Të shtënat me armë zjarri ndaj Audi-t të blinduar në Shkodër, policia identifikon autorët. Mister shënjestra
Mjeti i blinduar
SHKODËR- Policia e Shkodrës ka zbardhur pjesërisht ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Bushatit, ku dyshohet se mes dy grupeve kriminale ka pasur përplasje me armë.
Për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Prendi dhe një person tjetër si autor të dyshuar të ngjarjes, banues në fshatin Rranxa. Mendohet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motorr me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip audi, ndërsa të tjerët kanë qenë në një mjet tip BMW, që është sekuestruar nga policia.
Mjeti tip BMW është i dëmtuar edhe ai nga plumbat duke ngritur dyshime se mes personave ka patur shkëmbim zjarri. Ndërkohë është ende e paqartë se kush janë personat që ndodheshin në mjetin e blinduar, të cilët pasi janë gjendur përballë kësaj prite me armë zjarri, dhe dyshohet se janë kundërpërgjigjur.
Automjeti tip Audi që u qëllua ka qenë në ecje e sipër dhe dyshohet se personat që ndodheshin brenda po shkonin tek vëllezërit Prendi për një konflikt të dyshuar mes tyre, por janë pritur me armë zjarri. Policia ka ushtruar kontrollë në banesën e vëllezërve Prendi në Rranxa por nuk i kanë gjetur aty dhe është bërë shpallja e tyre në kërkim.
Personat e ndodhur në automjetin tip Audi dyshohet se janë larguar me një makinë tjetër, e cila ishte në mbështetje të tyre. Policia ka mbledhur kamerat e sigurisë në zonën përreth duke bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe sekuestrimin e automjetit tip BMW. Efektivët vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
ÇFARË NDODHI MBRËMJEN E DJESHME
Një automjet tip Audi i blinduar u qëllua me armë zjarri në Vaun e Dejës. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rranxa të Bushatit, ku automjeti është gjetur i braktisur nga forcat e policisë. Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, automjeti i blinduar, i cili kishte pësuar dëmtime nga plumbat, është zbuluar në një zonë të izoluar./ZËRI
Burimi