Shtrenjtohen kostot e industrisë së reçelrave dhe kompostove

Shtrenjtohen kostot e industrisë së reçelrave dhe kompostove

recel dhe komposto

TIRANË- Mirosh Çela, prej 10 vitesh, ka mbjellë 1,800 drurë qershi në një sipërfaqe toke prej 10 hektarësh, në fshatin Slabinjë të Mokrës, e njohur për prodhimtarinë e lartë të drurëve frutorë, që në periudhën komuniste.
Për shkak të mbiprodhimit të sivjetshëm në treg, çmimi i qershisë me shumicë varion nga 40-60 deri në 80 lekë. Mirosh Çela thotë se çmimi i kërkuar nga tregtarët është nën kosto.
“Këtë vit, situata është katastrofë. Ka mbiprodhim, por qershinë ose po e shesim nën kosto, ose po e lëmë të kalbet në pemë. Që një fermer të nxjerrë fitim nga prodhimi, duhet ta shesë të paktën me 100 lekë për kg qershinë.
Nga tregtarët e zonës, çmimi i kërkuar i qershisë është 60 lekë. Për shkak të çmimit të paleverdishëm, u kalbën pa shitur në pemë 2 tonë prodhim. Kam nisur vjeljen për 10 tonë prodhim me shpresën për ta shitur me 80 lekë për kg”.
Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2022, në zonat rurale të Bashkisë së Pogradecit të mbjellat me drurin e qershisë zunë një sipërfaqe toke prej 130 ha, apo 5% të totalit të tokës në rang vendi.
Për fermerët e kësaj zone, përveç mungesës së tregut të shitjes, problematika kryesore e rritjes së kostos është mungesa e fuqisë punëtore. Vështirësitë për gjetjen e vjelësve i kanë detyruar fermerët të rrisin pagesat ditore. Ai thotë se pagesat për ta janë të papërballueshme.
“Nga shitjet e deritanishme po punojmë vetëm për pagesat e punëtorëve të vjeljes. Kam punësuar 7 punëtorë që i paguajmë 2,000 deri në 2,500 lekë/dita.
Deri tani, për pagesat e tyre kam shpenzuar 200 mijë lekë. Shpenzime mbi 200 mijë lekë kemi pasur edhe për spërkatjen e pemëve. Kostot janë të papërballueshme në kushtet kur mungon tregu i shitjes”.
Situata është e ngjashme edhe për një tjetër fermer të ri, si Andon Balliu, i cili prej 4 vitesh ka mbjellë 600 drurë pemë qershie. “Sivjet prodhimi ishte i mirë, por qershitë po mbeten pa vjelë në pemë.
Nuk më leverdis ta shes prodhimin me çmimin e kërkuar prej 40 apo 60 lekësh. Qershia duhet të shitet të paktën 100 lekë për kg që të arrijmë të kemi fitim”, pohon ai.
Në zonën e Korçës, sipas agronomit Nevion Telha, qershia u shit pothuajse në masën 70-80%, por me çmim nën kosto.
“Fillimisht qershia u shit me 150 lekë për kg, por më pas çmimi u ul në 70 lekë për kg. Krahasuar me vjet, çmimi është i njëjtë. Vjet qershia u kalb, nga kushtet e motit, dhe nuk pati shumë prodhim.
Sivjet ka prodhim, por mbetet problem shtimi i kostos te fermerët nga rritja e pagesave për vjelësit. Vjet pagesat ishin 1,500 lekë në ditë kurse sivjet kanë arritur 2,000 deri në 2,500 lekë në ditë. Ndryshe nuk vjen njeri të punojë”, pohoi z. Telha.
Prodhimi i qershisë sipas të dhënave të INSTAT për 2022 u rrit me 11% krahasuar me 2021. Vitin e kaluar, sipas fermerëve, prodhimi i qershisë ishte i ulët në raport me vitin paraardhës, për shkak të kushteve jo të favorshme klimatike.
Në vitin 2022, në rang vendi, të mbjellat me drurin frutor të qershisë arrinin në një sipërfaqe toke prej 2,525 ha. Krahasuar me 2021, sipërfaqja e të mbjellave u rrit me rreth 1%.
Bashkia me sipërfaqen më të lartë të tokës së mbjellë me qershi është ajo e Dibrës, që zë 15% të totalit.
Më pas është Bashkia e Mallakastrës me 10% të totalit të sipërfaqes së tokës, Bashkia e Korçës me 9,5%, ajo e Elbasanit zë 8,3%, të mbjellat në Berat zënë 8% dhe në Pogradec, 5%.
Industria e reçelrave dhe kompostove
Për vitin 2023 në total janë prodhuar 343 ton reçel. Prodhimi i reçelit vjet, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, u rrit 14% krahasuar me vitin 2022.
Shtim të prodhimit ka pasur edhe për marmelatën. Për vitin 2023 sasia e prodhuar arriti në 54 ton.
Kjo është sasia më e lartë e prodhimit të marmelatës në 10 vitet e fundit, përkatësisht për periudhën nga 2013 deri në 2023. Krahasuar me 2022 prodhimi i vjetshëm është rritur 74%.
Ndërsa prodhimi i kompostos për 2023 ka renë. Vjet u prodhuan 1,223 ton komposto sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Sasia e prodhuar është 7% më pak se në 2022.
Sivjet qershia ka mbiprodhim, madje edhe me cilësi të mirë, sipas agronomit Vevion Telha, por fermerët po e shesin prodhimin nën kosto.
Fermerët thanë se cilësia e parë shitet për konsum të freskët me çmim të mirë nga 150 deri në 200 lekë për kg. Ndërsa cilësia e dytë që përkon me sasi të madhe shkon për përpunim me çmim nën kosto nga 60, 70, 80 apo 90 lekë.
Për përpunuesit e frutave që kanë nisur prej fillimit të muajit qershor prodhimin e reçelrave dhe kompostove, çmimi i qershisë së blerë si lëndë e parë, mesatarisht sivjet është deri në 60% më e shtrenjtë se vjet, nga rritja e pagesave për vjelësit.
“Prodhim qershie sivjet ka plot, në të gjitha zonat, si në Korçë, Dibër, Elbasan etj. Por çmimi i shitjes së qershisë është rritur, sepse mungon fuqia punëtore për vjeljen e qershisë dhe frutave të tjera.
Çmimi mesatar i shitjes vjet ka qenë 50 deri në 60 lekë, që nuk pati prodhim të lartë.
Sivjet çmimi mesatar i shitjes është 80 lekë për kg. Është i shtrenjtë për industrinë përpunuese, kur çmimi i sheqerit dhe materialeve ambalazhuese është i lartë”, pohoi përfaqësuesi i një prej fabrikave përpunuese në Berat.
Dy fabrikat kryesore të përpunimit të frutave për reçel dhe komposto “Sidnej” në Berat dhe “Zdrava” në Lushnjë, secila përpunojnë në ditë 10 deri në 15 tonë qershi.
Lënda e parë për reçelin e qershisë nga kompania “Zdrava” po sigurohet me çmim 85 deri në 95 lekë për kg. Kompania përpunon për reçel dhe komposto vetëm qershinë e Klasa A të varietetit Napoleon.
Sajmir Sinanaj, teknologu i fabrikës së përpunimit, tha për “Monitor” se sezoni i prodhimit të reçelit, kompostos apo marmelatës së qershive parashikohet të zgjasë deri në 25 ditë.
Z. Sinanaj pohon se sivjet, prodhimi është i mbarë, por çmimi i lëndës së parë që sigurohet kryesisht nga fermerët e Dibrës, Korçës dhe Beratit është më i lartë se vitin e kaluar. Pavarësisht çmimit të rritjes së lëndës së parë, thotë ai, kostoja nuk do të ndryshojë. Kjo pasi çmimi i shitjes së sheqerit është ulur.
Edhe Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit z. Agim Rrapaj, thotë se çmimi i qershisë është më i lartë nga viti i kaluar nga rritja e pagave për fuqinë punëtore.
“Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që prodhimi të mos vilet në kohën e duhur, duke humbur ndjeshëm cilësinë e lëndëve të para, duke rritur skarcitetin, si dhe duke shtuar humbjet”, nënvizon z. Rrapaj.
Vjet për drejtuesit e fabrikave të prodhimit të reçelrave dhe kompostove, situata e prodhimit të pemëve rezultoi alarmante, e ndikuar nga kushtet e papërshtatshme klimatike.
Mungesa e prodhimit te drurët frutorë solli për disa përpunues reduktim të prodhimit të reçelrave, kompostove dhe marmelatës deri në 50% krahasuar me 2022.
Arsyeja kryesore e përgjysmimit të prodhimit ishte mungesa e frutave. Mosgjetja e lëndës së parë e penalizoi industrinë edhe për kontratat e eksportit, pasi sipërmarrësit e huaj kërkojnë sasi të lartë produktesh që nuk arrin të garantohet. 
Pse nuk gjenden vjelës për frutat
Alban Çakalli, fermer nga Mamurrasi, me njohuri të gjera në fushën e bujqësisë analizon se arsyeja kryesore e mungesës së gjetjes së punonjësve për vjeljen e frutave është sezoni i shkurtër në vend që nuk sjell shumë të ardhura.
Ndryshe ndodh në vendet e rajonit dhe Europës, që u garantojnë vjelësve 6 muaj punë dhe me pagesa të larta.
“Në fshatrat ku janë të fokusuar në kultivimin e frutave nuk ka diversitet kultivarësh që prodhimi të shtrihet në kohë. Shpesh kanë të gjithë të njëjtin kultivar që piqet në të njëjtën kohë dhe nuk arrijnë ta bëjnë të gjithë vjeljen.
P.sh., qershia piqet për dy javë. Në vendet e tjera ka shtrirje kohore dy muaj. Kështu dhe punëtorët e shikojnë me interes të shkojnë në fshatrat ku sigurohet dy muaj punë”.
Në anën tjetër, sipas tij, vendet e tjera i paguajnë punëtorët me kg që vjelin. Këtu me ditë pune. “Punëtorët nxiten për të fituar më shumë me kg. Ju ofrohet fjetja dhe ushqimi në vende të tjera.
Janë dhe grupe pune që japin rendiment në vjelje. Mirë do ishte që të kultivohen dhe kultura të tjera, që puna në vjeljen e frutave të zgjasë mbi tre muaj.
Në Spanjë kombinohet vjelja e qershisë, me pjeshkën, rrushin dhe fikun. Sigurohet mbi 6 muaj punë. Pastaj me 6 muaj pune del në asistencë për 6 muaj të tjerë.
Dhe kështu punëtorët nuk largohen nga fshati. Kjo quhet bujqësi e qëndrueshme, që ndikon shumë në ekonominë bujqësore. Jemi shumë larg këtyre politikave”, pohon z. Çakalli.
Sa parashikohet të prodhohet reçel dhe komposto sivjet dhe me çfarë kosto?
Të paktën reçelin apo komposton e qershisë, që ka nisur të prodhohet e para me fillimin e sezonit të përpunimit të frutave, fabrikat kryesore parashikojnë ta shtojnë krahasuar me vjet.
Por disa prej tyre për shkak të kostos së lartë të prodhimit, pritet të dalin me çmim më të shtrenjtë shitjeje.
Një nga përfaqësuesit e fabrikës së përpunimit në Berat tha se krahasuar me vjet parashikon të prodhojë 20% më shumë reçel dhe komposto qershie.
Ai thotë se çmimet e shitjes priten të jenë më të larta, për shkak të lëndës së parë që është blerë më shtrenjtë, por edhe kostove shtesë që vetë përpunuesit kanë nga pagat e punonjësve në fabrikë.
Agim Rrapaj, nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, thotë se kostot e prodhimit janë më të larta, pasi përveç ndikimit të fuqisë punëtore, është edhe çmimi i lartë i ambalazhit, i energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse.
Procesi i prodhimit të reçelit kalon në disa etapa, që nisin me larjen e frutave, heqjen e farave dhe bishtave në rastin e prodhimit të reçelit të qershisë dhe deri te zierja dhe ambalazhimi.
Në kompaninë “Zdrava” i gjithë procesi i prodhimit është i automatizuar, falë një investimi të bërë në vitin 2019 në vlerën e 2,5 milionë eurove nëpërmjet granteve të dhëna nga programi IPARD, që ka ndihmuar në shkurtimin e kostos për punëtorinë.
“Automatizimi i linjës së prodhimit ka reduktuar shumë koston për mbajtjen e fuqisë së lartë punëtore”, pohon Sajmir Sinanaj, teknologu i fabrikës së përpunimit të frutave dhe perimeve “Zdrava”.
“Sivjet, kostot e përpunimit pritet të jenë më të lira se vitin e kaluar, pasi çmimet e disa lëndëve të para siç është sheqeri, janë ulur nga 100 lekë për kg që u ble vjet, në 70 lekë për kg në 2024.
Rënie të çmimeve ka pasur edhe për lëndët ambalazhuese. Për rrjedhojë, edhe çmimet e shitjes nuk parashikon të jenë me rritje”.
Konsumi i reçelrave dhe kompostove
Për disa nga përpunuesit, shtimi i fluksit të turistëve të huaj pritet të nxisë konsumin e reçelrave sivjet në zinxhirin kryesor të tregtimit në sektorin HoReCa (Hotele-Restorante dhe Katering).
Vitin e kaluar, kompania “Zdrava” tregtoi 350 tonë reçel dhe koncentrat qershie sipas z. Sinanaj. Këtë vit parashikohet që shitjet të arrijnë 500 deri në 550 tonë, apo rreth 57% më shumë.
Rreth 25% e prodhimit të të gjitha llojeve të reçelit të kompanisë eksportohet në disa shtete, si: Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Suedi, Finlandë, Gjermani dhe Belgjikë.
Pjesa tjetër tregtohet në zinxhirin e hotelerisë, për rreth 450 hotele në vend. Me shtimin e numrit të turistëve parashikohet të rritet kërkesa për të gjitha llojet e reçelrave nga strukturat akomoduese.
Agim Rrapaj nga KASH thotë se shitjet e reçelrave sivjet parashikohen me një tendencë rritje krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i fluksit më të madh të turistëve.
Ndërsa të tjerë prodhues pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të shitjes do të ulë fuqinë blerëse.
“Shtrenjtimi i çmimeve pritet të pakësojë konsumin. Nga ana tjetër, edhe blerjet nga pastiçeritë dhe konsumatori kanë rënë për shkak të emigracionit”, pohon një nga përfaqësuesit e fabrikave përpunuese.
Ata rekomandojnë se që të përmirësohen këto produkte është shumë e rëndësishme që në institucionet shtetërore, siç janë burgjet, kopshtet apo spitalet, prioritet të mbetet përdorimi i produkteve shqiptare dhe jo atyre të importit.
Përpunuesit ngrenë shqetësimin se çmimet e referencës së blerjes së këtyre produkteve në tenderim janë shumë të ulëta, krahasuar me koston e prodhimit.
Në shumë raste, si në institucionet e vuajtjes së dënimit, për shkak të leverdishmërisë së kostove, tenderohet më tepër çokokrem sesa reçel i prodhuar në vend.
Çmime të shtrenjta për frutat e tjera
Në vitin 2023, rënia e ofertës së lëndës së parë vendase rriti ndjeshëm çmimin e frutave që përdoren nga industritë përpunuese. Rritja e çmimeve shtrenjtoi edhe kostot.
Shtrenjtim të çmimit pati më shumë për varietetin e kumbullës “tropojane”, më e përdorura nga agroindustria përpunuese për prodhimin e reçelit.
Nga 30 deri në 50 lekë për kg që ishte në 2022, u tregtua nga 80 deri në 100 lekë për kg në vitin 2023. Rritja varionte nga 100% deri në 1,6 herë më tepër. Rritje çmimi në shitje pati edhe për pjeshkën rreth 50%. Vjet çmimi i pjeshkës për përpunim ishte 60 deri në 70 lekë për kg.
Sezoni i përpunimit të reçelit dhe kompostos së kumbullës nis në muajin korrik, për të vijuar më tej me pjeshkën dhe fikun.
Përpunuesit presin çmime të shtrenjta krahasuar me vjet edhe për këto fruta që ata përdorin më së shumti për prodhimin e reçelit dhe kompostos.
Alban Çakalli thotë se rritja e kërkesës, e ndikuar nga turizmi, do të shtrenjtojë çmimet e shitjes së frutave të freskëta.
“Importojmë shpesh kumbulla. Kemi importuar edhe fik për konsum të freskët. Mollë ka sasi të mëdha, por nuk punohet për të rritur cilësinë vizuale.
Vjet, fiku u shit me 200 lekë për kg me shumicë. Në tregje pati dhe fiq të importuar nga Greqia. Nëse do të kemi të njëjtin trend të turizmit si vjet, besoj se çmimet e frutave do të rriten.
Zgjidhje e mirë është që në varësi të konsumit të programohen mbjelljet”.
Rriten importet e grupit të sheqernave në muajt janar-prill
Rikuperimi i industrisë përpunuese, krahasuar me rënien e lartë që pati vjet prodhimi i reçelrave dhe kompostove ka shtuar importin e sheqernave.
Sipas të dhënave të INSTAT, importet e grupit “Sheqernat dhe ëmbëlsirat prej tij”, në muajt janar-prill 2024 u rritën me 46% krahasuar me vitin paraardhës.
Vitin e kaluar, në periudhën janar-gusht 2023, importet e sheqerit shënuan sasinë më të ulët në 7 vitet e fundit. Sipas të dhënave të Doganave, në atë periudhë importet ranë 33% në raport me të njëjtën periudhë 2022.
Grosistët pohuan më herët se shkaqet e rënies së importit ishin tkurrja e konsumit nga emigracioni dhe e kërkesës për sheqer nga industria e prodhimit të reçelrave.
Agroindustria e prodhimit të reçelrave, kompostove dhe marmelatës në 2023 vuajti mungesën e gjetjes së lëndës së parë së frutave. Për këtë arsye, drejtuesit e fabrikave thanë se prodhuan 50% më pak se vjet.
Për agronomët, Shkak i rënies së prodhimit të pemëve në vend ishte lagështira e lartë në pranverë./Monitor
Burimi