Shqipëria po plaket! Mosha mestare shkon në 42.5 vjeç, shtohen të moshuarit, pakësohen të rinjtë

Shqipëria po plaket! Mosha mestare shkon në 42.5 vjeç, shtohen të moshuarit, pakësohen të rinjtë

Foto ilustruese

TIRANË- Zbulohen të dhëna të tjera lidhur me Cens 2023. Nga të dhënat e mbledhura nëpër Shqipëri zbulohet se në vendin tonë ka pësuar rënie duke shkuar në nivelin e 24% nga 30.4 që u numërua në vitin 2011, ndërsa numri i të moshuarve është rritur në 30,4% nga 16.7% që ishte në vitin 2011. Si pasojë, mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vjeçe, nga 35,3 që ishte në Censin 2011. Ndërkohë që sa i përket raportit gjinor, në Shqipëri ka 98.2 meshkuj për 100 femra. 
Struktura e Popullsisë:

Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar/brëndshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censusin e 2023. Figura 2.2 paraqet piramidën e popullsisë bazuar në Censin e 2023, së bashku me atë të Censit 2011 të spostuar me 12 vite lart, duke theksuar zhvillimet në strukturën e popullsisë sipas moshës dhe gjinisë. Duke analizuar grupmoshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet një zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970. Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”. Norma të ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë.
Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë. Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se një në pesë individë (19,7 përqind) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3 përqind) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5 përqind në Censin e 2001.Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0 përqind nga 30,4 përqind vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4 përqind nga 16,7 përqind në 2011. Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8 përqind) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9 përqind). Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0 përqind) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1 përqind). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011.Raporti gjinor i popullsisë rezulton 98,2, (numri i meshkujve për 100 femra). Ky raport është më i ulët se vlerësimi global i njohur (101,0) 3, por më i lartë së raporti gjinor i EU-së, i vlerësuar në 2022 prej 95,64. Në moshat e vogla deri në 10 vjeç, numri i meshkujve tejkalon atë të femrave, me një raport gjinor më të lartë se 108. Ky raport përmbyset në moshat 40 dhe pas të 80-ve, me një rënie të madhe për shkak të jetëgjatësisë së lartë të femrave krahasuar me meshkujt. Raporti gjinor në popullsinë mbi 80 vjeç është 82,1, si dhe pesë në gjashtë individë të moshës 100 vjeç e lart janë femra./ZËRI
Burimi