Vrasja e Aurelio Dervishit, Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet, dërgon në gjyq 4 të rinjtë

Vrasja e Aurelio Dervishit, Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet, dërgon në gjyq 4 të rinjtë

AURELIO DERVISHI

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për vrasjen e 18-vjeçarit Aurelio Dervishi, dhe ka dërguar për gjykim 4 të rinj, që kanë qenë pjesë e krimit të rëndë që ndodhi në 31 Mars, në zonën e Shkozës në kryeqytet. Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur për shkaqe xhelozie për një vajzë, ndërsa vdekja e Dervishit është shkaktuar si pasojë e shokut hemorragjik traumatik nga plaga e marë në kraharor.
Të arrestuar për ngjarjen janë Frensis Shehu, 20 vjeç, një 15-vjeçar dhe dy 16-vjeçarë. Njëri prej 15-vjeçarëve ka pranuar para hetuesve se ka qëlluar me thikë Aurelion. Ndërkohë dy 16-vjeçarët kanë pranuar se kanë dhunuar grupin tjetër por jo të kenë përdorur thikë, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe 20-vjecari i arrestuar Frensi Shehu. 

NJOFTIMI I PROKURORISË: 
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.2300 dërgon në gjyq shtetasit Sh.H., F.Sh., B.Sh dhe I.I për veprën penale ‘Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim’ parashikuar nga neni 76-25 i Kodit Penal.
Nga hetimet rezultoi e provuar se rreth orës 20:45 pm të 31.03.2024 personat e arrestuar kanë parë duke lëvizur mjetin tip ‘Audi’ me të cilin lëvizte viktima, shtetasi A.D., me miqtë e tij dhe një vajzë që dyshohet se kishte pasur lidhje me parë më një nga bashkëpunëtorët në vrasje shtetasin F.Sh.
Për shkak të xhelozisë e duke menduar se po qeshnin me të, shtetasi F.Sh. i ndoqi nga pas me makinë duke i prerë rrugën. Në grindje e sipër, ai ka kërkuar nga shoku i tij, shtetasi Sh.H., të nxjerrë thikën dhe të qëllojë viktimën. Ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë janë rrahur me grushte me viktimën dhe shokët e tij.
Nga kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor rezultoi se viktima, shtetasi A.D. humbi jetën si pasojë e shokut hemorragjik traumatik nga plaga e marë në kraharor.
Nga analiza e të dhënave të administruara, rezultoi e provuar se nga shtetasit Sh.H., F.Sh., B.Sh dhe I.I. kanë konsumuar elementet e figurës së Veprës Penale ‘Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim’ në dëm të të ndjerit A.D.
Këta persona me dashje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime aktive të kundraligjshme që konsistojnë në goditjen me sende të forta dhe me thikë.
Vrasja e 18-vjeçarit
Aurelio Dervishi humbi jetën gjatë një sherri me thika mes disa të rinj. Shkak për sherrin mes të rinjve që degjeneroi më pas në vrasje, dyshohet të jetë bërë një vajzë që ishte e dashura e shokut të Dervishit, por që më herët kishte qenë e lidhur me një tjetër djalë që ishte pjesë e grupit të agresorëve. Të katër autorët po udhëtonin me makinë dhe i kanë dhënë sinjal me drita Dervishit që të ndalonte dhe të përballej me ta. /ZËRI 
Burimi