Vrasja e Egli Progës, Meta: Kjo qeveri po i vret qytetarët ditën dhe po i fsheh këto ngjarje

Vrasja e Egli Progës, Meta: Kjo qeveri po i vret qytetarët ditën dhe po i fsheh këto ngjarje

Ilir Meta në konferencë

TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ngjarjen në Pogradec ku humbi jetën 42-vjeçari, Egli Proga. Ai është shprehur se Policia e Shtetit është kthyer në “Policinë e Pushtetit” që ka humbur besimin e qytetarëvë, gjithashtu është struktuta më e urryer e popullit siç është parë në protestat e fundit ku ka ushtruar edhe dhunë. Ai shton se vizioni banditesk i shpallur nga Edi Rama nëpërmjet ministrit Blendi Çuçi, është buruim i vrullit të krimit. Sipas tij, përgjegjsia e plotë është e kryeministrit Edi Rama.
Deklarata e plotë e Ilir Metës:
“Krimi monstruoz i vrasjes së babait të dy fëmijëve në Pogradec, që u fsheh dhe u manipulua nga Narko-Policia, dhe për më rëndë akoma, që u relativizua nga “Drejtësia e Re” e Ramaformës, e cila liroi në sallën e gjyqit tre nga katër bashkëpunëtorët e vrasjes, është një ngjarje shumë e rëndë dhe tronditëse që revolton, dhe rrezikon çdo shqiptar.Përpjekja tinzare shtetërore për të mbuluar një vrasje të paralajmëruar është prova më e freskët se në këtë vend nuk sundon shteti ligjor, por shteti i krimit, që inkurajon, mbulon dhe amniston krimet e gjobaxhinjve të Rilindjes, dhe bandave kriminale të “Rilindjes” të bëra njësh me pushtetin dhe policinë.I shpreh solidaritetin më njerëzor dhe ngushëllimet më të ndjera familjes Proga, që humbi pabesisht njeriun e tyre të dashur, dhe që më rëndë akoma nuk po gjen drejtësi për një krim të kryer ditën për diell, në zemër të qytetit aq paqësor të Pogradecit dhe para syve të dhjetëra qytetarëve.Ky krim monstruoz provon edhe njëherë fytyrën e urryer të Narko-Policisë Qeveritare, e njëjta që vrau Klodian Rashën tek dera e shtëpisë dhe që e manipuloi edhe atëherë vrasjen, duke i shtuar një pistoletë si shkaktar i një konflikti me policinë. Qartazi Policia e Shtetit është shndërruar në Policinë e Pushtetit të krimit, që ka humbur jo vetëm besimin, por edhe misionin për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë.Përkundrazi, është shndërruar në strukturën më të urryer të popullit, në dhunuesen më të egër të lirive dhe të drejtave të tij, siç e kemi parë së fundmi, edhe në protestën e fermerëve të Maliqit të Korçës, në aksin Thumanë-Kashar ku prindërit rrihen para syve të fëmijëve që mbajnë në krah, në shembjen e banesave të ligjshme në Tiranë, ku banorët nxirren me gaz nga shtëpitë e tyre, dhe kudo tjetër.Nuk kemi të bëjmë me raste sporadike të shkëputura, por me vizionin banditesk, të shpallur botërisht nga Edi Rama nëpërmjet ministrit të Brendshëm në detyrë, në atë kohë Blendi Çuçi: “Nuk ka zhvillim pa krim”.Këtu e ka burimin shkelja e ligjit nga uniformat blu, vrulli i krimit në të gjithë vendin, mungesa e rendit publik dhe rritja e pasigurisë së jetës.Ndaj sot kemi drejtues të lartë policie të korruptuar e të inkriminuar, komisariate të tëra të kriminalizuara, që përfshihen direkt në trafik droge dhe atentate mafioze që porositen nga zyrat e Policisë, siç u provua në dosjen “Metamorfoza”.Policia e bërë njësh me Partinë-Shtet, është kthyer në strukturën më gjigande të patronazhimit, të survejimit dhe vjedhjes së votave, siç është provuar edhe në dosjen 184, gjithashtu të amnistuar nga Ramaforma. Krimi e ka “kumbarin” e tij në krye të Qeverisë. Është kjo është arsyeja pse në 11 vite në pushtet Edi Rama, me ndihmën e NarkoPolicisë kanabizoi gjithë Shqipërinë, u hapi portet, aeroportet dhe të gjitha rrugët trafikantëve të drogës, “bekoi” vrasjet dhe atentatet mafioze në qendrat e qyteteve, me parrullën “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”. Përdori bandat me mbrojtje policore për vjedhjen e votave dhe dekonspiroi të gjitha aksionet për kapjen e të shumëkërkuarve. Çdo shtet ka mafien e tij, por tashmë është bërë botërisht e njohur se në Shqipëri, mafia ka shtetin e saj. Ndaj, shporrja një orë e më parë e kumbarit të krimit, Edi Rama është prioritet kryesor dhe vendimtar për të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë!”
Egli Proga ndërroi jetë të shtunën, si fillim ngjarja u raportua si aksident, ku u tha se viktima humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në rrugë./ ZËRI
 
Burimi