Skandali të spitali Onkologjik, Koçiu: E nderuar që jam pjesë e kësaj qeverie, faji ka emër

Skandali të spitali Onkologjik, Koçiu: E nderuar që jam pjesë e kësaj qeverie, faji ka emër

Albana Kociu

TIRANË- Ka nisur interpelanca në Kuvend, e kërkuar nga deputetët e opozitës, me ministren e shëndetësisë Albana Koçiu, në lidhje me skandalin e zbuluar në spitalin Onkologjik, ku pacientët dërgoheshin për mjekim në klinikat private me qëllim përfitimin. Ministrja e nisi politikisht fjalën e saj, ku përgëzoi qeverinë, pjesë e të cilës është edhe vetë, për reagimin e shpejtë pas publikimit të rastit.
“Dua të sjell në vëmendje veçanërisht reagimin e kryeministrit, për këtë fenomen. Jam e nderuar që jam pjesë e kësaj qeverie, që merr përsipër përgjegjësitë dhe nuk iu shmanget atyre. Mendësi kjo që i përket reminishencës së të kaluarës. Në këtë qeverisje faji ka emër, kushdo që provohet fajtor nuk ka më punë me këtë qeveri dhe me familjen tonë politike.
E njëjta gjë vlen dhe për mjekët, që duhet të mbajnë përsipër përgjegjësinë e tyre. Këto nuk do të kishin kuptim pa reformën në drejtësi. Në lidhje me zullumin që doli në dritë në spitalin onkologjik, MSH reagoi menjëherë dhe bëri thirrje për zbardhjen e ngjarjes, organet e drejtësisë të hetojnë me zero tolerancë, për të gjitha ata që kanë abuzuar me misionin e mjekut.
Jeni ju për t’ju qarë hallin, na është dashur shumë punë, që të rikthejmë statusin e mjekut”, u shpreh mes të tjerave Koçiu.
Në emër të grupit të PD-së, deputetja Zheni Gjergji tha se abuzimet në Onkologjik shkërmoqën “shëndetësinë e Edi Ramës” ndërsa tha se korridoret e Onkologjikut u kthyen në një “kancer” për sistemin shëndetësor.
Duke iu drejtuar ministres Koçiu, deputetja kërkoi llogari se pse ajo mbylli sytë para raporteve të KLSH ku tregonte abuzimet në Spitalin Onkologjik dhe nuk mori masa.
“Shëndetësia e Ramës u shkërmoq, u mund nga kanceri aty ku luftohet kjo sëmundje në korridoret e onkologjikut. Të gjithë e pamë korrupsionin qeveritar të ministrive dhe ish ministrave, drejtorëve dhe ish drejtorëve dhe në fund e disa mjekëve. Ju mund të fshiheni pas faktit se keni pak muaj në krye të shëndetësisë por përgjegjësitë nuk maten në kohë, por duhet të zbatonit ligjin për të parandaluar dhe vepruar në kohë për t’i dhënë fund abuzimeve vetëm te onkologjiku.
Abuzimit janë galoponte në sektorin e shëndetësisë. Lufta juaj nuk është me shkelësit e ligjit, por me ata që thënë të vërtetën dhe ju kërkojnë llogari për të trajtim njerëzor dinjitoz. KLSH ka ngritur alarmin për shkeljet dhe mjekimet e skaduara, mungesën e tyre. Për mungesë trajtimi me kimioterapi dhe së fundi për mosvënien në punë të aparaturës së kobaltit si dheshmi që jeta vlen shumë pak. Këta janë përgjegjësi e juaja që keni bërë veshin e shurdhër për të ndryshuar situatën tek onkologjiku. Të distancoheni nga veprimet  shefit dhe ish paraardhësit e juaj”, tha deputetja. /ZËRI 
Burimi