![“Ramën do e paketoj për McGonigal-in”/ Nga protesta, Berisha sërish ofertë partive të reja: Të bashkohemi!](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2025/02/ramen-do-e-paketoj-per-mcgonigal-in-nga-protesta-berisha-serish-oferte-partive-te-reja-te-bashkohemi_67a7aa668ed6d.jpeg-730x440-lajmidites.com.webp)
“Ramën do e paketoj për McGonigal-in”/ Nga protesta, Berisha sërish ofertë partive të reja: Të bashkohemi!
Sali Berisha
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh i bindur se opozita do korrë fitoren më të thellë ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në fjalën e tij, në tubimin e Partisë Demokratike para Kryeministrisë, Berisha përmendi edhe njëherë akuzta për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve ndaj kryeministrit Edi Rama, duke rikthyer edhe njëherë në vëmendje çështjen e “McGonigal”, që sipas tij do të sjellë fundin politik të kryesocialistit.
“Dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës. Çdo natë, në dy muajt e fundit, ai në ëndërr i del ishulli Riker. Atje do përfundojë, tek McGonigali. Iu garantoj ju se pas zgjedhjeve do e paketoj, të bëjë dënimin më pas të kthehet,”-tha Berisha,
Në këtë protestë kombëtare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publike edhe pikat kryesore të programit qeverisës, ndërsa fjalën e tij e mbylli duket ftuar të gjithë partitë politike që e konsiderojnë veten opozitare, që të bashkohen në një front të përbashkët për të mundur socialistët.
“Të vazhdojmë betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj. Të bashkohemi! Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës. Ftoj të gjithë elektoratin gri: mos harroni gjë, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës. Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare,”-tha Berisha.
FJALA E PLOTË E BERISHËS:
Dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës. Çdo natë, në dy muajt e fundit, ai në ëndërr i del ishulli Riker. Atje do përfundojë, tek McGonigali. Iu garantoj ju se pas zgjedhjeve do e paketoj, të bëjë dënimin më pas të kthehet. Miqtë e mi! Ky nuk është një miting elektoral, por përsëri ne duhet të ndjehemi krenarë me programin tonë. Edi Ramën e ka tmerruar programi ynë. Edi Ramën e ka shfazuar programin ynë sepse ne me programin tonë kemi shembur piramidën e tij të mashtrimit. Me programin tonë kemi faktuar vjedhjet e tmerrshme që u ka bërë shqiptarëve. Edi Rama, i pashpirt, i la pensionistët shqiptarë në gjendjen më të mjerë që mund të jenë pensionistët në botë. Shumë prej tyre, me pensionin që marrin nuk blejnë dot as ilaçet e një jave. Dhe ka tre muaj që kalon nga një skenë në tjetër për t’i mashtruar ata. Sjell dëshmitarë të rremë me pashpirtësi. Ja ku jemi këtu dhe i themi çdo pensionisti se kurrë pas 11 majit, asnjë prej jush nuk do ketë më pak se 200 euro në muaj. Jo vetëm kaq, por çdo njeri prej jush do ketë kartën e konsumatorit për t’u kthyer TVSH-në, e cila është e barabartë me tre pensione. Mbaji për vete bonuset e mashtrimit elektoral Edi Rama. Ne do u kthejmë pensionistëve TVSH-në e të gjitha blerjeve ushqimore që bëjnë në një vit. Jo vetëm kaq, çmime krejt të tjera do kenë për qiratë në ndërtesat sociale, do kenë për ujë, drita. Dhe i garantoj ata se kjo përpjekje nuk do ndalet gjer sa të marrin pensionet më të mëdha në rajon. Programi ynë e ka tmerruar, e ka verbuar sepse ai program po nxjerr në dritën e diellit të gjitha mashtrimet e tij monstruoze. Ne u premtojmë të gjithë punëtorëve me rrogë të ulët, se në Shqipëri pas 11 majit, brenda 3 muajsh, nuk do ketë rrogë nën 500 euro. Dhe se ky do jetë pragu me të cilin do ecim drejt rrogës minimale më të lartë më rajon. Brenda vitit, rroga mesatare do jetë 1200 euro.
Miqtë e mi! Ne jemi parti e taksave të ulëta. Ne besojmë se paratë në xhepat e qytetarëve janë më të vlefshme për shoqërinë dhe qytetarin se në arkat e shtetit. Prandaj dhe biznesi i vogël, shikoni çfarë bën mashtruesi. Ua ka dhjetëfishuar taksat lokale. I garantoj bizneset e vogla se pas 11 majit, së pari do përgjysmohen, së dyti do ecet me shpejtësi drejt një të pestës së tyre. Energjia, që sot ato e paguajnë 18 deri 24 lekë, do jetë 3.2 herë më e ulët. Do jetë 7 lekë. Tarifat e sipërfaqeve të sipërmarrjeve të bizneseve do pjesëtohen me tre. Do ulen tre herë. Taksa e sheshtë 10 përqind për bizneset e tjera është zotimi ynë. Biznesi i vogël do paguajë gjysmën e asaj që paguan sot për sigurimet shoqërore. Miqtë mi! Shqipërinë jo do e ndryshojmë, por do e ndryshojmë me shumë shpejtësi. Shqipëria është në emergjencë, Shqipëria ka dhimbje, shqiptarët ndjejnë dhimbjen e skamjeve dhe mjerimit. Ne do i çlirojmë ato me shpejtësi. Fermeri shqiptar do subvencionet për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë, për çdo fidan. Pronarët dhe të përndjekurit do marrin shpërblimet e tyre. Pra, modelit të kleptokracisë, të vjedhjes, do i lëshojë vendin modeli i qytetarit të parë. Do i lëshojë vendin modeli ku në epiqendër do jetë qytetari me interesat e tij. Kjo e ka tmerruar Edi Ramën, por është i pashpresë. Të dashur miq! Nuk ishte ky mitingu i programit elektoral, por natyrisht pa shpallur këtu disa nga ndërhyrjet më emergjente që mund të bëjmë ne për të përmbysur situatën aktuale, nuk mund të ndaleshim. E vërteta është, mesazhi i fundit që unë kam për ju: tre muajt na ndajnë nga zgjedhjet. Fitorja varet nga ne. Fitorja, në rast se ne e bëjmë natën ditë, në rast se ne përkushtohemi, në rast se ne nuk harrojmë se jemi parti që bëmë të pamundurat, të mundura, ne do korrim një nga fitoret më të thella. Mos harroni se fitoret e arritura deri tani, ne i arritëm në kushtet më të jashtëzakonshme, më të vështira. Kurse tani që presidenti Donald Trump i ka prerë gjarprit në Uashington, Xhorxh Soros, e kuptoni ju apo jo çfarë do të thotë kjo. Era e desorosizimit, flladi i tij nga Uashingtoni po fryn në gjithë botën. Ju garantoj ju se nuk fiton kush më shumë nga kjo se shqiptarët, pasi u shndërruan në kopshtin eksperimental të dogmës, jo të Oruellit, por të Sorosit. Pra, edhe ne kemi programin tonë të desorofikimit të vendit, të rivendosjes në piedestal të familjes, vlerave të saj, të besimit tek Zoti, të interesit kombëtar. Shqipërinë e bëjnë shqiptarët dhe shqiptarët patriotë, atdhetarë. Ndaj të vazhdojmë ne betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj. Të bashkohemi! Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës. Ftoj socialistët e ndershëm, që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët. Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera.
Ftoj të gjithë elektoratin gri: mos harroni gjë, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës. Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare.
Regjimin që kreu gjenocid të butë duke përzënë 1 milionë shqiptarë në 10 vite, regjimin e Edi Ramës. E kemi detyrim madhor ndaj fëmijëve tanë, por edhe ndaj atyre që nuk i kemi më, të luftojmë dhe fitojmë. Dhe unë u garantoj se me punë, me vizion, me vendosmëri, me mbështetje mbarëshqiptare, me mbështetjen e miqve tanë, 11 maji do të jetë dita e fitores së thellë, fitores së madhe të opozitës shqiptare. Rrofshi ju, rroftë Shqipëri. Zoti e bekoftë Shqipërinë, flamurin e saj./ZËRI
Burimi