Qeveria miraton ‘Smart Labs’ për sistemin parauniversitar, Rama: Pjesë edhe nxënësit e klasave të para

Qeveria miraton ‘Smart Labs’ për sistemin parauniversitar, Rama: Pjesë edhe nxënësit e klasave të para

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Qeveria në mbledhjen e kësaj të mërkure ka miratuar në parim marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Ngritja e laboratorëve inteligjentë (Smart Labs)”, për sistemin arsimor parauniversitar. Projekti i ri arsimor nuk përfshin vetëm vetëm sistemin parauniversitar, por fëmijët do të mësojnë në laboratorë smart që në klasat e para.
Modeli i laboratorëve Smart u prezantua së fundmi në shkollën “Qazim Turdiu” në Tiranë, ku mbi 35,000 nxënës të klasave të para, dyta dhe të treta do të përfshihen në kurrikulën e re të kodimit. Rama ka njoftuar përmes një videoje në Facebook, se deri tani janë instaluar 216 SmartLab-e në shkolla, dhe plani është të shtohen mbi 600 laboratorë të rinj në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaze, për të pajisur nxënësit me aftësi digjitale që janë të domosdoshme për të ardhmen. 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS PËR ZHVILLIM TË KËSHILLIT TË EVROPËS, PËR FINANCIMIN  E PROJEKTIT “NGRITJA E LABORATORËVE INTELIGJENTË (SMART LABS) – RRJETI I LABORATORËVE TË TIK-UT PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR (PROJEKTI I GRANTIT, SIPAS KORNIZËS SË INVESTIMEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Ngritja e laboratorëve inteligjentë (Smart Labs) – rrjeti i laboratorëve të TIK-ut për sistemin arsimor parauniversitar (projekti i grantit, sipas kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor)”, me një grant në shumën 10 137 811 (dhjetë milionë e njëqind e tridhjetë e shtatë mijë e tetëqind e njëmbëdhjetë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Burimi