Sherbela vijon të dëmtohet nga stoku i mbiprodhimit dhe kërkesa e ulët për eksport

Sherbela vijon të dëmtohet nga stoku i mbiprodhimit dhe kërkesa e ulët për eksport

Sherebela

TIRANË- Sasia e lartë e stokut të sherbelës të kultivuar, vijon të ndikojë te mbajtja e çmimit të ulët të shitjes te përpunuesit, ndërsa fermerët nuk ndalin mbjelljet pa planifikim.
Kryetari i Shoqatës së Eksporteve të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike Filip Gjoka thotë se stoku i lartë është krijuar nga mbiprodhimi i sherbelës së kultivuar, pa planifikim apo studim të kërkesës së tregut.
Për rrjedhojë mbiprodhimi nuk po lejon rritjen e çmimit të grumbullimit, ndërsa mosndryshimi i kërkesës jashtë po ashtu vijon të mbajë çmime të ulëta të shitjes për eksport.
Gjoka ngre shqetësimin se stoku i lartë i bimës dhe mosndryshimi i kërkesës mund të ndikojë në rënie të çmimit të grumbullimit.
“Nga mbiprodhimi sherbela vijon të grumbullohet te fermerët me çmim të ulët. Po ashtu edhe çmimi i shitjes së sherbelës në eksport vijon të mbetet i ulët, pasi kërkesa jashtë nuk ka rritje. Pra është një bimë që blihet lirë dhe shitet lirë dhe kjo për shkak të stokut të lartë.

Nga ana tjetër edhe kontratat e eksportuesve nuk janë afatgjatë, sepse ndikohen nga ecuria e kërkesës dhe konkurrenca në tregjet e huaja.
Po ashtu edhe pagesat e ulëta ndaj fermerëve për sherbelën e egër që mblidhet në male, ku për 1 kg bimë të mbledhur paguhen 100 lekë, kanë nxitur kultivimet. Por edhe nëse prej fermerëve nuk do të kultivohej për 1 vit sherbele, stoku arrin të mbulojë kërkesën në tregun e jashtëm”.
Gjoka rekomandon se për stabilizimin e kësaj situate është e domosdoshme që nga Ministria e Bujqësisë të nisin takimet me fermerët me qëllim orientimin ndaj tyre drejt kultivimeve të planifikuara dhe të leverdishme.
“Në këtë situatë është e nevojshme të zhvillohen takime me fermerët me qëllim orientimin dhe planifikimin për të mbjellat. Po ashtu ne kemi propozuar që për kultivimin e sherbelës të ndërpriten subvencionimet dhe të kalojnë për kultura të tjera që do të sillnin fitime për fermerët”.
Sipas të dhënave të INSTAT për periudhën janar-tetor eksportet e grupit  “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” arritën në sasinë e 10,3 mln kg. Krahasuar më të njëjtën periudhë të 2023-t sasia e eksporteve u rrit 14%.
Gjoka thotë se për të rikuperuar humbjet nga zhvlerësimi i monedhave euro dhe dollar, eksportuesit kanë zgjeruar gamën e produkteve për eksport, madje duke shtuar sasinë e eksporteve në tregjet e largëta aziatike. Por sipas tij probleme mbetet mungesa e investimeve që gjithashtu vijon të mbajë në nivele të ulëta përpunimin e bimëve mjekësore.
Nga operatorët me potenciale grumbulluese, përpunuese dhe eksportuese vetëm 25% e tyre arrijnë të nxjerrin produkt final të përpunuar, kurse 75% e tyre u shitën si lëndë e parë pa u përpunuar, duke humbur në pjesën të madhe të vlerës që mund të ngelej në ekonominë vendase.
Marrë nga Monitor
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente