
Rregullat e REJA të Policisë- Nga e drejta e ndalimit dhe arrestimit, tek “punët e dyta”, si duhet të sillen uniformat blu

Foto ilustruese
TIRANË– Shtohen kompetencat e Policisë së Shtetit. rregullorja e re e efektivëve të Policisë së Shtetit është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas rregullores së re, uniformat blu duhet që të identifikohen te qytetarët dhe t’i informojnë për arsyen e ndalimit. Në ligjin e ri, është shtuar edhe një kompetencë për efektivët e Policisë, të cilët mund t’ju ndalojnë për 5 orë; ose/dhe t’ju arrestojnë plotësisht.
Procedura e ndalimit të përkohshëm policor
1. Punonjësi i Policisë, gjatë ndalimit të përkohshëm policor, kryen këto veprime: a) i prezantohet personit, duke i treguar mjetin identifikues të policisë dhe shërbimin policor që i përket; b) informon menjëherë në gjuhën që kupton për shkaqet e këtij ndalimi dhe për të drejtat e tij; c) njofton sallën e komandimit për fillimin e veprimeve dhe ndalimin e përkohshëm të personit, duke ia dhënë të dhënat paraprake të identifikimit të tij. ç) kërkon nga qytetari zbatimin vullnetar të ndalimit dhe moskundërshtimin e urdhrit të punonjësit, duke i bërë të ditur se kundërshtimi i urdhrit rëndon pozitën e tij; d) informon personin se, në rast refuzimi apo kundërshtimi të masës për t’u zbatuar vullnetarisht, punonjësi i Policisë do të kryejë ndalimin e përkohshëm në mënyrë të detyruar apo forcërisht; dh) punonjësi i Policisë bën kontrollin fizik sipërfaqësor të personit që do të ndalohet përkohësisht, për të hequr sendet personale apo të kundërligjshme, që mund të ketë me vete, duke i paketuar e mbajtur në qese plastike apo ambalazh tjetër. Kontrolli bëhet duke respektuar dinjitetin dhe integritetin personal të atij që kontrollohet. Kontrolli i personit bëhet nga një person i së njëjtës gjini, me përjashtim të rasteve kur kjo nuk është e mundur për shkak të rrethanave.
2. Punonjësit e Policisë, që janë duke kryer shoqërimin e personit të ndaluar përkohësisht, nuk angazhohen në kryerjen e detyrave të tjera.
3. Në çdo rast, nga punonjësi i Policisë dokumentohen të gjitha veprimet e kryera sipas këtij neni.
Risi është edhe heqja e menjëhershme e masës disiplinore ndaj një polici kur ai kryen një akt trimëriepër garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ose urdhërohet një kontroll tek mjekët e fushës nëse ka dyshime se punonjësi i Policisë mund të ketë probleme të shëndetit mendor. Përveç punës si efektiv policie, punonjësit e kanë të kufizuar numrin e veprimtarive private që mund të kryejnë. Mund të punojnë nga mësimdhënia deri te kurset profesionale, palestrat sportive, menaxhimi i bizneseve, konsulencë në fusha të teknologjisë, menaxhimit të projekteve jashtë veprimtarisë policore; investime në pasuri të paluajtshme, veprimtari imobiliare, dhënie me qira shitje dhe blerje të pronave. Por detyrat e tjera që kryejnë, nuk duhet të ndikojnë tek ushtrimi i detyrave i efektiv i Policisë së Shtetit.
Lloji i veprimtarive të tjera private që mund të ushtrojë punonjësi i Policisë
1. Punonjësi i Policisë ka të drejtën e ushtrimit të veprimtarive private apo dytësore, që mund të kryhen prej tij jashtë detyrës/funksionit që ushtron dhe që nuk lidhen drejtpërdrejt më veprimtarinë policore si dhe në përputhje me ligjin për konfliktin e interesit dhe ruajtjen e integritetit të institucionit.
2. Llojet e veprimtarive private mund të jenë: a) në fushën e mësimdhënies që nuk lidhen me veprimtarinë policore; b) kurse, trajnime që nuk lidhen me veprimtarinë policore; c) në fushën e artit, kulturës, eventeve kulturore, krijuese, në pikturë e fotografi; ç) veprimtari artizanale, bujqësore; d) punime dhe prodhime të sendeve; dh) pjesëmarrje në aktivitete sportive, kulturore dhe gara; e) mbajtja e palestrave private, sportive për komunitetitin; ë) zhvillimi i aplikacioneve, faqeve të internetit, programim, disajn; f) konsulencë në fusha të teknologjisë, menaxhimit të projekteve jashtë veprimtarisë policore; g) investime në pasuri të paluajtshme, veprimtari imobiliare, dhënie me qira shitje dhe blerje të pronave); gj) hapja dhe menaxhimi i bizneseve të ndryshme etj., që nuk bien ndesh me rregulloren e Policisë.
3. Në asnjë rast, ushtrimi i veprimtarive private apo dytësore nuk duhet të ndikojë në ushtrimin e detyrave, kohën e punës dhe veprimtarinë policore
Sa i përket të drejtës së pushimit vjetor, Rregullorja përcakton se për punonjësit e Policisë është 30 deri në 40 ditë kalendarike dhe jepet i shkallëzuar, sipas vjetërsisë dhe gradave. Punonjësi i Policisë gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara: 40 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Drejtues” deri “Drejtues madhor”; 35 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Nënkomisar”, “Komisar” dhe “Kryekomisar”; 30 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Inspektor”. Pushimet vjetore mund të jepen të ndara në ditë kalendarike, me miratimin e titullarit përgjatë vitit të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës.
Për herë të parë, Policia e Shtetit vlerëson dhe pranon donacione, por duhet të jenë vetëm nga subjekte që i plotësojnë kriteret ligjore.
Sa i përket rrjeteve sociale, duhet kujdes. Një polic i përdor rrjetet sociale në mënyrë të kufizuar, duke siguruar që publikimet në
rrjetet sociale të mos perceptohen nga kolegët ose publiku si akte fyese, diskriminuese, etj. Po ashtu, është e ndaluar edhe që të shprehë ndonjë qëndrim politik për çështje të caktuara. Gjithashtu, nuk duhet të japë informacion në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, që lidhet me veprimtarinë që ai kryen për uniformat blu të vendit./ZËRI
DOKUMENTI I PLOTË