
Zjarret tek landfilli/ Kontrolle tek inceneratori i Elbasanit, merren në pyetje disa persona

Pamje nga aksioni
ELBASAN– Disa persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje lidhur me zjarrin në inceneratorin e Elbasanit. Mesditën e sotme, me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, janë shoqëruar 4 zyrtarë të kompanisë “Eco Elb”. Ende nuk ka detaje lidhur me emrat e shoqëruar, por raportohet se bëhet fjalë për drejtorin, një inxhiner, një përgjegjës dhe një zyrtar të rëndësishëm të kësaj kompanie. Pasi janë marrë në pyetje, janë lënë sërish të lirë.
Po ashtu, nga zyrat e kompanisë janë sekuestruar edhe dokumente, por ende nuk ka të dhënë konkrete. Kompania “Eco Elb” u themelua në vitin 2021, pas sekuestrimit të inceneratorit të Elbasanit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por në ambientet e landgfillit ka pasur disa zjarrë, një në 2023 dhe një tjetër në nëntor të vitit 2024. Ndaj për këto incidente, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për 3 vepra penale: “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Ndotja e ajrit”.
Edhe pse sot ka pasur lëvizje të hetuesëve, ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me çfarë ka ndodhur.
*“Eco Elb” është kompani e krijuar në 18.11.2021 dhe ka në objekt të aktivitetit “Grumbullimi, rehabilitimi dhe përpunimi i mbetjeve të ndryshme, organike, të ngurta, të gjelbërta,..etj, në territorin administrativ të të gjithë bashkive të Qarkut Elbasan. Trajtimi i mbetjeve me djegie (incenerator). Kompania trashëgoi inceneratorin e Elbasanit të ndërtuar nga “Albtech Energy”. Aksionerë të “Eco Elb”, aktualisht janë Bashkia Cërrik me 8 për qind, Gramsh me 8 për qind. Elbasan 52 për qind, Peqin 8 për qind, Belsh 8 për qind, Librazhd 8 për qind.
Sa i përket SPAK, hetimet janë mbyllur dhe të akuzuarit janë dënuar edhe nga Apeli i GJKKO-së. Koka u shpall fajtor dhe u dënua me 10 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi konvertohet në 6 vite e 8 muaj burg. Në Shkallën e Parë, u dënua me 8.6 vite burg, por me gjykim te shkurtuar Koka përfundimisht do të kryente 5 vite e 6 muaj burg. Ndërsa Bllako u shpall fajtor për shpërdorim detyre duke e dënuar me 4 vite burg, akuzë për të cilën GJJKO e shpalli të pafajshëm. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i konvertohet në 2 vite e 8 muaj burgim. Biznesmeni Klodian Zoto, u deklarua fajtor dhe u dënua me 10 vite burg, por me gjykim i shkurtuar përfitoi zbritjen në 6.8 vjet heqje lirie. Të njëjtën masë dënimi gjykata dha edhe ndaj biznesmenit tjetër Mirel Mertiti. Ndërkohë Stela Gugallja, administratore në inceneratorin e Elbasanit, u dënua me 7 vjet heqje lirie, por me gjykim të shkurtuar përfitoi zbritjen në 4.8 vjet.
Me 4 vjet burg u dënua Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit, por me gjykim të shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet, ndërsa për anëtarin e komisionit Bardhyl Cabiri, GJKKO vulosi dënimin me 2 vjet burg dhe anëtaren Jonida Zeqo 4 vjet, por me gjykim i shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet burg. 1.4 vite do të vuaj edhe ish-anëtari tjetër i komisionit, Serafin Papa, teksa i shuhet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi ka përfunduar koha e dënimit gjatë qëndrimit. GJKKO vendosi që kompanitë “Albtek sh.p.k.” dhe “Integrated Energy”, t’u hiqet titulli i subjektit juridik dhe aksionet e tyre ti kalojnë shtetit./ZËRI