Skandali tek Onkologjiku, Lapaj çon në SPAK Beqajn, Manastirliun dhe Koçiun, i akuzon për vrasje

Skandali tek Onkologjiku, Lapaj çon në SPAK Beqajn, Manastirliun dhe Koçiun, i akuzon për vrasje

adriatik lapaj

TIRANË- Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka kallëzuar në SPAK, drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtuesit e QSUT në 10 vitet e fundit, pas skandalit që ka dalë në dritë së fundi në spitalin Onkologjik. Padia është bërë për mosmarrjen e masave për plotësimin e nevojave me ilaçe dhe pajisje mjekësore të cilat kanë shkaktuar dëmtimin e shëndetit dhe humbjen e jetës së qindra qytetarëve. Ka qenë vetë kreu i kësaj lëvizjeje, Adriatik Lapaj që ka dorëzuar dosjen në SPAK.
“Prej më shumë se 6 muajsh me kolegët avokatë dhe juristë, po mbledhim prova me këtë që së fundmi është përhapur si skandal, me mungesën e ilaçeve, pajisjeve mjekësore. Kemi një korrespondencë me QSUT, një mbledhje dokumentacioni prej 2020 dhe tani.
Prej 2015 deri sot ka pasur dijeni gjithë zinxhiri drejtues për mungesën e ilaçeve, me sëmundjen kancerogjene dhe pajisje mjekësore, na rezulton se është ndjekur një praktikë që në gjykimin tonë është dramatike dhe çnjerëzore, është përcaktuar një buxhet tavan për ilaçet, dhe ndërkohë nuk janë marrë me nevojat e spitaleve, pra kanë vënë buxhet 5 mln euro ilaçe, ndërkohë spitali ka pasur nevojë për 7 milionë euro dhe ndërkohë janë lënë me vetëdije të plotë 2 mln euro ilaçe të pa blera”, tha Lapaj.
Në dokumentin që ka depozituar në SPAK, “Shqipëria bëhet” ka kallëzuar dy ish-ministrat e shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ogerta Manastiliun, si edhe ministren aktuale, Albana Koçiu, largimi i së cilës është kërkuar pas zbulimit të skandalit se mjekë në QSUT i trajtonin pacientët të sëmurë me kancer, si mall në tregun e shumicës. Gjithashtu, Lapaj ka kallëzuar në SPAK dhe ish-drejtorët e QSUT, Enkelejd Joti dhe Albana Fico, kjo e fundit e shkarkuar pas zjarrit që ra në Urgjencën e spitalit.
Në 19 faqe dokument, Lëvizja “Shqipëria Bëhet” argumenton se ka gjetur mjaftueshëm shkelje nga drejtues dhe ish-drejtues të Ministrisë dhe QSUT-së, prandaj i ka kallëzuar për akuzat “shpërdorim të detyrës”, “vrasje me dashje”, “vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër” dhe “neglizhence në trajtim mjekësor”. /ZËRI
Burimi