Sapo është arratisur/ Faton Hajrizi shfaqet në Tik Tok: Gjendem jashtë Kosovës, s’kthehem në burg
Faton Hajrizi
PRISHTINË- Faton Hajrizi, i dënuari që u arratis për herën e nëntë nga burgu është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. I burgosuri për vrasjen e ushtarit rus dhe vepra tjera penale u arratis të shtunën nga burgu i Smrekonicës, por teksa Policia është vënë në kërkim të tij, ai ka dalë live në “Tik Tok”. Në rrëfimin që ka bërë në rrjetet e tij sociale, Hajrizi ka treguar për arratisjen e tij nga burgu me pretendimin se nuk e trajtonin mirë. Ndaj ishte arratisur dhe pretendon se kishte dalë jashtë territorit të Kosovës.
“Jam larguar nga ai vend se më është bërë zullum në atë vend. Psiqikisht më është bërë zullum, nuk kam mundur më. Në këtë gjendje nuk kthehem më në burg. Aty vuajnë të burgosurit, nuk ka kushte, nuk trajtohen të gjithë njësoj. Dikush mund të thotë që këtij personi i është bërë hobi të iki nga burgu, por nuk është e vërtetë. Unë dua të jem i lirë si të gjithë shqiptarët. Nuk jam Albin Kurti unë me u mërzit për Izraelin a Ukrainën,”-tha Hajrizi.
Por si u arratis nga burgu?
I arratisuri më i famshëm në Kosovë përdori çarçafët e shtratit, të cilët i lidhi në radiatorin e qelisë së tij. Kështu, Hajrizi arriti që të largohej nga dhoma përmes dritares në katin e dytë dhe u ul në katin e parë. Nga aty, Hajrizi e kaloi rrethimin e jashtëm të burgut, duke u arratisur kështu për herë të 9-të. Faton Hajrizi ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus kur ishte vetëm 15-vjeç./ZËRI
Burimi