Shpërthimi në Zubin Patok/ Rama: Krim i rëndë, cënon jetën e qytetarëve të Kosovës
Edi Rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shpërthimit në Zubin Potok, ku e dënoi këtë sulm dhe bëri thirrje që kjo ngjarje të zbardhet sa më parë. Rama gjithashtu i bëri thirrje BE-së të heqë sanksionet e vendosura ndaj Kosovës, në mënyrë që të arrihet një dialog i ri mes Serbisë. Gjithashtu ai bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të nisin hetimet për këtë ngjarje, të rëndë kriminale.
“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”, tha Rama.
Gjatë natës u hodh në erë kanali i ujit të pijshëm në Zubin Potok, ku si pasojë në qytetin e Mitrovicës është ndërprerë uji i pijshëm dhe energjia elektrike. SHBA dhe BE e dënoi këtë sulm, duke thënë se përgjegjësit do të marrin dënimin e merituar. Pavarësisht akuzave nga qeveria e Kosovës, ajo serbe tha se nuk ka lidhje me këtë sulm, madje shtoi se është gati të paguajë financiarisht dëmet, pasi kjo cënon jetën e serbëve në Veri, Po ashtu edhe krerët politikë të Shqipërisë reaguan pas këtij sulmi duke e dënuar ashpër dhe bënë thirrje që të hetohet rasti. /ZËRI
Burimi