
Sunny Williams – Butch Wilmore: Si i kaluan 9 muaj të bllokuar në hapësirë?
Butch Wilmore dhe Sunny Williams
SHBA- Astronautët e NASA-s Butch Wilmore dhe Suni Williams më në fund u kthyen në Tokë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës. Fillimisht ata ishin planifikuar të kalonin vetëm 8 ditë në hapësirë, por një problem teknik me anijen kozmike i bllokoi atje pa një datë kthimi.
Por si ishte jeta për dyshen që papritur kaluan 9 muaj të tërë 400 kilometra larg sipërfaqes së planetit?
Sipas një artikulli të ri të BBC-së, 59-vjeçari dhe 62-vjeçarja e mbushën kohën e tyre me punë mirëmbajtjeje të anijes, eksperimente dhe shëtitje në hapësirë. Ata gjithashtu patën mundësinë të shihnin Diellin duke lindur dhe perënduar aqherë sa nuk i numëruan dot. Kjo sepse stacioni hapsinor bën 16 rrotullime rreth Tokës çdo 24 orë dhe ofron pamje nga 16 lindje dhe perëndime të diellit.
Siç komentoi Sunny, kjo përvojë dhe koha e mjaftueshme që ajo kishte në një hapësirë larg Tokës e ndihmoi të “hapte mendjen” dhe të mendonte pak më ndryshe.
“Ne kemi një planet dhe duhet ta mbrojmë atë.”
Megjithatë, gjatë qëndrimit të tyre në Stacionin Hapësinor, ata nuk u ndjenë larg shtëpisë falë aq shumë njerëzve që i dërguan mesazhe nga Toka. Nga fundi i shtatorit ata pritën në stacion edhe Nick Hague dhe Aleksandr Gorbunov. Madje, astronautët patën mundësinë të votojnë në zgjedhjet amerikane, duke i dërguar votat e tyre përmes satelitëve me një sistem të veçantë enkriptimi.
“Është një detyrë shumë e rëndësishme që kemi si qytetarë,”-shtoi Sunny.
Qëndrimi i zgjatur në kushtet e gravitetit zero ishte një provë jo vetëm për gjendjen e tyre mendore, por edhe për trupin e tyre. Të dy duhej të ushtroheshin të paktën dy orë në ditë për të mos lejuar të ndodhte humbja e densitetit të kockave.
“Të paktën, në gravitet zero nuk të dhembin nyjet dhe kjo është një gjë e mirë,”-shtoi Butch./ZËRI
Burimi