SKANDALI tek Onkologjiku/ Mjekët të shqetësuar, Senjo: Njëri më mori në telefon pse nuk i kishin rënë flokët
Sotiraq Senjo, mjek onkolog
TIRANË- Skandali që preku disa mjekë në spitalin e Onkologjisë ku bënin Pazar me vdekjen në kurriz të pacientëve, ka dëmtuar raportin mjek-pacient. Këtë e ka bërë me dije Sotiraq Senjo, mjek onkolog. Ky i fundit shprehet se pas ngjarjes pacientët janë bërë më mosbesues dhe kjo nuk i shërben fare atyre. Ai ka treguar dhe një rast ku familjari i një pacienti e ka marrë në telefon dhe i ka thënë se personi që vuan nga sëmundja e rëndë nuk i kanë rënë flokët.
Sotiraq Senjo: Puna vazhdon normalisht. E vetmja gjë që shohim është që pacientët janë bërë më mosbesues dhe kjo nuk i shërben fare pacientëve. Mua më kanë marrë familjarë të pacientëve dhe më kanë thënë që nuk kanë ecur mirë pacientët se nuk i është futur uji, apo nuk i kanë rënë flokët. Por jo me të gjitha kimio terapitë të bien flokët. Marrëdhënia mjek- pacient është dëmtuar dhe kjo do të ketë efekte afatgjata. Jo të gjithë pacientët ecin mirë nën trajtim. Ata që do të ecin keq do të jenë mosbesues. Çdo të bëjmë tani, do thërrasim prokurorinë për Çdo gjë? Përfshirja e disa individëve në skemat e korrupsionit, po penalizion të gjithë mjekët që ofrojnë shërbim në Onkologjik shumë prej të cilëve kanë shpëtuar jetë njerëzish.
I ndalur tek skema e përdorur nga mjekët, të cilët ulnin dozën e kimioterapisë dhe pjesën tjetër e shisnin tek klinika private, mjekut shprehet se kjo është diçka e patolerueshme, pasi dozat ulen vetëm në raste komplikacionesh, por nuk do të thotë që ulet doza me qëllimin për të shitur. Deklaratën e bëri, në një prononcim për TCH.
Sotiraq Senjo: Mjekët ulin dozat e kimioterapisë, kjo është diçka normale që ndodh në raste komplikacionesh, por nuk do të thotë që ulet doza me qëllimin për të shitur. Mjeku nuk ka asnjë kontakt e ilaçet. Mjeku plotëson recetën dhe e dërgon nëpërmjet infermieres në farmacinë qendrore ku tretet ilaçi dhe nuk ka asnjë kontakt me ilaçin. Nuk mund të marrë mjeku ilaçin dhe ta shesë. Ekipi i mjekëve në shërbimin onkologjik shprehet i revoltuar pasi janë kundër hetimeve që ndërmerr prokuroria, por publikimi i dosjes sipas tyre është i patolerueshëm pasi cenon rëndë imazhin e të gjithë bluzave të bardha. Në dosjen e prokurorisë përfshihet dhe brakiterapia e cila ka mbërritur që në kohën e pandemisë dhe për të cilën mjekët kanë denoncuar pasi burimi i rrezatimit nuk kishte bunker të posaçëm dhe rrezatimi dëmtonte mjekët dhe pacientët.
Mjekët e spitalit Onkologjik janë paraqitur sot para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Asnjë prej tyre nuk është vendosur në burg nga togat e zeza, por duket se mjekët kishin frikë mediat më shumë se drejtësinë. Edmond Gashi para se të hynte në Gjykatë tha se kishte bërë vetëm detyrën, ndërsa pas seancës ia futi vrapit që të mos kapej nga mediat. Nga ana tjetër, Alketa Pere në fjalën e saj në vend që të fliste për skandalin është revoltuar me gazetarët se pse i kanë nxjerrë fotot të këqija nëpër media. Pasi doli nga gjykata, bëri një “alibi brilante” për veten duke u shprehur se nuk ishte ajo Alketa që dilte në përgjime. Ndërkohë që secili prej mjekëve ka pretendimet e veta për pafajësi, me çdo orë që kalon, qytetarët japin dëshmi që thellojnë skandalin që ndodhte nën hundën e të gjithëve para Onkologjikut./ZËRI
Burimi