Vrasja e Gentjan Bejtjas në Fushë-Krujë, policia identifikon një nga ekzekutorët, Florian Plaku nga Vlora
Gentjan Bejtja
TIRANË- Policia ka identifikuar një prej autorëvë të përfshirë në atentatin ndaj Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë Krujës. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se personi që dyshohet se ka pasur rolin e ekzekutorit në vrasjen e Bejtjas është 41-vjeçari Florian Plaku, nga qyteti i Vlorës.
Plaku, i cili mban dhe dy identitete të tjera, është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1885 datë 26.07.2024 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dyshuar pë kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e policisë.
Policia thotë se janë kryer hetime të thelluara për ngjarjen, ndërkohë që më herët janë vënë në pranga dhe dy persona të tjerë, shtetasit Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu.
Sipas skemës së zbardhur nga Policia e Tiranës, Beqaraj bashkë me tre të tjerë, të paidentifikuar, u futën në oborrin e shtëpisë të Gentjan Bejtjas me Land Rover, me targa të vjedhura në 2023 në Shkodër. Pasi e vranë pranë serës me më shumë se 80 plumba kallashi, ata janë larguar me mjetin tip ‘Land Rover’ drejt aksit Larushkë – Thumanë dhe e kanë djegur makinën në fshatin Hasan. Më pas ata dyshohet se janë larguar në drejtim të fshatit Bubq në Krujë me mjetin tip ‘Golf’, pronari i të cilit, Edison Haxhiu, u arrestua nga policia.
“Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volksëagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë”, vijon policia njoftimin e saj.
Për Beqarajn, është bërë edhe ndryshimi i akuzës, nga “falsifikimi i dokumenteve” në “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
NJOFTIMI I POLICISË
Në vijim të njoftimit të ngjarjes së datës 15.03.2024, për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, brenda rrethimit të oborrit të banesë së tij, në fshatin Larushkë, Krujë, ju informojmë si më poshtë:
Për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin profesional të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer në vijimësi të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruar nga Prokurori.
Lidhur me këtë ngjarje nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është regjistruar procedimi penal nr. 1944 të vitit 2024, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Volkswagen Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, 30 vjeç, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Po kështu, ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.
Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu dhe shoqërimin në ambjentet e Policisë. Gjithashtu, në vazhdim të veprimeve hetimore, po në këtë datë u bë i mundur shoqërimi në ambientet e Policisë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Walther” me tetë fishekë, një armë zjarri e markës “Benelli”, e cila mbahej me lejen e organeve të Policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe 3 aparate celulare.
Më datë 19.03.2024, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe e municionit”, dhe “Falsifikimi i dokumentave” parashikuar nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal, si dhe ndalimi i shtetasit Edion Haxhiu, 30 vjeç, për veprën penale “Sigurimi i kushte dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumentave, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave të tjerë si autorë të kësaj ngjarje
Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1885 datë 26.07.2024 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dyshuar pë kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Shërbimet e DVP Tiranë, të mbështetura në fazën operacionale nga shërbimet e DVP Vlorë, kanë ushtruar kontrolle për lokalizimin e shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, dhe vijon puna për kapjen E këtij shtetasi i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëm Tiranë, është ushtruar kontroll në ambientet e një agjensie udhëtimesh në qytetin e Lezhës, ku janë administruar pajisje elektronike dhe dokumente me vlerë për hetimin.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vlerësim të provave dhe fakteve të administruara, ka bërë rikualifikimin e veprës penale në ngarkim të shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe përveç veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 186 dhe 278/1 të Kodit Penal, këtij shtetasi i është shtuar vepra penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 e 22 të Kodit Penal.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e autorëve të tjerë dhe për rezultatet e tyre do t’ju informojmë në vazhdimësi.
Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit 2024 brenda oborrit të banesës së Larushk. Autorët dyshohen të kenë qenë katër, tre kanë marrë pjesë në sulm ndërsa tjetri i ka pritur në makinë. Mbi Bejtjan janë qëlluar 50 plumba, 30 prej të cilëve kanë rezultuar fatal dhe e kanë prekur në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Vetëm dy të arrestuar ka lidhur me ngjarjen, Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu.
Ilir Beqaraj akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, ndëra Edison Haxhiu akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”. /ZËRI
Burimi