
Rreziku i AirBnb-ve, nga kamerat ‘kurth’, prostitucioni dhe pasiguria

Foto ilustruese
TIRANË- “Air BnB”, foleja perfekte për ilegalitet! Numri i apartamenteve dhe shtëpive për dhënie qiraje në AirBnb apo Booking rritet vazhdimisht në Shqipëri, paralelisht me numrin e turistëve të huaj. Edhe pse në dimër situata paraqitet më e vakët, vera bashkë me temperaturat rrit edhe numrin e personave që kërkojnë ambiente me qira ditore dhe që i zgjedhin në vend të hoteleve.
Ajo që duhet theksuar është se përveç turistëve, shtëpitë me qira ditore në Tiranë u shërbejnë edhe çifteve apo grupeve të të rinjve që duan të kalojnë një natë ndryshe dhe të argëtohen. Por, jo gjithçka shkon ashtu siç është planifikuar dhe vetëm muajt e fundit mund të përmendim dy raste që na bëjnë të mendojmë se AirBnb-të në fakt mund të jenë opsioni më i lehtë për të zgjedhur të kalosh një natë, por jo më i sigurti.
Ngjarja e Astirit na tregoi se si në një zonë të banuar, pak minuta larg qendrës së kryeqytetit, një grup të rinjsh mund të organizojnë festa të çmendura me lëndë narkotike dhe armë zjarri dhe askush mund të mos e vërë re. Por, ky rast nuk kaloi pa zhurmë pasi një nga vajzat u zgjua e trembur dhe telefonoi autoritetet pasi pa armët e zjarrit në një prej apartamenteve, në të cilat një natë më parë kishte festuar me pesë djem dhe dy shoqe.
I gjithë pallati u rrethua nga forcat RENEA që bënë të mundur nxjerrjen e 21-vjeçares nga apartamenti, e cila rezultoi se kishte pasur haluçinacione për shkak të konsumimit të lëndëve narkotike. Kjo natë argëtimi u kushtoi shtrenjtë djemve, të cilët tashmë po japin llogari përpara drejtësisë, por a do të zbulohej ky rast nëse një nga vajzat nuk do të njoftonte policinë? Vetëm pas kësaj ngjarjeje, banorët e këtij pallati nisën të flisnin dhe të tregonin se në ato apartamente kishin parë të futeshin herë pas here grupe të rinjsh dhe në jo pak raste janë ndjerë të cënuar.
Mënyra e marrjes me qira ditore të një apartamenti ndryshon totalisht me atë të një hoteli. Një AirBnb mund ta marrësh me qira përmes një website apo rrjeteve sociale dhe mjafton të bësh pagesën online e më pas të paraqitesh në apartamentin e zgjedhur. Çelësin e gjen në një kuti në hyrje të pallatit dhe kontakti i qiramarrësit me qiradhënësin mund të jetë zero, kontrolli po ashtu. Nëse në një hotel, numri i personave që futen është i kufizuar dhe i kontrolluar, në një AirBnb nuk ndodh një gjë e tillë. E njëjta gjë vlen edhe për identifikimin e personit që merr me qira apartamentin. Në një hotel, personat që hynë japin një mjet identifikimi dhe edhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, çdo biznes ka kamera sigurie që mund të zbardhin lehtësisht çdo incident të mundshëm.
Ndërsa gjithçka që ndodh brenda një apartamenti me qira ditore, mbetet një mister.
Askush nuk merr vesh asgjë nëse nuk ka dëshmitar.
Megjithatë rasti i Astirit nuk është i vetmi.
Vrasja e të resë nga Palestina tronditi kryeqytetin, por fakti që ajo ishte strehuar në një AirBnb bashkë me të atin që është dhe autori i krimit, bëri që ai tu shpëtonte prangave. Dyshja u prezantuan si burrë e grua në Tiranë dhe askush nuk kishte asnjë dyshim për këtë fakt, as pronari i banesës ku ata qëndruan, pasi për të marrë apartamentin me qira nuk iu kërkua asnjërit një mjet identifikimi.
Alarmi për vrasjen e 24-vjeçares Rayyan Alwan u ngrit vetëm nga fqinjët të cilët njoftuan pronarin e banesës për faktin që kishin ditë që nuk e shikonin çiftin që të dilnin nga shtëpia. Por tashmë ishte shumë vonë, Fadi Alwan kishte dalë nga Shqipëria dhe është ende në kërkim. Fajtor për këtë vrasje është vetëm vetë autori, por që ai është favorizuar nga fakti që nuk e pasur të nevojshme të identifikohej për tu strehuar në Tiranë, nuk e mohojmë dot. AirBnb-të janë përdorur edhe për prostitucion. Në shkurt të këtij viti u shpall në kërkim një 36-vjeçar pasi merrte shtëpi me qira ditore, në të cilat ushtronte veprimtarinë e prostitucionit me vajza të huaja që kishin ardhur nga Brazili dhe Kolumbia në Shqipëri.
Të gjithë këtë rrezik dhe pasiguri që Shqipëria po e ndjen sot, bota e ka prekur shumë më herët dhe ka nisur marrjen e masave. Fillimisht, shumë vende u fokusuan në taksimin e këtyre bizneseve njësoj si strukturat e tjera akomoduese, siç janë hotelet. Më pas, kufizimet u shtuan. Vjena ndërmori e para hapin që të mos lejonte dhënien e apartamenteve me qira qitore më shumë se 90 ditë gjatë gjithë vitit, duke shmangur kështu çdo lloj padrejtësie përkundrejt strukturave të tjera akomoduese dhe jo vetëm.
Në Shqipëri nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Në qershor të vitit 2023 të ardhurat nga qiradhënia nëpërmjet platformës Airbnb arritën në 5.1 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord. Në total, për 6 -mujorin e parë 2024 në strukturat Airbnb janë shënuar 412 mijë net të prenotuara, me rritje prej 97% në krahasim me vitin 2023. Apartamentet me qira ditore tingëllojnë si një zgjidhje e mrekullueshme, por përveçse janë të parregulluara me ligj, shqetësimi më i madh për klientët duhet të jetë siguria e tyre. Një AirBnb mund t’ju anulohet në momentin e fundit dhe mund të përfundoni duke fjetur në rrugë ose të paguani një hotel, edhe pse keni bërë pagesën për dhomën e rezervuar. Mund të sëmureni. Apartamentet me qira ditore nuk u përmbahen standarteve dhe kushteve higjieno-anitare njësoj si hotelet, duke qenë se askush nuk ushtron kontroll mbi to.
Ankesat më të mëdha për AirBnb janë infektimet nga insektet, pajisjet e pasigurta, papastërtia dhe prania e drogërave të paligjshme. AirBnb-të shkatërrojnë kulturën lokale. Banorët e zonës ju konsiderojnë si të përkohshëm. Ata janë mësuar që të shohin çdo ditë persona të ndryshëm në të njëjtin apartament dhe ju nuk do ta ndjeni mikpritjen dhe kulturën e tyre. Përkundrazi, ata janë më shumë të prirur që të ruajnë një distancë me turistët që strehohen në apartamentet me qira ditore. Një tjetër problem, një nga më kryesorët mund të themi, është cënimi i privatësisë. Në AirBnb mund të ketë kamera të fshehura që regjistrojnë gjithçka që bëjnë klientët. AirBnb-të janë të prirur të bien pre e vjedhjeve për shkak të natyrës kalimtare të mysafirëve. Ka një arsye pse hotelet kanë kamera sigurie dhe recepsion me staf 24 orë në dispozicion të klientëve të tyre. Kur ju paguani një dhomë hoteli, nuk paguani vetëm fjetjen, ju paguani shëndetin dhe sigurinë tuaj./ZËRI