
Rikthehen për dy muaj kontrollet në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri

Morinë
TIRANË– Është rikthyer përkohësisht kontrolli i udhëtarëve në pikat kufitare të Vërmicës dhe Morinës, që lidhin Shqipërinë me Kosovën. Nga 1 marsi ka pushuar së funksionuari marrëveshja për kalimin e udhëtarëve pa kontroll në këto pikakufitare dhe tashmë do të vijohet të bëhet përpunimi i të dhënave të drejtuesve të automjeteve dhe udhëtarëve me procedurë të përshpejtuar.
RTK shkruan se udhëtarët që e shfrytëzojnë pikën kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, nga 1 marsi duhet të paraqesin dokumentet e identifikimit, për arsye se nga kjo datë për dy muaj rresht do të bëhet përpunimi i të dhënave të sakta i automjeteve. Qytetarët vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë proces pasi, shprehen për lëvizje të lirë në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Nuk kam shumë njohuri megjithatë po më befasoni, ky kufi s’duhet të jetë fare, as kontroll as pa kontroll, nuk e di çfarë situate është, do të provojmë, por kanë bërë keq, nuk kanë bërë mirë, nuk e njoh këtë kufi në kuptimin e kufijve. Ne jemi së bashku këtu, Shqipëri jemi,”- tha qytetari Kadri Kryeziu.
“Nuk duhet të ketë kufi fare këtu pasi ky kufi nuk është natyral, është kufi i vendosur nga një armik që e kemi pasur me herët, kështu që nuk duhet të ekzistojë”, tha qytetari tjetër Hasan Gigollaj.
Pika kufitare e përbashkët Shqipëri-Kosovë, përpunon numrin më të madh të automjeteve dhe udhëtarëve që hyjnë dhe dalin në të dyja anët e kufirit.