Tragjedia me 59 viktima/ Mickoski: Kjo është dita më e vështirë e jetës sime, s’do kemi mëshirë!

Tragjedia me 59 viktima/ Mickoski: Kjo është dita më e vështirë e jetës sime, s’do kemi mëshirë!

Hristijan Mickoski

SHKUP- Në një konferencë për mediat, kryeministri Hristijan Mickoski tha se qeveria do të tregojë me hapa dhe vendime për të gjetur përgjegjësit e zjarrit në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën së paku 59 persona. Në deklaratën e tij për shtyp, të parën për tragjedinë e ndodhur, tha se kjo është sfida më e rëndë me të cilën është dashur që të përballet. Por, po ashtu, paralajmëroi se nuk do të ketë mëshirë për përgjegjësit, që sipas tij, do të përballen me të gjithë forcën e ligjit. 
“Kam pasur shumë momente dhe sfida të vështira në jetën time, por sot është dita më e vështirë e jetës sime. Po më thyhet zemra dhe nuk kam forcë të flas sot. Jam thyer dhe shpirti im është thyer. Në jetën time dhe në karrierën time, kam vendosur të veproj parimisht, ndershmërisht, pavarësisht nga rreziqet dhe pa marrë parasysh pasojat. Kam hyrë në politikë për të ndryshuar diçka. Kam hasur në një sistem thellësisht të korruptuar të krijuar dhe ushqyer prej dekadash, pjesë e të cilit janë njerëz nga të gjitha partitë, nga të gjitha profilet. Nëse ai sistem nuk shembet, ky vend nuk do të ekzistojë kurrë dhe ai sistem nuk mund të shembet lehtë dhe shpejt, sepse është ndërtuar me dekada, jo me muaj e vite. Prisni kur bëhet fjalë për llogaridhënien, se nuk do të ketë mëshirë. Do të duhet të ketë përgjegjës me emra dhe mbiemra. Pa mëshirë.
Dhe së dyti, po aq e rëndësishme. Kërkohet një demonstrim i përgjegjësisë morale. Dhe shumë njerëz më thonë se populli e di që nuk ka faj qeveria për këtë, se është një Qeveri e re që është përballur me problemet e grumbulluara me dekada dhe një sistem korrupsioni që është krijuar me dekada në vend, por unë ju them, pavarësisht kësaj, ne duhet të jemi shembull që do të ketë kuptim dhe vlerë dhe duhet të kemi përgjegjësi morale. Nuk më duhet pushteti me asnjë çmim, por jam këtu për të luftuar dhe për të demonstruar me shembull,”-tha Mickoski.
Po ashtu, në fjalën e tij saktësoi edhe dyshimet e deritanishme. Sipas kryeministrit, licensa e klubit të natës është lëshuar në mars të vitit 2024 me anë të ryshfetit.
“Është një dokument për funksionimin e një kabareje që është lëshuar ilegalisht me vulën origjinale të Ministrisë së Ekonomisë dhe nënshkrimin e zyrtarëve të atëhershëm të asaj ministrie,”-shtoi Mickoski.
Në orën 3 të mëngjesit, një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientetet e lokalit kanë qenë rreth 1500 persona. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike/ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente