
Vrasja e Ardian Nikulajt, Gjykata e Lezhës çon për gjykim portugezin Ruben Saraiva

Ruben Saraiva dhe Ardian Nikulaj
LEZHË- Portugezi Ruben Saraiva do të gjykohet për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin. Gjykata e Lezhës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të gjykuar Saraivën për vrasjen e biznesmenit Nikulaj në Shëngjin. Vendimi u mor sot nga gjyqtari Renis Shehi, i cili vlerësoi se provat e paraqitura mjaftojnë për të gjykuar Saraivën.
Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale të vrasjes me paramendim dhe mbajtjes pa leje të armëve.
Si ndodhi vrasja?
Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri më 19 prill të 2023, teksa ndodhej brenda ambienteve të lokalit të tij në Shëngjin. Në vrasjen e tij akuzohen si të përfshirë 5 persona, porositësi Edmond Haxhia dhe 3 britanikë: Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman.
Ndërsa personi që qëlloi u identifikua nga policia si Ruben Saraiva. Ky i fundit, arriti të largohej jashtë vendit pas ngjarjes, për t’u arrestuar në Marok. Prej andej u ekstradua në vendin tonë në Dhjetor të 2023./ZËRI