit, Baldushkut, Ibës dhe Krrabës. Megjithatë, OSSH theksoi se energjia u rikthye brenda një kohe të shpejtë në një pjesë të këtyre zonave, falë lidhjeve në unazë me fidera të tjerë që dalin nga nënstacioni i Farkës.
    OSSH ka shtuar grupet e punës në objekt dhe është angazhuar të punojë pa ndërprerje deri në orët e para të mëngjesit për zgjidhjen e plotë të avarive dhe normalizimin e furnizimit.
    Për shkak të rritjes së temperaturave në shkallë vendi, OSSH ka rritur masat e gatishmërisë për të shmangur problematikat në rrjetin shpërndarës. Në disa zona, prania e zjarreve ka detyruar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes të stakojë energjinë elektrike si një masë e domosdoshme sigurie për të parandaluar dëme më të mëdha.
    Grupi OSHEE kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve për ndërprerjet e energjisë elektrike, të cilat janë të ndikuara nga faktorë natyrorë, dhe siguron se po vijon të jetë i angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e shpejtë të problematikave në rrjetin e shpërndarjes.

  • “Takimi Putin-Zelensky, hapi i fundit i marrëveshjes”

    “Takimi Putin-Zelensky, hapi i fundit i marrëveshjes”

    Takimi midis presidentit rus, Putin, dhe presidentit ukrainas, Zelensky, mund të ndodhë vetëm si një hap i fundit për të nënshkruar një marrëveshje paqeje, njoftoi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov.
    Ai nënvizoi se një takim i tillë nuk ka gjasa të ndodhë deri në fund të gushtit, siç ka propozuar Ukraina. Ndërkohë, delegacionet e dy vendeve kanë zhvilluar raundin e tretë të bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, por deri më tani pa sukses.
    Nga ana tjetër, Rusia nuk i ka ndalur sulmet ndaj Ukrainës. Dronët rusë goditën spitalin e Kharkivit, duke lënë të plagosur 14 persona dhe duke shkatërruar infrastrukturën.

  • Serbia në panik, zbulohet plani që do përmbyste qeverinë në Beograd

    Serbia në panik, zbulohet plani që do përmbyste qeverinë në Beograd

    Serbia ëshë tronditur nga zbulimi i një plani për të përmbysur qeverinë dhe për të bërë një ndryshim me forcë të pushtetit. Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave.
    Dy prej tyre akuzohen edhe për posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve të zjarrit dhe municionit.
    Mes të akuzuarve janë Ivan Matoviç, një opozitar nga qyteti i Kralevës, Novica Antiç, ish-kryetar i Sindikatës Ushtarake të Serbisë, si dhe të paktën dy veteranë të luftës që kanë shprehur mbështetje për protestat studentore.
    Sipas komunikatës së Prokurorisë serbe, ekziston dyshimi i bazuar se më 21 qershor, të akuzuarit janë takuar në një lokal në Kralevë ku kanë planifikuar kryerjen e një vepre penale, përkatësisht janë dakorduar dhe organizuar me të tjerë për të ndërmarrë veprime që synonin cenimin e rendit kushtetues të Serbisë.
    Prokuroria e Beogradit ka publikuar edhe një transkript të bisedës, që sipas saj, është regjistruar në lokalin ku ishin mbledhur të akuzuarit. Në të flitet për organizimin e një proteste më 28 qershor në Beograd, për mënyrën e udhëtimit, numrin e pjesëmarrësve dhe veprimet që duhej ndërmarrë.
    Sipas Prokurorisë, njëri nga të akuzuarit thuhet të ketë thënë: “Hyn, e pushton ndërtesën e Qeverisë, e bllokon dhe nuk del prej saj”.
    Po ashtu, më 25 qershor, Ivan Matoviç dyshohet se ka kontaktuar me një person të quajtur Sërxhan G. për të diskutuar udhëtimin drejt protestës dhe hapat që do të ndërmerreshin.Në të njëjtën ditë, policia ndaloi automjetin e drejtuar nga Ivan Matoviqi dhe gjatë kontrollit gjeti një pistoletë të llojit CZ 765 me numër serik të fshirë, e ngarkuar me 7 plumba, si dhe një kuti me 25 fishekë të njëjtë.

  • Pas 16 viteve ‘Oasis’ koncert në ‘Wembley’

    Pas 16 viteve ‘Oasis’ koncert në ‘Wembley’

     ”Oasis” do të kthehet në Londër për të luajtur koncertin e tyre të parë atje, pas më shumë se 16 vitesh.

    Pas një serie koncertesh në Heaton Park të Mançesterit, grupi, i udhëhequr nga vëllezërit Gallagher, Liam dhe Noel, do të ngjitet sot në skenë në stadiumin ”Wembley” të Londrës.

    Grupi rock njoftoi turneun e tyre të ribashkimit shumë të pritur në gusht të vitit të kaluar, pasi Noel u largua në vitin 2009 pas një përleshjeje prapa skenës në festivalin ”Rock en Seine” në Paris.

    Ata tani do të kthehen për të performuar në stadiumin ”Wembley” për herë të parë që nga 12 korriku 2009, kur performuan gjatë turneut të tyre ”Dig Out Your Soul”.

    Me pesë netë të planifikuara, grupi postoi oraret e hyrjes dhe të skenës në llogarinë e tyre në Instagram me një ndarje orë pas ore të mbrëmjes, duke filluar me hapjen e portave në orën 17:00 (16:00 GMT).

    Nata do të fillojë me grupin rock ”Cast”, i ndjekur nga këngëtari Richard Ashcroft.

    ”Oasis” do të ngjitet në skenë për një set dyorësh në orën 20:15.

    Grupi nisi turneun e tyre botëror ”Oasis Live ’25” më 4 korrik në stadiumin ”Principality” në Cardiff, duke marrë vlerësime me pesë yje nga kritikët në ”The Guardian”, ”The Telegraph” dhe ”The Times”.

    Grupi gjithashtu ka dominuar listat e albumeve në Mbretërinë e Bashkuar, me tre albume në pesë vendet e para.

    Ndërsa fansat ishin të entuziazmuar nga ribashkimi, disa u indinjuan pasi disa bileta standarde në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë u rritën nga 148 paund në 355.

    Ky debat e shtyu qeverinë dhe organin mbikëqyrës të konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar të zotoheshin të shqyrtonin përdorimin e çmimeve dinamike.

    Pas koncertit të tyre të fundit në Londër më 3 gusht, grupi do të zhvendoset në veri në stadiumin ”Murrayfield” të Edimburgut përpara se të performojë në ”Croke Park” të Dublinit.

    Grupi do të shkojë më pas në Japoni, Korenë e Jugut, Amerikën e Jugut, Australi dhe Amerikën e Veriut./ atsh/ KultPlus.com