Zjarr i fuqishëm në një banesë dykatëshe në Fier, dëme të mëdha materiale
Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e djeshme në 6 gusht një banesë dykatëshe në lagjen “16 Prilli”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Siç raporton gazetarja e Klan News Anila Sefa, flakët kanë përfshirë katin e dytë të banesës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e Policisë. Pas ndërhyrjes së tyre, zjarri është vënë nën kontroll, duke shmangur përhapjen e flakëve në pjesën tjetër të objektit dhe në banesat përreth. Dyshohet se shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, megjithatë grupi hetimor po kryen veprimet procedurale për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara. Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale në banesë janë të konsiderueshme.
Burimi:
javanews.al