Shqipëria ia faturoi Kosovës, Dogana e Prishtinës nuk ‘e mohon’: E vështirë si ka rrjedhur ngjarja, s’ka eksport të mbetjeve

Shqipëria ia faturoi Kosovës, Dogana e Prishtinës nuk ‘e mohon’: E vështirë si ka rrjedhur ngjarja, s’ka eksport të mbetjeve

FOTO ILUSTRUESE

KOSOVË-Dogana e Kosovës ka reaguar në lidhje me anijen me mbetje toksike, çështje për të cilën Prokuroria e Durrësit dhe Elbasanit ka nisur hetimet. Teksa anija me mbetjet u nis nga Porti i Durrësit, Dogana Shqiptare një ditë më parë (21 Gusht) bëri me dije se rasti flagrant nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Kjo e fundit në një përgjigje në lidhje me rastin, deklaron se është e vështirë të përcaktohet se si ka rrjedhur ngjarja.

Dogana e Kosovës nuk e mohon lidhjen me mbetjet toksike, teksa shprehet se Dogana e Shqipërisë i ka referuar këto mallra si koncentrat zinku, të eksportuara nga një kompani e regjistruar në Kosovë drejt një kompanie zvicerane. Por sa i përket përmbajtjes së kontenierëve, shprehet se nga raportet e Kosovës, nuk ka eksport të mbeturinave të rrezikshme që i përgjigjen dërgesave të natyrës së atyre të raportuara në media. Kosova mbështet fjalët e palës shqiptare duke u shprehur se produkti në fjalë, siç edhe është theksuar nga Dogana e Shqipërisë është koncentrat zinku dhe jo mbetje. Sipas tyre eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme. 
Gjithsesi Dogana e Kosovës thotë ka hapur një hetim të gjerë mbi këtë çështje dhe do të shqyrtojë të gjitha çështjet relevante me këto dërgesa dhe do të mbajë të njoftuar publikun.
“Dogana e Shqipërisë i ka referuar këto mallra si koncentrat zinku, të eksportuara nga një kompani e regjistruar në Kosovë drejt një kompanie zvicerane. Duke qenë se Dogana e Kosovës nuk ka qasje në ndonjë raport zyrtar është e vështirë të përcaktojmë saktësinë e rrjedhës së ngjarjeve, përderisa nga kërkimi në të dhënat tona të eksportit, kemi konstatuar se:
– Nuk ka eksport të mbeturinave të rrezikshme që i përgjigjen dërgesave të natyrës së atyre të raportuara në media.
– Janë identifikuar eksporte qe referohen në deklaratën për media nga Dogana e Shqipërisë, dhe produkti në fjalë, siç edhe është theksuar nga Dogana e Shqipërisë është koncentrat zinku dhe jo mbetje. Për këtë produkt pronari i subjektit eksportues ka ofruar test raportet nga kompania e mirënjohur e testimeve te industrisë SGS. Koncentratet e zinkut janë eksportuar në vazhdimësi dhe për dallim nga raportimi i mediave shqiptare dhe ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë për mbetje (electric arc furnace dust siq i referohet Bloomberg), por për koncentrat zinku të nxjerrë nga Trepça. Eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshm”, thuhet nga Dogana e Kosovës.

Alarmi për mbetjet u dha më 5 gusht nga organizata joqeveritare e kontrollit botëror të mbetjeve toksike, “Basel Network Center” dhe dy ditë më pas u publikua nga media “Bloomberg”, duke vënë në lëvizje autoritetet. Tajlanda i ka kthyer mbrapsht dy anijet e kompanisë “Maersk”, “Compton” dhe “Candor”, me 100 kontejnerë në bord. Anija me mbetjet toksike të Kurum u nis nga Durrësi në 4 korrik dhe pas alarmit nga qendra Basel, ajo fiku sinjalin GPS në 31 korrik teksa po i afrohej Cape Toën në Afrikën e Jugut. Ngarkesa me mbetje metalore është prodhuar nga shoqëria “Kurum” që operon në zonën e ish-Metalurgjikut të Elbasanit. “Kurum” ia ka shitur shoqërisë shqiptare “Sokolaj” dhe kjo e fundit, nëpërmjet kontenierëve të kompanisë ndërkombëtare “MAERSK” e ka nisur për eksport drejt Tajlandës./ZËRI
Burimi