Televizionet, një biznes jo i mirë, sidomos për lajmet
Foto ilustruese
Në dekadën e fundit, hapja e televizioneve të lajmeve u kthye në një trend. “A2 Media” solli markën e kanalit të njohur të lajmeve CNN, si filial, “Euronews” hyri direkt me markën e tij, si dhe u hapën disa televizione lokale si “Syri Tv”, apo “MCN”. Të dhënat financiare të televizioneve tregojnë se sipërmarrja e informimit të publikut nuk është një biznes i mirë, të paktën në mënyrë direkte. Edhe pas disa vitesh aktivitet, të ardhurat e tyre janë me rritje minimale ose me rënie, ndërsa disa rezultojnë me humbje.
Tregu dominohet nga dy televizionet e mëdha, “Tv Klan” dhe “Top Channel”, që marrin pjesën më të madhe të buxheteve të reklamave dhe arrijnë që të rezultojnë me fitime, ndonëse dhe këto me norma minimale. Qarkullimi vjetor i 11 televizioneve që kanë raportuar të dhënat në vitin 2023 ishte 6.7 miliardë lekë, me rritje prej 13.5% me bazë vjetore. (mungojnë bilancet e Ora dhe Ora News, aktiviteti i të cilave është vënë në sekuestro nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe nuk kanë dorëzuar bilancin e 2023).
“Klan” dhe “Top Channel” vijojnë të dominojnë, me rreth 60% të totalit të qarkullimit dhe janë të vetmit që raportojnë nivele xhirosh nga 17-25 milionë euro dhe kanë udhëhequr rritjen e gjithë tregut në vitin 2023.
Për operatorët e tjerë, kufiri maksimal është rreth 5.5 milionë euro. Këto dy televizione kanë dhe rezultat financiar më të qëndrueshëm, me normat e fitimit që variojnë nga 6-13%. Sidomos për televizionet informative, të cilat u shtuan ndjeshëm vitet e fundit, nuk ka qenë një vit i mirë për të dytin vit radhazi, teksa ato raportojnë rënie të të ardhurave dhe rezultojnë me humbje.
Nga 11 televizione, 7 prej tyre raportojnë humbje dhe 4 kanë shënuar rënie të ardhurash. Tregu i ulët i reklamave, mungesa e hyrjes së kompanive të mëdha vitet e fundit, që do të shtonin buxhetet e marketingut, si dhe kalimi i një pjese të fushatave online, ose nëpërmjet influencuesve, kanë tkurrur burimet e të ardhurave për televizionet e shumta në vend.
“TV Klan” ka vijuar të jetë televizioni më i madh në vend edhe në vitin 2023 nga transmetuesit pa pagesë. Të ardhurat arritën në gati 2.5 miliardë lekë, me zgjerim prej 19%, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Fitimet u trefishuan në 324 milionë lekë, duke arritur sërish vitin më të mirë sa i takon përfitueshmërisë. Norma e fitimit ishte 13%.
“Top Channel” është i dyti më i madh në vend. Të ardhurat e televizionit ishin 1.75 miliardë lekë në 2023, me zgjerim prej gati 22% me bazë vjetore. Fitimet pothuajse u dyfishuan, në 107 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 6.1%.
“Media Vizion” (Vizion Plus) raportoi të ardhura prej 544 milionë lekësh, me rritje 25% me bazë vjetore. Fitimet ishin 20 milionë lekë, me një normë prej 3.7%.
“TV A2” rriti të ardhurat me 10%, në 456 milionë lekë, ndërsa fitimet ishin minimale, në 4.3 milionë lekë, me një normë prej vetëm 1%.
“ABC News” u ngjit në vendin e pestë. Të ardhurat ranë lehtë me 4%, në 333 milionë lekë. Televizioni deklaroi një humbje prej 20.4 milionë lekësh.
“News 24” ka raportuar rënie të të ardhurave me 9.2%, në 315 milionë lekë, duke zbritur në vendin e gjashtë dhe ka deklaruar humbje prej 66 milionë lekësh.
“Report TV” (MTSC) rezultoi me të ardhura prej 280 milionë lekësh, me tkurrje 7% dhe raportoi humbje prej 25.6 milionë lekësh.
“EuroNews” ishte nga të paktët që deklaroi rritje të fortë të të ardhurave, me 20%, në 259 milionë lekë. Kompania vijon të dalë me humbje që nga fillimi i aktivitetit, që në 2023 ishte 89 milionë lekë.
“Syri TV” deklaroi të ardhura prej 114 milionë lekësh, me rritje rreth 7%.
Televizioni “Scan” kishte të ardhura prej 106 milionë lekësh (-16.6%).
“MCN TV” (Johaniteri) raportoi të ardhura prej 70 milionë lekësh dhe humbje prej 30 milionë lekësh./Monitor
Burimi