REL: A po kërkon Rusia ta destabilizojë Kosovën përmes Serbisë?
KOSOVË- Autoritetet në Kosovë, kohët e fundit, i kanë shpeshtuar paralajmërimet për një rrezik të mundshëm që mund t’i kanoset shtetit nga fqinji verior, Serbia. Por, sa herë që ato flasin për një kërcënim të tillë, nuk lënë pa përmendur aleaten e Beogradit, Rusinë, që ato thonë se është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës dhe të rajonit. Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Beogradi dhe Moska kanë një të përbashkët: duan zgjerim.
Për presidenten Vjosa Osmani, Serbia është “dorë e zgjatur e Rusisë”, e cila po përpiqet të luajë “lojërat e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit”. E, sipas kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Beogradi po përgatitet për një sulm apo provokim eventual ndaj Kosovës, sikurse ai që u krye në shtator ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë.
Por, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, i ka cilësuar “drama mediatike” paralajmërimet se Kosova është e kërcënuar, duke thënë se një gjë e tillë “nuk është gjë tjetër veçse edhe një mjegull për sponsorët e saj perëndimorë”.
Largimi i vëmendjes nga lufta në Ukrainë
Kërcënimi për një përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës “është i madh dhe i vërtetë”, vlerëson Ivana Stradner, hulumtuese e lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo qëndron, pasi Rusia – që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – po kërkon që ta shpërqendrojë vëmendjen nga lufta në Ukrainë, ku, sipas saj, nuk po performon mirë. Për këtë, sipas Stradnerit, Rusia po kërkon “pika të cenueshme në Perëndim dhe pika më e cenueshme aktualisht në Evropë është Ballkani: Bosnje e Hercegovina dhe Kosova”.
Pikërisht veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje të një pjese të Bosnjës u cilësuan nga Shtetet e Bashkuara si rreziqet kryesore për sigurinë në rajon, ku duhet të përjashtohet mundësia e përdorimit të forcës për zgjidhjen e çështjeve. Edhe Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizëm, në Hagë, nuk e përjashton mundësinë e incidenteve të dhunshme në Kosovë, pasi, thotë ai, në Serbi ka qarqe që synojnë destabilizimin.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Shtuni thotë se, sipas treguesve në terren, gjasat për një përshkallëzim nuk janë rritur krahasuar me tre apo gjashtë muaj më parë. Një tjetër aspekt në këtë çështje, sipas Shtunit, është se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë mesazh të qartë nga Uashingtoni se “çfarëdo agresioni i dhunshëm ndaj Kosovës dhe ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it, do të jetë i papranueshëm”. Shtuni ndan mendimin e njëjtë me Stradnerin se, çdo vatër e re krize, apo rindezja e vatrave të vjetra në Ballkanin Perëndimor, “do t’u shkonte për shtati interesave të Rusisë, pasi do të shpërqendrohej vëmendja e vendeve të NATO-s dhe partnerëve të tjerë që i kanë dalë krah Ukrainës”.
Stradner, ndërkaq, nuk beson se në Ballkanin Perëndimor do të ketë një konflikt në shkallë të gjerë, sikurse ai në Ukrainë. Megjithatë, ajo pohon se në Ballkan ka aktivitete që mund të konsiderohen “luftë hibride”.
“Mund të përfshihet edhe përdorimi i forcës, sepse, sipas strategjisë ushtarake të Rusisë, lufta hibride nuk është vetëm dezinformim, siguri kibernetike, sabotim e të tjera, por përfshin edhe gjëra sikurse përdorimi i forcës,”-paralajmëron ajo.
Stradner shpreh shqetësim për narrativët që po shtyn përpara Rusia se gjoja Perëndimi po synon të hapë një front të ri, dhe se presidenti Putin do që t’i thotë Perëndimit se, “nëse nuk do që Ballkani të përshkallëzohet, atëherë duhet të negociosh me mua”.
Roli i KFOR-it dhe i sanksioneve
Por, kryeministri i Kosovës, në një shkrim të botuar në New York Times, tha se hapja e një fronti të ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë dhe Serbisë, “pasi Serbia mund të tentojë të fitojë territor përmes agresionit, dhe Rusia mund të forcojë kontrollin ndaj Serbisë si satelit të saj, dhe ta shpërqendrojë botën nga lufta e saj në Ukrainë”. Stradner dhe Shtuni pajtohen se Serbia mund të ketë qëllime territoriale ndaj Kosovës. Shtuni këshillon koordinim me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë të Kosovës për parandalimin e ndonjë përshkallëzimi, teksa Stradner thotë se Perëndimi duhet t’i dërgojë sinjal të qartë Beogradit se nëse vepron në Kosovë, KFOR-i do të veprojë.
Nga aleanca ushtarake perëndimore thonë për Radion Evropa e Lirë se dislokimi i 1.000 trupave shtesë në Kosovë vitin e kaluar ishte ndër hapat e ndërmarrë për t’u siguruar se “KFOR-i ka forcat dhe kapacitetet për të përmbushur mandatin” e tij. Vitin e kaluar, veriun e Kosovës e përshkuan tensione të larta: protestat e serbëve kundër kryetarëve shqiptarë, që kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it, u pasuan muaj më vonë nga sulmi i armatosur ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh.
Pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Prishtina fajëson Beogradin, autoritetet në Kosovë thanë, po ashtu, se po hetonin lidhjet e mundshme ruse me këtë sulm. Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të sanksionohet për sulmin në Banjskë, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, një sulm i tillë mund të përsëritet.
Stradner pajtohet se sanksionet ndaj njerëzve specifikë do të ishin një formë e mirë për të parandaluar kërcënimet eventuale në të ardhmen./REL
Burimi