U vra nga djali, Enver Balla përcillet sot për në banesën e fundit, hetime për persona të tjerë të përfshirë në krim
Esmerald dhe Enver Balla
DURRËS- 62-vjeçari Enver Balla, i cili u vra dhe më pas u deklaruar i humbur nga djali i tij, Esmerald Balla, do të përcillet sot për në banesën e fundit, në varrezat e Shënavlashit. Familja e tij ka hapur dyert e mortit, ndërkohë që grupi hetimor vazhdon hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, që ka tronditur mbarë opinionin publik. Policia ka dyshime se 30-vjeçari nuk ka vepruar i vetëm në vrasjen e babait të tij, dhe për këtë po vazhdojnë veprimet intesive për identifikimin e të tjerë personave që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.
Gjatë ditës së djeshme, pasi u vu në pranga nga Policia, Esmerald Balla pranoi se e kishte vrarë babanë në gjaknxehtësi e sipër, pasi sipas tij kishte zbuluar se 62-vjeçari kishte marrëdhënie me gra të tjera, kundrejt pagesës, duke prishur në këtë mënyrë kursimet që familja kishte, nga një biznes privat që kishin prej vitesh në zonën e Shënavlashit. Por hetuesit janë skeptikë për versionin e dhënë nga i riu, i cili ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Në telefonin e tij janë gjetur prova, se vetë 30-vjeçari kontaktonte eskorta luksi që gjenden në faqe online, dhe linte takime me to kundrejt pagesës. Kjo duket se është bërë shkak që ai të merrte fshehurazi para nga kasaforta që gjendjen në banesën e Enver Ballës, dhe më pas mes babait dhe djalit kanë nisur konfliktet. Ai e deklaroi të zhdukur babanë e tij, duke i çuar dhe një mesazh të vëllait, me shkrimin se ‘Enveri ishte larguar nga shtëpia, për të nisur një jetë të re me një grua tjetër’.
Gjetja e kasafortës së thyer, jashtë banesës ku jetonte viktima, së bashku me gruan e dytë, pasi nëna e Esmerald Ballës kishte vdekur 3 vite më parë, ka shtyrë policinë që të nisë hetimet për akuzën e vrasjes, ndërsa dyshimet e para ishin për një krim të ndodhur brenda familjes.
SI U ZBULUA KRIMI
30-vjeçari e kishte denoncuar të zhdukur babanë e tij, në Komisariatin e Policisë së Durrësit, mëngjesin e datës 13 Gusht, duke thënë se ishte larguar nga shtëpia me një shtetase të panjohur, dhe fill pas këtij momenti ata kishin humbur kontaktet. Gjithashtu, djali ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.
Djali tjetër i Enver Ballës, shtetasi A. B., pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i ka shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime.
Strukturat hetimore të DVP Durrës, duke qenë para këtyre fakteve, kanë intensifikuar hetimet dhe kërkimet, pasi lindën dyshime se kishim të bënim me një krim brenda familjes.
Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit konkretisht shtetasi Esmerald Balla, 30 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari.
30-vjeçari, më datë 13.08.2024, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, pasi është konfliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë me armë zjarri tip pistoletë.
Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka transportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor ka gjetur trupin e 62-vjeçarit, dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë, kasafortën e hapur me sende të forta, ku mbante lekët 30-vjeçari dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.
Trupi i 62-vjeçarit u transportua në Morgun e spitalit të Durrësit për ekzaminim mjeko-ligjor.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedural i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”./ZËRI
Burimi