Skandali në spitalin Onkologjik, Rama: Krimi i mjekëve është krim kundër njerëzimit
Edi rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur para drejtuesve të spitaleve në vend, ku ka adresuar shqetësimet e tij, pas skandalit të raportuar në spitalin Onkologjik.
Teksa iu përgjigj akuzave të shumta që janë bërë këto ditë, edhe nga segmente të politikës, Rama tha se dorëheqja e Ministres së Shëndetësisë, do të ishte joracionale. Sipas Ramës, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të japin dënimin maksimal, për të gjithë mjekët e përfshirë.
“Duke u përgatitur për këtë adresim publik, në një moment shumë të errët që krijoi për bluzat e bardha, veprimtaria e disave prej jush në spitalin onkologjik, mu kujtuan fjalët e Besim Elezit, as në ëndërr nuk e kishim parë dot një spital në këto kushte më tha, kur hapëm repartin e sëmundjeve të brendshme.
Ata dhe kolegët e tij kanë punuar në kushte heroike, pa mjete, por kishin pastërtinë e tyre. Në këtë territor ku jemi sot, nuk mungonte figura dhe përkushtimi i mjekut, ndërsa sot nuk mugon pothuajse asgjë, nga çfarë kishim dje, por fatkeqësisht jo gjithnjë figura dhe përkushtimi i mjekut janë në lartësinë e misionit që nis me betimin e hipokratit.
Të mos jesh në lartësinë e detyrës, në profesionin tuaj, është një hall shumë i madh për njeriun, që i lidhet fati i shëndetit. Ta përdorësh uniformën më simbolike, njësoj si maskat e grabitqarëve të bankave, për të nxjerrë paratë nga të sëmurët, është krim kundër njerëzimit”, u shpreh Rama.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, e pranishme në takim, bëri me dije se nuk do të lejohen më mjekët që të ndjekin të njëjtin pacient në publik dhe në privat: “Mjekët e punësuar në sektorin publik që punojnë në klinika private duhet të marrin autorizim nga drejtuesi i spitalit dhe do konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë. Do të ndalohen mjekët që të ndjekin të njëjtët pacientë edhe në klinikat private. Kjo praktikë është toleruar gjatë këtyre viteve dhe u zgjat pasi kjo qeveri vendosi të ndërmarrë reformën shëndetësore. Sot jemi në hapin e fundit të reformës dhe së shpejti QSUT dhe spitalet e tjera do të marrin autonominë e plotë. Mjekët që kanë hapur klinika private nuk do të mund të mbajnë funksione drejtuese në spitale publike apo në Universitetin e Mjekësisë”. /ZËRI
Burimi