Riaktivizimi i vullkanit Etna në Itali, anulohen fluturimet në Katania, mbyllet aeroporti
vullkani dhe hiri i shperndare ne qytet
ITALI- Për shkak të rikthimit të shpërthimeve të Etna-s dhe emetimit të hirit vullkanik në atmosferë, autoritetet në Itali kanë urdhëruar mbylljen e aeroportit të Katanias, në sektorët e hapësirës ajrore B2 dhe B3.
“Pista është e papërdorshme për shkak të pranisë së shumtë të hirit vullkanik në fushë dhe për këtë arsye si mbërritjet ashtu edhe nisjet janë pezulluar”, thuhet në faqen e aeroportit Fontanarossa. Operacionet e fluturimit do të rifillojnë pasi hiri vullkanik të jetë hequr nga pista.
“Për momentin – vijon deklarata – vlerësohet se aktivitetet e fluturimit do të mund të rifillojnë në orën 15:00. Prandaj, pasagjerëve u kërkohet të mos shkojnë në aeroport nëse nuk kanë kontrolluar statusin e fluturimit të tyre me kompaninë ajrore.”
Kryetari i bashkisë së Katanias Enrico Trantino ka nxjerrë një urdhëresë me të cilën ndalon, për 48 orët e ardhshme, qarkullimin e mjeteve me dy rrota (cikleta dhe motoçikleta) dhe kufizon lëvizjen e automjeteve deri në një shpejtësi maksimale prej 30 km/h në të gjitha rrugët e zonës komunale.
Bashkia ka urdhëruar gjithashtu që rëra vullkanike e eliminuar nga hapësirat private të depozitohet në kontejnerë të vegjël pranë banesave. Dispozita urgjente janë diktuar edhe për përgjegjësit e ekologjisë së qytetit, në mënyrë që të nisin menjëherë operacionet e heqjes së hirit nga rrugët. /ZËRI
Burimi