Shkrihen zyrat e ADISA-s, qeveria: Ka humbur funksionin! AKSHI: Duam rritje pagash, nuk gjejmë dot staf të kualifikuar

Shkrihen zyrat e ADISA-s, qeveria: Ka humbur funksionin! AKSHI: Duam rritje pagash, nuk gjejmë dot staf të kualifikuar

AKSHI DHE ADISA

TIRANË- Në më pak se 10 vite nga hapja e tyre, rrjeti i zyrave ADISA që u ngrit pranë Bashkive do të mbyllet. Kjo për shkak se sipas qeverisë, këto sportele unike të shërbimeve të qytetarëve, kanë dalë jashtë funksionit, pasi të gjitha veprimet që ato ofrojnë mund të kryhen nga qytetarët në e-albania.
WebLajm ka siguruar draftin ku thuhet se ADISA e ka humbur funksionin dhe të gjitha këto shërbime tashmë kryen në portalin e-albania. Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në projektligjin depozituar tashmë në parlament nëpërmet Qeverisë si një agjenci në varësi, ndër të tjera kërkon edhe rritje të pagave.
Sipas AKSHI pagat që ata ofrojnë aktualisht i kanë pamundësuar rekturimin e stafit, pasi sektori privat aktualisht ka paga më të larta.
“Në projektligj është parashikuar edhe autorizimi me vendim të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e shtesës për natyrë të veçantë pune dhe të kategorive përfituese pranë AKSHI-t. Ky parashikim vjen si rezultat i vështirësive të vazhdueshme që AKSHI has në lidhje me rekrutimin e stafit, për shkak të pagave të kufizuara, të cilat nuk janë në nivelin e pagave, që ofron tregu për këto detyra dhe funksione specifike. Sqarojmë se pagat e punonjësve që përmbushin funksione të tilla specifike në fushën e teknologjisë së informacionit janë relativisht të larta në treg. AKSHI, aktualisht, për shkak të kuadrit ligjor ekzistues, has pengesa për rekrutimin e ekspertëve më të mirë. Pra, mungon një skemë atraktive pagash që të sigurojë përthithjen e nevojshme të ekspertizës së burimeve njerëzore dhe më tej qëndrueshmërinë e tyre në Agjenci”- thuhet në draft.
Projektligji:
Revolucioni digjital i shërbimeve publike në Shqipëri, i cili filloi me vetëm 14 shërbime online në e-Albania, ka nisur prej kohësh procesin e transformimit të shërbimeve publike dhe ndryshimit të mendjes së qytetarëve në lidhje me këtë formë të re të pashmangshme komunikimi me institucionet shtetërore, duke mundësuar sot 1229 shërbime online, ose rreth 95% e të gjitha shërbimeve publike.
Misioni kryesor i AKSHI-t është përfaqësimi i shtetit shqiptar në administrimin dhe mirëmbajtjen e çdo sistemi dhe infrastrukture hardëare dhe softëare të shërbimeve të qeverisjes elektronike në 2 fushën TIK si dhe përgjigjet për ngritjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e sistemeve dhe aplikacioneve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për infrastrukturën e qendërzuar dhe infrastrukturën TIK për institucionet dhe organet e administratës buxhetore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, si dhe institucionet jobuxhetore për të cilat përdoren tarifat e shërbimit.
Aktualisht është miratuar ligji i posaçëm nr. 43/2023 “Për qeverisjen elektronike” dhe rregullimet ligjore për e-qeverisjen. Disa na problematikat që janë konstatuar gjatë zbatimit të këtij ligji janë:
1. Mungesa e një Bordi Këshillimor pranë AKSHI-t, që do të veprojë si organ konsultativ për çështjet e teknologjisë dhe informacionit;
2. Mungesa e parashikimit në ligj mbi mundësinë e ofrimimit të shërbimit të nënshkrimit elektronik, vulës elektronike dhe çertifikatës elektronike për shtetasit shqiptar dhe të huaj;
3. Kuadri ligjor ekzistues ka “një hendek finaciar” në lidhje me rekrutimin e stafit për shkak të pagave të kufizuara të cilat nuk janë në nivelin e pagave që ofron tregu për këto detyra dhe funksione specifike;
4. Mosfunksionimi i ADISA-s dhe humbja e koherencës së ligjit specifik nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”. Duke qenë se, tashmë mbi 95% e shërbimeve kryhen online dhe sportelet e kanë ezauruar funksionin e tyre, gjykojmë se ky ligj e ka humbur zbatueshmërinë, pasi de facto ofrimi i shërbimeve në sportele nuk kryhet më;
5. Mungesa e një dispozitë specifike, që detyron autoritetet publike dhe subjektet private përgjegjëse për shërbimet elektronike, që t’u përmbahen standardeve minimale qeveritare të TIK-ut dhe standardeve të shërbimit elektronik.
6. Miratimin e Kornizës Kombëtare të ndërveprimit në përputhje me kornizën ervopiane të ndërveprueshmërisë me vendim të Këshilli të Ministrave.
Burimi