Shqipëria me borxhin më të lartë në rajon pas Malit të Zi
Foto ilustruese
TIRANË- Pas pandemisë Covid-19, borxhi publik i Shqipërisë u ul me shpejtësi nga ritmet e larta të rritjes ekonomike dhe performanca e mirë fiskale. Një situatë të ngjashme kanë kaluar edhe vendet e Rajonit, duke bërë që Shqipëria të ruajë renditjen si vendi me borxhin publik më të lartë pas Malit të Zi.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Mali i Zi megjithë destabilitetin politik të viteve të fundit ka mundur të ulë borxhin publik më shumë se çdo vend tjetër në Rajon, duke e çuar në 61.7 % në tremujorin e parë të vitit 2024 nga 105.3% e PBB-së që ishte në vitin 2020, me ulje 43.6 pikë % (shiko grafikun e mëposhtëm). Pas Malit të Zi, Shqipëria shënoi uljen më të fortë të borxhit duke e çuar atë në 56.3% të PBB-së në tremujorin e parë 2024 nga 73.9% që ishte më 2020, me ulje -17.6 pikë %.
Zgjerimi i vazhdueshëm ekonomik mbështeti rritjen e të ardhurave buxhetore dhe balancat fiskale u përmirësuan pothuajse në të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor për pesë muajt e parë të vitit 2024, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, sipas Bankes Boterore. Për tremujorin e parë të vitit 2024, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul në shumicën e ekonomive të rajonit, krahasuar me fundin e vitit 2023, pjesërisht për shkak të rritjes së fortë nominale të PBB-së. Ulja e barrës së borxhit ishte më e theksuar në Serbi dhe Shqipëri. Raporti i borxhit publik mbeti më i larti në Mal të Zi, i ndjekur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri në vitet e fundit. Megjithatë, ato e kanë pasur të vështirë të shndërrohen në motorë të rritjes ekonomike, jo vetëm për shkak të efekteve të sfidave strukturore dhe demografike. Në tremujorin e parë të vitit 2024, PBB-ja e rajonit u përshpejtua në 3.9% në terma 6 vjetorë, nga 3.2% që rezultonte në tremujorin paraardhës. Rritja e PBB-së u përshpejtua më së shumti në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi. Investimet u rritën ndjeshëm në pothuajse të gjitha ekonomitë, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut. Në tremujorin e parë të vitit 2024, shkalla e papunësisë ra në shumicën e ekonomive të rajonit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në përputhje me përshpejtimin e aktivitetit ekonomik, punësimi mesatar vjetor në Ballkanin Perendimor u rrit ndjeshëm në 2.5%, ndërkohë që edhe pjesëmarrja e fuqisë punëtore pati rritje. Në përgjithësi, normat e papunësisë në rajon mbetën në nivelet më të ulëta historike.
Për tremujorin e parë të vitit 2024, inflacioni mesatar vjetor në rajon u ngadalësua më tej, në 4.1%. Rënia e normave të inflacionit brenda intervalit të objektivit u mundësoi bankave qëndrore në Shqipëri dhe Serbi të fillojnë lehtësimin gradual të politikës monetare./Monitor
Burimi