SKANDALI me Dior dhe Armani, shesin mijëra euro çantat…por sa i paguajnë punëtorët?
Foto ilustruese
ITALI- Një seri kontrollesh në Itali kanë ekspozuar kontrastin midis botës magjepsëse të pasarelave të Milanos dhe disa prej realiteteve të prodhimit të këtyre markave luksoze. Një hetim i nisur nga prokurorët e Milanos për kushtet e punës në fabrikat lokale që prodhonin çanta dore dhe produkte të tjera lëkure për Dior dhe Armani gjeti shkelje dhe shfrytëzim të punëtorëve. Dior e paguan furnizuesin 53 euro për të “krijuar” një çantë dore që më pas e shet në dyqane për 2600 euro. Ndërkohë, çantat Armani iu shitën një furnizuesi për 93 euro, më pas iu rishitën Armani-t për 250 euro dhe përfundimisht në dyqane blihen me 1,800 euro. Çmimet e kostos nuk përfshijnë lëkurën ose lëndët e tjera të para. Kompanitë mbulojnë veçmas kostot e projektimit, shpërndarjes dhe marketingut.
Pamje nga kontrollet
“Pse kushton kaq pak për të prodhuar produktin? Markat duhet t’ia bëjnë vetes këtë pyetje. Ata duhet të jenë përgjegjës për të gjithë zinxhirin. Kjo është mënyra e vetme që ne mund ta ndalojmë këtë sistem që çon në shfrytëzimin e punëtorëve,”-tha Fabio Roia, pjesë e sistemit gjyqësor të Milanos.
Vendimet e gjykatës që rrjedhin nga hetimi “kritikuan” kompanitë luksoze se kishin dështuar në mbikqyrjen e zinxhirëve të furnizimit, por nuk do të përballen me akuza për këto gjetje të Prokurorisë. Por disa nga furnizuesit po! Disa mund të përballen me akuza për shfrytëzim të punëtorëve ose dhe punësimin e tyre pa pasur dokumentacionin e duhur. Vendimi i gjykatës në lidhje me Dior u fokusua në katër kompani të zonës së Milanos në zinxhirin e furnizimit të “Dior”, dy prej të cilave furnizonin drejtpërdrejt markën. Në këto fabrika, punësoheshin dhjetëra punëtorë, emigrantë të paligjshëm ose persona që ishin “në të zezë” duke shkelur kështu ligjet për kushtet e punës.
Punëtorët shpesh përdornin makina nga të cilat ishin hequr pajisjet e sigurisë për të rritur produktivitetin, duke rrezikuar jetën e tyre. Disa të tjerë jetonin, hanin dhe flinin në punishte. Duke u bazuar në të dhënat e konsumit të energjisë elektrike punonjësit zakonisht punonin nga agimi deri pas orës 21:00, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare. Madje në momentin kur hetuesit shkuan për kontrolle në këto fasoneri, 3 punëtorë që ishin në “të zezë” kishin tentuar që t’u largoheshin me vrap për t’u shpëtuar kontrolleve, por nuk ia dolën që të largoheshin dhe sërish përfunduan në prangë. Hetuesit intervistuan punëtorët të cilët thanë se paguheshin vetëm 2-3 € në orë për të punuar ditë të gjata. Kjo pagë është shumë më e ulët se niveli i përcaktuar nga marrëveshja kolektive që mbulon sektorin e fasonerive.
Lidhur me hetimin, Dior nuk pranoi që të komentonte, ndërsa Armani tha se kishte ndërmarrë masa kontrolli dhe parandalimi për të minimizuar abuzimet në zinxhirin e furnizimit duke shtuar gjithashtu se po bashkëpunonin me transparencë me autoritetet. Hetimi italian nxjerr në pah një çështje dukshëm problemet moderne në industrinë e luksit. Ndërsa sektorë të tjerë e kanë zhvendosur prodhimin në Kinë dhe vende të tjera me paga të ulëta, shumë marka luksoze e mbajtën “Made in Italy”, por kjo nuk e përjashton faktin se disa mallra luksi prodhohen nga punëtorë të huaj, shumë prej të cilëve janë kinezë. Kjo nuk duhet të ndodhë kur mallrat luksoze kanë çmime të larta pjesërisht për shkak të pritshmërisë se duhet të prodhohen nga punëtorë të kualifikuar në punishte artizanale. Në realitet, ndërkohë që markat e mbajnë dizajnin dhe zhvillimin e produktit brenda vetes, ato shpesh e delegojnë prodhimin tek furnitorët.
Pjesa më e madhe e kësaj ndodh në Itali, e cila është shtëpia e mijëra prodhuesve të vegjël dhe prodhon rreth 50% deri në 55% të veshjeve luksoze dhe artikujve prej lëkure në botë./ZËRI
Marrë dhe përkthyer nga “The Wall Street Journal”
Burimi