VMRO kundër gjuhës shqipe, VLEN thirrje Gjykatës Kushtetuese: Mos merrni një iniciativë që rrezikon sovranitetin e Maqedonisë së Veriut!
Foto ilustruese
SHKUP- Dy muaj pas formimit të qeverisë në koalicion me shqiptarët e VLEN, në institucione të rëndësishme si Gjykata Kushtetuese, po shfaqen qëndrime kundër përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka paralajmëruar nisjen e një iniciative kundër gjuhës shqipe, duke deklaruar se “ligji për përdorimin e gjuhëve ka krijuar një kaos juridik që është shndërruar në kaos politik”. Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar Koalicioni VLEN, ku i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut që të mos marrë një iniciativë që rrezikon sovranitetin e vendit.
Ata e kanë quajtur këtë iniciativë të Gjykatës Kushtetuese një përpjekje për grusht shteti dhe nëse kjo pranohet do të çojë në një krizë të vendit, madje ku do të përfshihet edhe ndryshimi i emrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Trupi Koordinues i VLEN-it, pa dëshirën për të ndërhyrë në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, e konsideron të rrezikshme dhe të papranueshme kërkesën e tyre për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ne besojmë se kjo iniciativë, e cila buron nga forca të njohura për qëndrimet e tyre kundër NATO-s, është një përpjekje për grusht shteti përmes eksperimenteve juridike. Nëse kjo iniciativë pranohet, mund të çojë në një krizë të rëndësishme për arritjet kyçe të shtetit, duke përfshirë ndryshimin e emrit kushtetues, i cili u realizua pa firmën e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, dhe që mundësoi anëtarësimin në NATO. Një akt i tillë do të rrezikonte stabilitetin dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërcënuar seriozisht orientimin e saj euro-atlantik”, thuhet në njoftimin e VLEN pas mbledhjes së Trupit Koordinues.
Në këtë takim është diskutuar edhe për interpelancën nga kreu i Kuvendit Afrim Gashi, duke e cilësuar këtë iniciativë si përpjekje për destabilizim. /ZËRI
Burimi