Tirana pritet të ketë një bum tjetër ndërtimesh, sipërfaqja e lejeve arrin rekord 1.9 mln m² në 2024

Tirana pritet të ketë një bum tjetër ndërtimesh, sipërfaqja e lejeve arrin rekord 1.9 mln m² në 2024

Foto ilustruese

Ndërtimet në kryeqytet pritet që të vijojnë me ritme shumë të larta të paktën dhe në dy-tre vitet e fundit. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në vitin 2024, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet arriti në mbi 1.9 milionë metra katror. Kjo është sipërfaqja më e lartë e dhënë ndonjëherë për ndërtim për kryeqytetin, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT raporton të dhënat për Tiranën.
Në krahasim me vitin e mëparshëm, sipërfaqja e dhënë për ndërtim u rrit me rreth 36%, ndërkohë që është dhe rreth 7% më e lartë se në 2022, kur shënohej rekordi i deritanishëm me 1.8 milionë metra katror. Sipas tremujorëve, sipërfaqja më e lartë në 2024-n, u dha në tremujorin e tretë me 684,845 metër katror. Të dhënat e tjera nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se në vitin 2024, Bashkia e Tiranës arkëtoi një rekord prej ose rreth 13 miliardë lekë (rreth 130 milionë euro), dyfishi i asaj që parashikonte në fillim të 2024-s.
Në vitin 2024, rreth 52% e të ardhurave të Bashkisë Tiranë erdhën nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, duke krijuar një varësi të lartë të institucionit që menaxhon kryeqytetin nga lejet e ndërtimit. Edhe në vitet në vijim, të paktën deri në vitin 2027, Bashkia e Tiranës pret të arkëtojë rreth 8 miliardë lekë në vit nga taksa e ndërtimit, më e lartë sesa në periudhën 2020-2022, kur Tirana u kthye në një kantier ndërtimi.

Statistika

Rritja e të ardhurave pritet të vijë, sipas relacionit të Bashkisë nga ndryshimi i çmimeve mesatare referuese të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllim banimi, por dhe dhënia e lejeve të reja për ndërtime, që janë kryesisht pallate shumëkatëshe, një pjesë e të cilave me projekte të partneritetit publik privat, ku shtetit po jep për ndërtim pronat e veta në këmbim të një sipërfaqeje për zyra apo hapësira të tjera.
Sipas njoftimit të INSTAT në tremujorin e katërt 2024 janë miratuar gjithsej 317 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 303 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rritje prej 4,6%. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2024 është 482.854 m2, nga 592.660 m2 miratuar në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rënie prej 18,5%.
Në tremujorin e katërt 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 25.8 miliardë lekë, nga 25.3 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rritje prej 1,8%.
Gjatë vitit 2024, janë miratuar gjithsej 1.336 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 1.602 leje ndërtimi të miratuara në vitin 2023, duke shënuar një rënie prej 16,6%. Në vitin 2024, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është 2.498.916 m²,  nga 2.115.819 m2 miratuar në vitin 2023, duke shënuar një rritje prej 18,1%.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 106,4 miliardë lekë në vitin 2024, nga 89,6 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2023, duke shënuar një rritje prej 18,8%./Monitor
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente