SKANDALI tek Onkologjiku/ Protestë tek Ministria e Shëndetësisë, kërkohet dorëheqja e ministres
Pamje nga protesta
TIRANË- Nis protesta e shoqërisë civile përpara Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo protestë vjen pas skandalit të regjistruar në spitalin e Onkologjisë, ku mjekë e punonjës, përfshirë zëvendës drejtoreshën e Qendrës Spitalore Universitare, Brikena Qirjazi, ishin përfshirë në një skemë mashtrimi në kurriz të pacientëve. Me dhjetëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu. Protestuesit u shprehen se pacientët e marrin shërbimin e kimioterapisë si në spitalet e Gazës, ndërsa shtuan se kushtet janë skandaloze dhe mungojnë ilaçet.
Gjatë fjalës së tij për mediat, gazetari, Osman Stafa u shpreh se ilaçet e personave që vuajnë nga kanceri dhe marrin trajtim pranë Onkologjikut nuk rimbursohen. Ndërsa shtoi se ka dhe mungesa në disa medikamente.
Osman Stafa: Këtu mbeten ata që shesin lopën dhe shtëpinë, apo marrin kredi. Nuk rimbursohen sot ilaçet në Shqipëri të atyre personave që vuajnë nga kanceri. Sistemi ynë shëndetësor ka shumë mjekë që bëjnë mirë punën e tyre. Kjo është një protestë kundër sistemit. Nuk mund të bësh pazar me jetën e një personi që nuk dihet si do i shkojë jeta. Thirrja është ndaj ministrisë së shëndetësisë, ndaj kryeministrit Rama, duhet të sigurojnë ilaçet. Aktualisht në QSUT ka qytetarë që nuk bëjnë kimio, sepse mungojnë pajisjet dhe medikamentet. Nëse nuk reagojnë ata që duhet të reagojnë, reagojmë ne.
Ndërkohë një qytetare, tregoi historinë e mbesës së saj, e cila vuante nga kanceri dhe nuk kishte marrë shërbimin e duhur nga mjekët. Ndërsa shtoi se nuk mund të marrësh shërbim pa paguar mjekët, madje dhe rojën që qëndron në hyrje të derës së spitalit. Ndërkohë sipas saj, mjekët i orientojnë familjarët e pacientëve drejt farmacive me të cilat kanë lidhje.
Qytetarja: Kam mbesën që kurohet për këto sëmundje. 20 mijë lekë shkon me i bërë sërumin. Thuhet shëndetësia falas, na thonë shkoni në filan farmaci. Mirë unë, po ajo vajzë, që e ka jetën para, 25 vjeçe. A mund të shkojnë të gjithë jashtë shtetit. Nuk mund të shkosh në spital se të sheh xhepin, nuk kemi lekë për autobusë. Ne jemi me drejtësinë nuk na duhet partia. Me taksat e fëmijëve tanë paguhen të gjithë. Kam shumë emocione, kam shumë hall. Vajza ka qenë në punë, me nota ekselente. Shteti nuk interesohet për shëndetin e saj. Nuk mund të hysh tek dera pa i dhënë rojëa 5mijë lekë. A mund ti thuash fëmijës vdis për një sistem sërumi që thonë mere në filan farmaci.
Çfarë ndodhi në spitalin e Onkologjisë në QSUT
Mjekët e punonjësit e spitalit “Onkologjik” kishin ngritur një skemë mashtrimi e abuzimi, ku për të fituar shuma të majme monetare, linin pa shërbim pacientët me sëmundje tumorale, në mënyrë që ata të drejtoheshin tek klinika private. Pjesë e kësaj skeme ishin: Edmond Gashi, mjek pranë Spitalit Onkologjik, Emiljano Lela, koordinator pranë Spitalit Onkologjik, Alketa Ymeri (Pere), Mjeke pranë Spitalit Onkologjik, Brikena Qirjazi zëvendësdrejtoreshë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, në bashkëpunim me pronarin e klinikës private “Megis”, që është në administrim të Halil Gashit, Florian Marku, administratori i farmacisë ‘Flori Farma’ dhe Drilona Kishta.
Sipas dosjes së siguruar nga ZËRI, nëse një pacient kërkonte të merrte shërbim pranë Onkologjikut, mjekët i flisnin për radhë të gjata dhe i orientonin për në klinikën “Megis”. Medikamentet shiteshin kontrabandë të dyshuara dhe të falsifikuara, duke rënduar kështu situatën. Disa prej barnave ishin marrë na departamenti i Onkologjisë. Kur një pacient kërkonte dozën tek Onkologjiku, i jepej një sasi e vogël, pjesa tjetër gjendjej në klinikën “Megis”. Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që ishte lënë jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët.
Përgjimet dhe bisedat mes mjekëve dhe bashkëpunëtorëve nuk nxorrën në pah vetëm paligjshmërinë që po zhvillohej në këtë spital, por edhe neglizhencën e mungesën e humanitetit që bluzat e bardha tregonin ndaj të sëmurëve. Një prej rasteve është ai kur pacientët kishin temperaturë, ndërsa mjeku Gashi shfaqet totalisht moskokëçarës ndaj këtij fakti. Në të tjera mesazhe dallohet paniku i shtuar tek pacientët e sëmurë që i dërgonin me urgjencë tek klinika private në mënyrë që të operoheshin aty dhe tu merreshin paratë, pavarësisht shanseve që kishin për të mbijetuar. Bisedat ku mjekët ishin të interesuar dhe detajistë janë ato për pazaret nën duar si dhe pushimet që do të bënin me paratë e fituara./ZËRI
Burimi