
Sekuestrimi i pajisjeve të punës të gazetarit Elton Qynos, Unioni: Kushtetuesja t’i vendosë fre SPAK-ut

Elton Qyno
TIRANË-Në Gjykatën Kushtetuese do të zhvillohet një seancë publike për çështjen e sekuestrimit nga SPAK të pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno. Seanca do të mbahet më 19 mars në orën 10:00. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e cilëson sekuestrimin e pajisjeve jo vetëm “thjesht një hetim”, por një sulm ndaj gazetarisë dhe i fton të gjithë të jenë pjesë e seancës.
Sipas tyre problemi që shtrohet nuk është vetëm i Elton Qynos, por është problemi i medias në tërësi dhe çdo gazetari që kërkon të ruajë burimet gazetareske, pa të cilët nuk e informon dot publikun për temat e nxehta. Unioni kërkon nga Gjykata Kushtetuese, si trupa e fundit gjyqësore që ka mbetur pa u shprehur ende për këtë çështje, të arrijë t’i verë fre SPAK-ut, dhe gazetarët të mos trajtohen sikur të ishin bashkëpunëtore në ndonjë krim.
REAGIMI:
GSH, përgjigje mbështetëse, ndaj thirrjes së avokatit për cështjen e kokegut Elton Qyno, në Gjykatën Kushtetuese
Thirrje për të gjithë gazetarët dhe përfaqësuesit e medias. Më 19 mars 2025, ora 10:00, në Gjykatën Kushtetuese do të zhvillohet një seancë publike për çështjen e sekuestrimit nga SPAK të pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno. Kjo nuk është seancë rutinë, sepse pas tre seancave të tjera, më 12 dhjetor 2024, 13 shkurt 2025 dhe 5 mars 2025 dhe disa letërkëmbimeve, Gjykata Kushtetuese vendosi që për këtë çështje të ndryshonte qendrim dhe mos ta diskutonte në bazë të dokumentave, por të thërresë një seancë publike të posaçme. Dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe. Kjo çështje nuk mund të kalojë si një diskutim i thjeshtë teknik që i përket një individi. Problemi që shtrohet nuk është vetëm i Elton Qynos, por është problemi i medias në tërësi dhe çdo gazetari që kërkon të ruajë burimet gazetareske, pa të cilët nuk e informon dot publikun për temat e nxehta. SPAK, jo vetëm që i sekuestroi pajisjet e Elton Qynos në dhjetor 2023, jashtë çdo standardi dhe pa hetuar të dyshuarit brenda rradhëve të veta, por edhe e shpërfilli urdhrin e OKB-së që ndalonte inspektimin e pajisjeve të Qynos. Dhe jo vetëm kaq! Në dhjetor 2024 u zbulua në sallën e Gjykatës së Lartë skandali se SPAK kishte kopjuar të gjithë strukturën e memories së pajisjeve (imazhet), për të përdorur të dhënat sipas qejfit. Ky është një abuzim flagrant me pushtetin që SPAK i ka dhënë vetes, me bekimin edhe të gjykatave të të gjitha niveleve për fatin tonë të keq, duke shkelur në mënyrën më brutale të të drejtat e gazetarëve dhe vlerën e medias së pavarur. Nëse për çështjen e Elton Qynos, Gjykata Kushtetuese, si trupa e fundit gjyqësore që ka mbetur pa u shprehur ende brenda Shqipërisë, nuk arrin dot t’i verë fre SPAK-ut, çfarë vjen më pas? A do të bëhej normale që gazetarët të keqtrajtohen sikur të ishin bashkëpunëtore në ndonjë krim? A do të bëhej normale që burimet gazetareske të mos kishin më asnjë mbrojtje dhe të mos donin t’ua shihnin bojën gazetarëve e jo më të bashkëpunonin me ta në të ardhmen? Po ne, publikut, çfarë do na ofrohej më pas, lajme kutie sipas versionit të pasterizuar që ofrojnë autoritetet? Prandaj, të gjithë ata që e kuptojnë rëndësinë e kësaj beteje, i ftoj të jenë të pranishëm në seancën publike më 19 mars për të treguar që kjo nuk është një çështje e një emri të përveçëm, por kauza e të gjithëve për të mbrojtur një parim themelor të lirisë së medias dhe për të ndalur një precedent të rrezikshëm. Pa mbrojtje burimesh nuk ka gazetari të lirë. Pa mbrojtje burimesh, kushdo që guxon të flasë me gazetarët, rrezikon përndjekje. Sekuestrimi i pajisjeve nuk është “thjesht një hetim”, është një sulm ndaj gazetarisë. Vendtakimi: Gjykata Kushtetuese – 19 Mars 2025, Ora 10:00.
Në dhjetor të vitit të shkuar, BKH ushtroi kontroll në banesën e Qynos., Gazetari u mbajt për 12 orë dhe u mor në pyetje nga SPAK. Sipas SPAK, Qyno kishte shkelur sekretin hetimor duke publikuar materiale nga dosja e rë penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani. Shoqërimi i Qynos në SPAK u kundërshtua nga një sërë oerganizatash që mbrojnë të drejtën e gazetarëve./ZËRI