
Tritoli në punishten e sallamit në Fushë-Krujë! Në kërkim autori, sekuestrohet automjeti që përdori gjatë krimit (EMRI)

PAMJE NGA PUNISHTJA
FUSHË-KRUJË-Është zbardhur ngjarja e ndodhur dy ditë më parë (5 mars), ku një sasi eksplozivi shpërtheu në murin e jashtëm të një punishte sallami në Fushë Krujë, në lagjen “Ish Grumbullimi”. Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e ngjarjes, 26-vjeçarin, Kristi Caka. Uniformat blu kanë sekuestruar automjetin me të cilin 26-vjeçari lëvizi gjatë kryerjes së krimit.
Motivi i ngjarjes nuk dihet ende, ndërsa pronari i biznesit Dorjan Miri deklaron se nuk e njeh dhe as nuk ka ndonjë konflikt me 26-vjeçarin. Ngjarja u raportua në Polici nga vetë pronari i punishtes.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet autorësia e vënies së një sasie lënde plasëse, në murin rrethues të një biznesi në Fushë Krujë, 2 ditë më parë. Shpallet në kërkim autori i dyshuar. Gjendet dhe sekuestrohet automjeti me të cilin ky shtetas lëvizi gjatë kryerjes së krimit.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas njoftimit të shtetasit D. M., se gjatë natës së datës 05.03.2025, në murin rrethues të dyqanit të tij, në Fushë Krujë, kishte shpërthyer lëndë plasëse, që kishte shkaktuar dëme të vogla materiale, u mundësua identifikimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit K. C., 26 vjeç, banues në Krujë.
Në vijim të veprimeve procedurale, 26-vjeçari u shpall në kërkim, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe ndalimin e tij. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Mesnatën e 4 marsit rreth 200 gramë eksploziv i është vënë punishtes së sallamit në pronësi të shtetasit Dorjan Miri. Fatmirësisht në momentin e shpërthimit, në fabrikë nuk ndodhej askush dhe fatmirësisht, nuk ka patur të lënduar, përveç dëmeve materiale./ZËRI