Zgjedhjet në Himarë/ Tavo: Edi Rama më kërkoi të kandidoj! Çështjen e pronave nuk do ta trajtoj si elektorale

Zgjedhjet në Himarë/ Tavo: Edi Rama më kërkoi të kandidoj! Çështjen e pronave nuk do ta trajtoj si elektorale

Fredi Beleri

TIRANË- Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo ka folur rreth kandidimit të tij nën logon e PS-së. Tavo tha se ia ka kërkuar Kryeministri Edi Rama që të kandidojë. Sa i përket pronave në Himarë, Tavo u shpreh se dhe himarjoti i fundit do të marrë certifikatën e pronësisë. Ndërsa shtoi se çështjen e pronave nuk do e trajtojë si çështje politike.
Vangjel Tavo: Vendimi ka ardhur pas një takimi me kryetarin e PS, zotin Edi Rama. Më është kërkuar të kandidoj në Bashkinë e Himarës. T’ju them të drejtën, pas një diskutimi dhe argumentimi të situatës me kryeministrin dhe kryetarin e PS, vendosa ta pranoj Bashkinë e Himarës si një sfidë, por edhe si përgjegjësi. Himara, ashtu si bashkitë e tjera të Republikës, kërkon një menaxhim, administrim të punëve, aq më tepër që kemi të bëjmë me një bashki bregdetare. Në periudhën e verës, fluksi i vizitorëve është shumë i shtuar, kjo kërkon nga ana e pushtetit vendor një angazhim të madh për mirëmenaxhimin e punës.
Sikurse ju thashë, është një sfidë dhe përgjegjësi. Me përvojën shumëvjeçare timen në politikë, kam mundësitë për ta menaxhuar sa më mirë bashkinë e Himarës, për të zgjidhur problemet e njerëzve. Në fokus Himarën nuk e ka vendosur thjesht çështja Beleri siç thoni ju, historikisht, për njerëzit, me karakterin e veçantë, himarjotët kanë qenë gjithmonë në fokus. Himara pavarësisht problematikës që është krijuar me çështjen që përmendët ju, do t’i rikthehet qetësisë dhe përditshmërisë. Po aq i sigurtë jam që himarjotët, që reagojnë ndoshta për shumë arsye, me të drejtë dhe pa të drejtë, do t’ju them me bindje që shumë pak kohë pas zgjedhjeve, do të binden që Himara ka filluar të kthehet në rrugën e drejtë në përditshmëri.
Problemet e himarjotëve kërkojnë zgjidhje, jo krijim krizash dhe situatash që kalojnë kufirin e Himarës si Himarë, apo Shqipërisë, siç ndodhi.  Që me ardhjen time në prefekturën e Vlorës një mori problemesh janë trajtuar, sidomos problemi i regjistrimit të pronave. Do të qëndroj dhe do ta kem sfidën time personale zgjidhjen e të gjithë problemeve dhe sheshimin e të gjithë keqkuptimeve dhe mosmarrëveshjeve. Himarjotët kanë një karakter të veçantë, duhen trajtuar siç janë, himarjotë, kanë sensibilitetin e tyre. Kanë edhe egon e tyre, që është normale. Vjen nga historia shumë e gjatë e Himarës, një histori që me plot të drejtë ata mund të mburren.
Me aq sa më njihni edhe ju, jam shquar në politik si njeri i zgjidhjeve dhe jo i krizave. Jam këtu për të dhënë zgjidhje të të gjithë problematikave që kanë patur himarjotët. Jam i bindur që do t’ja dalë. Premtimet e mia nuk janë thjesht elektorale, sic mund të ketë ndodhur, janë probleme që mund të zgjidheshin edhe më përpara por nuk janë zgjidhur. Është cështja e pronave të himarjotëve, që me këmbënguljen e kryeministrit, ka filluar zgjidhja e çertifikimit të banesave. Deri më sot kemi shpërndarë 1226 çertifikata pronësie. Edhe himarjoti i fundit do të ketë marrë çertifikatën e pronësisë. Kjo çështje nuk do të ekzistojë më, do të zgjidhet përfundimisht. Nuk është premtim elektoral, por është një çështje që ka nisur dhe do të përfundojë. Është këmbëngulja e kryeministrit të Shqipërisë për ta zgjidhur këtë.
E kam theksuar në fillim. Unë jam me këtë ide dhe parim. Çështje e pronave është një çështje e akumuluar dhe nuk e kam trajtuar dhe nuk do ta trajtoj si çështje elektorale. Nuk ka lidhje me fushatën elektorale. Është pa dallim se nuk është në njërin krah, por për të gjithë pa dallim. Nëse në fillim kishim shumë pak tani kemi 200 aplikime në ditë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten që ti hiqte përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Belerit. Vendimi u dha dhe në prani të këtij të fundit, i cili u shoqërua në ambientet e KQZ me policë. Pas vendimit të marrë nga KQZ, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht si ditën ku do të mbahen zgjedhjet e reja. Vendim i kundërshtuar nga opozita. Gazment Bardhi e ka cilësuar dekretin e Presidentit si antikushtetues. Ndërkohë vendimi solli dhe reagimin e diplomacisë greke. Ministria e Jashtme e Greqisë kërkoi që Fredi Beleri të mund të betohet si eurodeputet në Parlamentin Europian. Fredi Beleri u arrestua më 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për blerje votash. Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Apelit e ka dënuar Belerin me 2 vjet burg./ZËRI
Burimi