
Shtrimet në spitalet publike për 2024 u rritën 5%

FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Numri i pacientëve të trajtuar në shërbimet spitalore publike me shtretër për vitin 2024 u rrit 5% krahasuar me vitin paraardhës.
Teksa numri i përgjithshëm i të shtruarve në spitale ishte në rritje për 2024, konstatohet se për repartet e kardiologjisë, në psikiatri dhe trajtimet me radioterapi kanë rënë nga 4 deri në 33%. Por ka pasur shtim të numrit të seancave për pacientët që trajtohen me dializë me 3% krahasuar me vitin paraardhës.
Të dhënat për numrin e pacientëve të trajtuar në shërbimin spitalor janë publikuar në raportin te “Raporti i monitorimit për ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2024”.
Bien shtrimet në psikiatri dhe kardiologji
Referuar të dhënave numri i pacientëve të trajtuar me shtretër në spitalet publike arriti në 322,025 pacientë kundrejt 397,580 të parashikuara, me një kosto prej 86,792 lekë/pacientë. Në raport me 2023 numri i pacientëve të shtruar u rrit 5%.
Numri i pacientëve të trajtuar në spitalet psikiatrike është 1,096 pacientë kundrejt 924 të parashikuar me një kosto prej 874,173 lekë/pacient. Krahasuar me 2023 numri i shtrimeve ka rënë 33%.
Pacientë të trajtuar nga paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë rezultuan 10,453 pacientë në 2024 kundrejt 9,720 të parashikuar me një kosto prej 118,911 lekë/pacientë. Shtrimet në kardiologji janë ulur 4% krahasuar me 2023.
Numri i seancave për pacientët që trajtohen me dializë në 2024 arritën në 205,633 seanca kundrejt 225,000 të parashikuara me një kosto prej 12,868 lekë/seancë. Krahasuar me vjet numri i seancave u rrit 6%.
Numri i pacientëve të trajtuar nga paketat e transplanteve renale arriti në 14 në 2024 me një kosto prej 1,620,429 lekë/pacientë. Numri i transplanteve ra 33% krahasuar me 2023.
Depistimet për kancerin e gjirit dhe qafës së mitrës
Depistimet nga gratë për kancerin e gjirit në 2024 kanë rënë krahasuar me vjet, por janë rritur kontrollet parandaluese për kancerin e qafës së mitrës.
Sasia faktike e kontrolleve në 2024 arriti në 10,200. Krahasuar me vjet numri i tyre u rrit 10.4%.
Ndërsa depistimet për kancerin e gjirit janë me rënie. Në 2024 janë kryer 3,700 kontrolle apo 28% më pak se 2023. Qëllimi i kontrolleve bëhet për të kapur më herët ose për të parandaluar sëmundjet tumoriale te gratë. Në vend kontrollet për kancerin në qafën e mitrës kryhet nga Shërbimi Parësor.
Sipas të dhënave të raportit të monitorimit, rënie është shënuar edhe te pacientët që trajtohen me seanca radioterapie. Pacientë të trajtuar me radioterapi kanë qenë 29,665 pacientë kundrejt 25,091 të parashikuar me një kosto prej 3,314 lekë/pacientë. Krahasuar me 2023 numri i tyre ra 6%./Monitor