Zgjedhjet e pazakonta të Himarës, a do të marrë pjesë PD e Berishës, apo djali i Belerit do të kandidojë si i pavarur?

Zgjedhjet e pazakonta të Himarës, a do të marrë pjesë PD e Berishës, apo djali i Belerit do të kandidojë si i pavarur?

Vangjel Tavo dhe djali i Fredi Belerit

TIRANË- Pas më shumë se një viti pa kryetar të ligjshëm, qytetarët e Himarës do të duhet të zgjedhin në datën 4 Gusht, në pikun e sezonit të verës, të parin e tyre në pushtetin lokal. Me shpalljen e zgjedhjeve nga presidenti Bajram, Begaj, në një periudhë të pazakontë dhe të padëgjuar më parë, në muajin Gusht, socialistët e Edi Ramës nuk humbën kohë, dhe dolën me emrin aspak surprizë prej tyre, atë të Vangjel Tavos.
Emri i tij lakohej prej muajsh si një kandidat i mundshëm i Edi Ramës për Himarën, dhe për të bërë rikthimin e parë të tij në skenën politike, kryeministri e emëroi Tavon në postin e prefektit të Vlorës. Nëse në njërën anë gjithçka është e qartë, socialistët kandidojnë Tavon, një kandidat që e njeh mirë zonën e Himarës, falë edhe të shkuarës së tij si deputet nga radhët e LSI-së, në qarkun e Gjirokastrës, në opozitë ka ende shumë pikëpyetjet.
Demokratët e Sali Berishës, kontestuan fillimisht datën e zgjedhjeve, që sipas tyre u shpall nga Begaj në shkelje të Kushtetutës, ndërsa deri tani nuk ka asnjë lëvizje për zyrtarizimin e ndonjë kandidati. Vetë minoritarët, dhe persona të afërt me Fredi Belerin, kanë kaluar emrin e djalit të tij si një kandidat të mundshëm për Bashkinë e Himarës, por garimi i tij nën siglën e PD-së duket i vështirë.

Pas regjistrimit të kandidatëve, nëse do të ketë më shumë se një të tillë, në Himarë do të fillojë zyrtarisht fushata elektorale, e cila do të mbyllet në 2 gusht, dhe do të jetë më e shkurtra që është mbajtur ndonjëherë.
Në Himarë do të votohet dhe numërohet në formën tradicionale, përmes letrës, dhe identifikimi i votuesve do të jetë me aparatura elektronike. Në zgjedhjet e fundit, në këtë bashki morën pjesë në zgjedhje rreth 7800 votues, ndërkohë që fitoja e Fredi Belerit erdhi përmes një rezultati tejet të ngushtë votash, në raport me kundërshtarin e tij Jorgo Goro. Historia që pasoi tashmë dihet, Belerin dhe Goron i pasoi i njëjti fat, ai i burgosjes. Fredi Beleri është dënuar me një vendim të formës së prerë me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, ndërsa Jorgo Goro është në pritje të gjykimit, për shkak të dosjeve të abuzimit me tjetërsimin e pronave në bregdetin e Himarës. Një tokë mjaft e lakmuar që ka prodhuar edhe këtë përplasje të fortë politike, që luan skenën e saj të fundit (ndoshta) në datën 4 Gusht. /ZËRI
Burimi