
TËRMET në opozitën turke/ Imamoglu u arrestua! Çfarë është “urban consensus” dhe “Medya AS” që sollën ndalimin e tij
Ekrem Imamoglu
STAMBOLL- Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili njihet dhe rivali kryesor i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan u arrestua sot. Ndaj tij rëndojnë disa akuza në lidhje me terrorizëm dhe korrupsion. Më konkretisht ndaj tij rëndojnë veprat penale: “drejtues i organizatës kriminale”, “anëtar i organizatës kriminale”, “zhvatje”, “ryshfet”, “mashtrim i rëndë”, “marrje e paligjshme të të dhënave personale” dhe “mashtrim tenderi”.
Ai u arrestua disa ditë para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen të dielën në Turqi, gjithashtu Imamoglu është kandidati i vetëm i Partisë Popullore Republikane. Kryebashkiaku akuzohet se është lideri i një organizate kriminale dhe ka bashkëpunuar ngushtë me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanëve. Ai akuzohet gjithashtu për disa veprime të dyshimta të kompanisë “Medya AS”. Sipas akuzave, kryebashkiaku përmes “Medya AS” ka mbledhur të dhënat personale të qytetarëve, ka mashtruar me tenderat e ofruar dhe ka marrë ryshfete. Kjo, pasi kompania rezulton se bashkëpunon me Bashkinë e Stambollit dhe ofron shërbime të digjitalizuara si dhe kujdeset për organizimin e eventeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Madje edhe vetë kompania në përshkrimin rreth vetes thotë se ofron lajme të paanshme dhe promovon bashkinë e Stambollit.
“Ne jemi një agjenci reklamash 360 gradë që ofron shërbime shtypi, publikimi dhe promovimi kryesisht për Bashkinë Metropolitane të Stambollit dhe filialet e saj, si dhe kompanitë e korporatave. Ne zhvillojmë përmbajtje për Stambollin, krijojmë hapësira botuese; ne shkruajmë, vizatojmë, prodhojmë dhe ndajmë”, thuhet në përshkrimin e Medya AS.
Ndërsa sipas Reuters, CEO Event Medya AS është një kompani e menaxhimit të ngjarjeve me bazë në Turqi. Kompania është e specializuar në projekte të shkallës globale edhe nëpërmjet bashkëpunimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke ofruar të gjitha shërbimet përkatëse. Kompania fokusohet në 6 fusha kryesore të biznesit: Kongresi, Argëtimi, Sporti, Panairi, Dizajni dhe Menaxhimi i Ngjarjeve të Korporatës.
Por, jo vetëm kaq, ai akuzohet se është i përfshirë në lëvizjen e ashtuquajtur “Urban Consensus”. Kjo lëvizje në Turqi quhet nga qeveria si një marrëveshje midis opozitës CHP të İmamoğlu dhe Partisë pro-kurde të Lirisë dhe Demokracisë së Popullit (DEM Partia) për të mbështetur të njëjtin kandidat në disa rrethe të Stambollit në zgjedhjet komunale. Me anë të kësaj lëvizje, të gjithë që janë kundër Erdogan do të mbështesin një kandidat të vetëm të opozitës, duke i dhënë atij fitoren dhe duke mos iu lënë asnjë shans kandidatëve të tjerë.
Në lidhje me këtë lëvizje, në shkurt u arrestuan edhe 10 zyrtarë të bashkisë së Stambollit. Në pranga ranë nënkryetarët e bashkive të rretheve Kartal dhe Ataşehir, së bashku me anëtarët e këshillit bashkiak nga rrethet Üsküdar, Sancaktepe, Fatih, Tuzla, Adalar, Şişli dhe Beyoğlu, të cilat të gjitha drejtohen nga Partia Popullore Republikane (CHP) kryesore e opozitës. Ata akuzohet se janë bashkëpunëtorë të planit “urban consensus”.
Kjo lëvizje, sipas Prokurorisë, kishte për qëllim të funksiononte si një kornizë për zbatimin e një sistemi autonomie demokratike. Në provincat lindore, plani thuhet se synonte të krijonte autonomi nëpërmjet qeverisjes vendore, ndërsa në provincat perëndimore, kërkohej përfshirja e popullsisë kurde në qeverisjen lokale nëpërmjet një sistemi që i ngjante autonomisë. Modeli i “urban consensus” dyshohet se lejoi grupet kurde të siguronin kuota në këshillat bashkiakë në këmbim të mbështetjes së kandidatëve të caktuar, duke u dhënë atyre ndikim mbi vendimet e këshillit dhe duke i pozicionuar ata si një kundërpeshë politike. Kjo, sipas Prokurorisë iu dha në zgjedhjet e 2024 fitore. Ndërsa u sekuestruan materiale të shumta në zyrat e tyre që dyshoheshin se kishin të dhëna rreth personave të tjerë të përfshirë. Ndërsa tani, një muaj pas këtij aksioni ra në pranga Imamoglu dhe 105 persona të tjerë. Midis të arrestuarve ishte bashkëpunëtori i ngushtë i Imamoglu, Murat Ongun.
Menjëherë pas arrestit të tij, monedha e Turqisë “lira” pësoi rënien më të madhe që prej vitit 2023. Investitorët privatë u tërhoqen nga projektete për shkak të pasigurisë politike dhe të tregut. dhe çmimet e bonove të qeverisë ranë pasi analistët besojnë se arrestimi ngre shqetësime rreth reformave ekonomike në Turqi. Ndërsa, pas arrestit të tij partitë opozitare në Turqi kundërshtuan vendimin duke kërkuar llogari Prokurorisë dhe hodhën akuza ndaj qeverisë se ai u ndalua për qëllime politike. Shumë qytetarët dolën të protestojnë në rrugët e Stambollit.
Policia vendosi siguri të forta në qendër të qytetit dhe bllokoi aksesin në transportin publik për të parandaluar fluksin e mëtejshëm të protestuesëve. Por ata që kanë arritur t’i bashkohen turmës brohoritën parulla të tilla si: “Do të vijë dita, do të kthehet batica, AKP do të japë llogari para popullit” dhe “Qeveri, dorëhiqu”. Ata mbanin gjithashtu pankarta me sloganin e Imamoglu si kryetar bashkie. E gjendur në këto kushte, Policia ngriti barrikada dhe vendosi autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit. Ndërsa një dite më parë, Universiteti i Stambollit anuloi diplomën universitare të udhëheqësit të opozitës Ekrem Imamoglu, duke i hequr të drejtën e kandidimit të tij për president përballë Erdoganit. Diploma ishte lëshuar 30 vjet më parë. Pas marrjes së vendimit, Imamoglu tha se vendimi i universitetit është i paligjshëm dhe paralajmëroi do të nisë një sfidë ligjore. Nga ana tjetër, qeveria e Erdogan mohon presionin politik mbi gjykatat dhe thotë se gjyqësori është i pavarur./ZËRI
Burimi