Qeveria siguron jetën e ushtarakëve, sa do të përfitojnë në rast se dëmtohen gjatë misioneve
FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Qeveria në mbledhjen e kësaj të mërkure ka marrë një vendim të rëndësishëm për ushtarakët, duke iu ofruar paktë financiare dhe ligjore që mbulon sigurimin e jetës të tyre në misione jashtë vendit. Me këtë paketë, të gjitha foract e angazhuara jashtë kanë mbulimin e nevojshëm për çdo lloj vështirësie që mund të hasin në misione që zgjasin mbi disa muaj.
Sipas vendimit të qeverisë, paketa e sigurimit të jetës është e vlefshe deri në vitin 2026, ku do të mbulohen të gjitha shpenzimet mjekësore, brenda apo jashtë vendit, në spitale publike apo private, në rast se efektivët ushtarakë dëmtohen në krye të detyrës. Paketa përfshin edhe shpërblim për familjen e ushtarakut, në rast se ky i fundit humb jetën në krye të detyrës apo zhduket.
Sigurimi i jetës së personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohet në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitet 2024, 2025 dhe 2026, bëhet sipas kontratës që lidhet me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon ngjarjet në rastet e:
a) humbjes së jetës për shkak të detyrës apo si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të saj;b) zhdukjes;c) dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përhershme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe stërvitjes jashtë vendit;ç) dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përkohshme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe stërvitjes jashtë vendit;d) shërbimeve mjekësore në spitalet publike ose private brenda dhe/apo jashtë vendit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike.
Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo person të siguruar, nuk është më e ulët se:
-10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës për shkak të detyrës apo zhdukjes së personit;
– 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë, për rastet e dëmtimit shëndetësor me pasojë paaftësi të përhershme;
– 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës, si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të detyrës;
– 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për rastet e dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përkohshme.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes./ZËRI
Burimi