VD- Goxhara filmoi Kostën që dergjej në tokë pas plagosjes: Nuk i ha dot lekët e familjes time, ke mbajtur nusen peng 4 vite
lorenc kosta i shtire ne trotuar
TIRANË- Kanë dalë pamjet e ngjarjes së rëndë që ndodhi më 19 gusht 2024, në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë, ku efektivi i policisë Erion Goxhara qëlloi me armë zjarri dhe plagosi 45-vjeçarin Lorenc Kosta. Pasi e ka qëlluar Kostën me disa plumba, efektivi Goxhara e ka filmuar atë teksa shihej i gjakosur dhe i shtrirë në tonë.
Në një video të siguruar nga ZËRI, Goxhara shfaqet duke i thënë Kostës: “Kështu e pësojnë të gjithë ata që futen në familjet e të tjerëve” dhe ” ke mbajtur peng nusen katër vjet, ti hash lekët, nuk e ha dot ti djersën e familjes time, nuk hyn dot ti në familjen time”.
Sipas informacioneve paraprake, por edhe sipas dosjes hetimore Goxhara dyshonte se Kosta kishte pasur një lidhje intime me bashkëshorten e tij, çka e çoi në këtë akt të dhunshëm.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:40, kur Kosta po ecte në këmbë dhe u përball me Goxharën, i cili ndaloi makinën dhe e qëlloi me të paktën gjashtë plumba, kryesisht në këmbë dhe në pjesën intime.
Pas aktit, Goxhara u largua nga vendi i ngjarjes dhe u dorëzua në polici dy ditë më vonë. Kosta u transportua në spital dhe ndodhet në gjendje jo të mirë, por jashtë rrezikut për jetën. Policia po vijon hetimet, ndërsa Goxhara është vendosur në burg pa afat, dhe pritet t’i nënshtrohet një vlerësimi të shëndetit mendor.
Çfarë ndodhi të hënën
Efektivi i policisë kufitare, pasi ka mësuar tradhëtinë e bashkëshortes së tij, ka vënë në dijeni edhe gruan e Kostës, të cilën e ka kontaktuar përmes email-it. Për këtë veprim, Goxhara pretendon se është kërcënuar verbalisht nga Lorenc Kosta, pak para se ta qëllonte pasditen e së hënës tek Komuna e Parisit.
Për ditën e ngjarjes, Goxhara, ka treguar se pasi kishte kryer ritet fetare në një xhami ka dërguar vajzën te tezja e saj në zonën e Komunës së Parisit. Në zonë ai ka ndeshur Lorenc Kostën, të cilin e ka njohur. Mes të dyve është zhvilluar një debat verbal, ku Goxhara, shprehet se i ka kërkuar llogari pse i ka shkatërruar familjen. Sipas tij, Kosta i ka folur me ton kërcënues, duke i thënë “unë ta jap me deklaratë noteriale, që s’kam bërë gjë” dhe duke e prekur në sup.
Pas këtij momenti Kosta është larguar edhe pse efektivi ka kërkuar të sqarohen. Goxhara ka treguar se pasi ka zhvendosur makinën pak metra, e ka parë sërish para një marketi Kostën, vend ku ka zbritur dhe qëlluar disa herë me armë në gjymtyrët e poshtme. Kostës nuk i është marrë ende dëshmia, për shkak se gjendet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale.
Vetë bashkëshortja e Goxharës, ka deklaruar se tradhtia ka ndodhur vetëm një herë, disa kohë më parë, dhe tashmë ajo me Kostën mbante vetëm marrëdhënie profesionale, duke qenë se punonin në të njëjtin vend pune, dhe kanë pasur marrëdhënie varësie. /ZËRI
Burimi