Skandali te Onkologjiku/ Vokshi: Makabër! Aksion i vonuar, u marrin lekët, para se t’u marrin shpirtin
Albana Vokshi
TIRANË-Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, njëkohësisht edhe drejtuesja e Komisionit Hetimor Parlamentar për koncesionet në Shëndetësi, ka komentuar aksionin e prokurorisë për ndalimin e mjekëve dhe zyrtarëve të QSUT-së. Në reagimin e saj Vokshi e quan aksionin e SPAK një hap të vogël dhe të vonuar. Sipas Vokshit, kjo është provë e korrupsionit të qeverisë që ka përvetësuar edhe ‘tenderin e kancerit’.
Reagimi i plotë:
Masat e sigurisë ndaj tetë zyrtarëve dhe mjekëve të QSUT-së, janë vetëm një hap i vogël, krejt i pamjaftueshëm dhe i vonuar, që nuk prek as nuk e ç’rrënjos korrupsionin malinj në shëndetësi. Pas skandalit në arsim, ku dy mësuese, njëra drejtoreshë e gjimnazit Qemal Stafa, mashtronin studentët e tyre me ‘ëndrrën amerikane’, prova që vjen nga Spitali Onkologjik është dëshmia se qeveria, edhe ‘tenderin e kancerit’ e ka përvetësuar për qëllime të pastra fitimi.
Të marrësh nga shteti, t’i shesësh te privati ilaçet e kimioterapisë, që janë vija e fundit mes jetës dhe vdekjes të shqiptarëve të sëmurë, është makabre. Partia Demokratike u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, të mos hetojnë majën e ajsbergurt, por zemrën e korruptuar të sistemit, në qendër të të cilit nuk gjenden disa zyrtarët të vegjël, por radha e ministrave të Edi Ramës, nga Beqja te Manastirliu, radha e drejtuesve te QSUT shefave etj.
Orientimi i pacientëve me tumore drejt privatit, pasi i kanë shitur po privatit ilaçe anti-tumorale, për të cilat qytetarët kanë paguar një herë taksat, është fytyra e zezë e Edi Ramls, fytyra e shëmtuar e një sistemi shëndetësor që ngriti Edi Rama me ministrat e tij ‘kampionë të korrupsionit’. Premtimi për mjekësi falas është mashtrimi më i madh i Edi Ramës për qytetarët. Realiteti është ky: zyrtarët e administratës dhe mjekët patronazhsitë i sorollasin pacientët me sëmundje terminale nga një spital në tjetrin. U pakësojnë dozat, duke u zgjatur agoninë. U marrin lekët, para se t’u marrin shpirtin.
Alarmi i ngritur vazhdimisht, vit pas viti, muaji pas muaji dhe javë pas jave nga Partia Demokratike, ka rënë në vesh të shurdhër të qeverisë, prokurorisë dhe SPAK-ut. Shqiptarët tashmë e dinë: nuk ka mjekësi falas. Sistemi shëndetësor i Ramës është shndërruar në një hapësirë që dalëngadalë po merr shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Ka vetëm një detyrë qytetare dhe atdhetare: të përcjellim Ramën dhe hajdutët e tij para se ata të përcjellin të gjithë shqiptarët.
Situata te Onkologjiku
Edmond Gashi, mjek pranë spitalit Onkologjik në QSUNT, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri (Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim lidhur me skemën e mashtrimit që përdornin me personat e sëmurë me kancer.
Këta mjekë, i detyronin pacientët që të trajtoheshin në klinika private, duke mos iu oftuar shërbimin e nevojshëm në shtet. Ndërkohë që dhe ilaçet që janë të detyrueshme të siguroheshin nga shteti, provohet se shiteshin lirshëm nëpër farmaci, e madje të papajisura më pullë fiskale./ZËRI
Burimi